Në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, studiuesit e folklorit diskutuan dje në ambientet e Institutit të Antropologjisë Kulturore, për problematikat kryesore, në të cilat ka hasur në maj 2015 organizimi i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Një komision selektiv, ekspedita folklorike dhe botime dedikuar kësaj trashëgimie janë vetëm disa nga mungesat e këtij festivali.
Profesor Agron Xhangolli tha se Festivali që u zhvillua në maj të vitit 2015 mund të shihet në dy pamje. “Pamja e parë është zbatimi sa dhe si u zbatua platforma e festivalit. Përgjithësisht ishte korrekte, por kishte dhe vërejtje. Për shembull, ka tekste të sajuara, ose minuitazhi i paktë i detyron grupet që t’i shkurtojnë tekstet e këngëve, pra kënga vjen e gjymtë”. Sipas profesorit, duhet të ketë vetëm një komision selektiv për Festivalin e Gjirokastrës, që të shkojë kudo dhe të shikojë grupet që do të jenë në festival.
Ndërsa përsa i përket idesë nëse duhet të vazhdohet në edicionin e ardhshëm me këtë platformë apo jo? Ai u shpreh se ky mendim doli në këtë konferencë, por organi vendimmarrës është Ministria e Kulturës. “Ministria duhet të bëjë një platformë të re mbi festivalin në bashkëpunim me specialistët e folklorit, njerëzit që janë specialistë. Platforma bëhet për çdo festival. Pra nëse këtë vit pati mangësi realizmi i platformës së festivalit, tashmë duhet menduar për një platformë të re. Pra thamë që pati probleme me tekstet e këngëve, pati ndonjë shkurtim. Për shembull, pati bashkim të një suite vallesh popullore, në popull nuk ekziston suitë vallesh, ka valle të veçanta që kërcehen, por në festival erdhën dhe me suitë vallesh”. Gjithashtu sipas Xhangollit pati dhe potpuri këngësh qytetare që u bashkuan 4-5 këngë me nga një strofë, por kjo nuk është tipike folklorike. “Ndaj nuk ishte zbatim i platformës në të gjitha aspektet në festival në Gjirokastrës, por përgjithësisht festivali arriti të plotësojë ato kërkesa që kishte platforma shkencore”.
Sipas Xhangollit, kur folklori ngjitet në skenë ky nuk është më folklor, është folklorizëm dhe në këtë aspekt duhet të ndryshojë dhe koncepti themelor që ka platforma, ruajtja e autenticitetit folklorik.
Gjithashtu duhet të realizohen edhe ekspedita, duhet bërë kërkime në terren, sepse ka lëvizje të popullatës dhe të gjithë këta faktorë kanë ndikuar negativisht.
I pranishëm në këtë takim ishte dhe profesor Rolan Çene, i cili ka qenë ndër kontribuuesit e parë në këtë festival. Ai është marrë me Festivalin Folklorik të Gjirokastrës qysh në edicionin e parë, 1968 dhe deri më sot. Profesor Çene, takimin e djeshëm e vlerësoi si një shprehje kujdesi ndaj shqetësimeve që ka Qendra e Studimeve Albanologjike jo vetëm për të kaluarën dhe të sotmen, por sidomos për të ardhmen e trashëgimisë sonë shpirtërore. “Festivali që u zhvillua në Gjirokastër në maj, mendoj se ishte në vazhdimësi me rritje. Problematika ka dhe do ketë kurdoherë, por vërej se ka përpjekje shumë serioze për të evidentuar elementët jashtë folklorik, elementët amatorë dhe denatyrimin e folklorit.
Platformat shkencore në këtë drejtim luajnë rol të rëndësishëm, mirëpo në këtë drejtim këto platforma që formalizohen nga institucioni varet sesa përtypen në bazë... Mendoj se në bazë mungojnë elementët kompetentë për këtë punë”. Profesori me bazë nënkupton rrethet, qarqet, që nuk janë ndoshta në nivelin e kërkesave shkencore që parashtron Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike. Ndaj sipas tij, do të ishte e nevojshme që para festivalit të paraprijnë seminare, për përgatitjen dhe njohjen e këtyre drejtuesve, por këto duhet të realizohen në praktikë në terren.
“Janë shumë drejtime shkencore, por platforma duhet të jetë e fokusuar kryesisht në ruajtjen e asaj që është shqiptare, që ka identitet të qartë. Prurjet folklorike nga brezi në brez evoluojnë, por rëndësi ka që esenca të jetë shqiptare”. Ndërsa përsa u përket ndërhyrjeve në tekstet e këngëve, procesor Çene shprehet se, në këtë kuadër drejtues amatorë, joprofesionistë sajojnë krijime me frymë popullore, stil popullor. Neve e dimë që folklori është një krijimtari spontane dhe kolektive, nuk ka autor folklori, ai rrjedh, trashëgohet. “Mendoj se MK, si organizatore e përgjithshme e festivalit, ajo që finalizon suksesin e festivalit është aspekti financiar.
Do të ishte mirë që Instituti i Kulturës Popullore të ketë financime për botime, ka pak botime mbi folklorin, ka shumë punime shkencore mirëpo këto punime nuk gjejnë rrugën e botimit”. Antropologu Nebi Bardhoshi ndali te ekspeditat. Ai tha se, studiuesit shkojnë në terren me lekët e tyre. “Jeta e përditshme në fshat është katastrofike. Kam vizituar shumë fshatra në Shqipëri dhe të kërkosh origjinalitet në veshje është problem i madh. Etnografia dhe folklori shqiptar nuk kanë fonde për ekspedita. Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, nuk ka fonde, nuk ka grante kërkimore. Folklorit duhet t’i japim dinjitet”. Nga ana tjetër drejtoresha e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Miaser Dibra tha se,
këto kumtesa që hedhin dritë mbi Festivalin Folklorik të Gjirokastrës duhet të botohen në shqip dhe anglisht, por nuk ka fonde, prandaj nuk ka as mundësi botimi. “Nuk kemi përkthyes, nuk kemi redaktorë dhe këtë revistë do ta bëjmë vetëm në gjuhën shqipe”.