Debate per Perandorine Otomane turqit kunder teksteve shqiptare

Debate per Perandorine Otomane, turqit kunder teksteve shqiptare
Historianët turq: Nënpunës shqiptarë i kanë shërbyer Perandorisë Otomane. Shqiptarët: Qeveria turke s’ka të drejtë të ndërhyjë në historinë tonë

Prej dy ditësh në Tiranë ka çelur punimet konferenca akademike ndërkombëtare; “Luftërat Ballkanike 1912-1913”, e cila ka hedhur dritë mbi historinë ballkanike të kësaj periudhe duke ngjallur edhe debate mes historianësh. Dhjetëra historianë shqiptarë dhe të huaj kanë referuar mbi çështje të ndryshme që përkojnë jo vetëm me periudhën e luftërave të kahershme por edhe me aktualitetin e sotëm.

Periudha otomane

Një çështje delikate ka qenë ajo e periudhës së Perandorisë Otomane për të cilën historianët turq nuk janë dakord me mënyrën se si është pasqyruar në tekstet shqiptare. Ata kërkojnë ndryshimin e saj, të paktën në disa pjesë, pasi lihet të kuptohet se Perandoria Otomane u krijua vetëm nga turqit në një kohë kur brenda saj përfshiheshin shumë etni, midisi të cilëve është vetë shqiptarët, që i kanë shërbyer kësaj perandorie.

Historianët turq

Sipas historianit Mehmet Hacisalihoglu, prezent në Tiranë në konferencën mbi Luftërat Ballkanike, në tekstet e historisë, perandoria otomane nuk duhet personifikuar me Turqinë e sotme. “Gabimi më i madh i historiografisë tuaj kombëtare është se paraqet Perandorinë Otomane si Perandori turke, por ajo ishte një bashkim etnitetesh. Në administratën e saj kanë shërbyer shumë shqiptarë dhe myslimanët e Shqipërisë kanë luajtur po aq rol sa edhe turqit në Perandorinë Otomane, prandaj shqiptarët kanë po aq përgjegjësi për veprimet e kësaj perandorie,” u shpreh gjatë konferencës z.Hacisalihoglu.

Historianët shqiptarë

Ndërkohë dje në ditën e dytë të konferencës, nuk ka munguar as reagimi i historianëve shqiptarë mbi pretendimet e historianëve turq për të bërë ndryshme në tekstet shqiptare të historisë. Për historianët shqiptarë periudha e Perandorisë Otomane ka qenë pushtim nga fillimi deri në fund. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta dhe historiani Romeo Gurakuqi kanë kundërshtuar historianët turq duke argumentuar se faktet dëshmojnë që shqiptarët kanë qenë vazhdimisht të shtypur dhe janë detyruar të bëjnë luftë të përgjakshme për 500 vjet. “Turqit në Ballkan dhe në Shqipëri kanë ardhur si pushtues e do të thosha se shqiptarët kanë bërë luftërat më të përgjakshme me kostot më të larta në historinë e tyre si popull. Nuk mund të përdoret qenia e disa nënpunësve shqiptarë që ishin një minorancë. Nuk përfaqësonin interesat e kombit shqiptar. Ata ishin thjesht nënpunës otomanë. Turqit sigurisht kanë qenë timoni drejtues, forca , pesha e kësaj perandorie. Këtë nuk e vë në dyshim askush,”tha dje Meta.

Shtetformimi

Ndërkohë në konferencë pati edhe polemika mbi ndikimin e Luftërave Ballkanike 1912- 1913 në shtetformimin e vendeve të Ballkanit përfshi këtu edhe Shqipërinë. “Mendoj se formimi i shtetit është shkaktuar nga lufta sepse edhe në anën e Hasan Prishtinës për shembull planifikimet kishin qenë për një autonomi”, tha Konrad Clewing Ragensburg nga Gjermania. “Shteti shqiptar është produkt i disa faktorëve, i zhvillimeve brenda përbrenda vendit, dhe i zhvillimeve ballkanike. Jam plotësisht dakord se në këta faktorë është edhe lufta ballkanike, por edhe kalkulimet gjeopolitike në shkallë evropiane,” tha historiani shqiptar Ferid Duka. Në kumtesat e konferencës është trajtuar edhe karakteri nacionalist i historive të kombeve të Ballkanit. Megjithatë pavarësisht ndasive që kanë historianët shqiptarë për periudha të ndryshme të historisë përfshirë edhe atë Otomane, të gjithë bien dakord se në tekste ka nevojë për ndryshimin e disa terminologjive të vjetruara, por jo të fakteve ekzistuese.

Mehmet Hacisalihoglu

“Gabimi më i madh i historiografisë tuaj kombëtare është se paraqet Perandorinë Otomane si Perandori turke, por ajo ishte një bashkim etnitetesh. Në administratën e saj kanë shërbyer shumë shqiptarë dhe myslimanët e Shqipërisë kanë luajtur po aq rol sa edhe turqit në Perandorinë Otomane, prandaj shqiptarët kanë po aq përgjegjësi për veprimet e kësaj perandorie,” u shpreh gjatë konferencës historiani turk z.Hacisalihoglu.

Beqir Meta

Sa i takon pretendimit të historianëve apo qeverisë turke për rishikim të historisë shqiptare mbi periudhën e Perandorisë Otomane, studiuesit pranojnë se debatet shërbejnë, por historia duhet të thotë të vërtetën. “Qeveria turke nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në historiografinë e një vendi tjetër. Kanë gjithë të drejtën e zotit të debatojnë me të gjitha termat e parametrat. Pastaj sa të sakta janë dhe sa të pasakta do të dali nga rezultatet e këtij debati”, tha dje Beqir Meta.

Romeo Gurakuqi

Edhe historiani tjetër shqiptar Romeo Gruakuqi thotë se: “Shqipëria ka qenë për pesë shekuj e pushtuar nga perandoria osmane. Gjëja e parë që duhet bërë është ndarja e një shteti të së kaluarës me një shtet aktual, sot. Bëhet fjalë për një pushtim të mirëfilltë. E vetmja ndërhyrje që mund të jetë e pranueshme është zbatimi i kritereve shkencore. Do të duhet të jemi të kujdesshëm në heqjen e termave pezhorativë në qoftë se do të ekzistojnë,” tha Romeo Gurakuqi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama