David Tukici Jeta eshte enderr

David Tukiçi: Jeta është ëndërr

Kompozitori në një intervistë për muzikën e koncertit të sotëm në AA, për shkëputjen nga muzika e lehtë, nivelet e zhvillimit të sotëm, krjimin e tij të parë operistik "La vitta è sogno", TOB më 2010-n dhe... për vetminë. Sonte, ora 19.00, në Akademinë e Arteve, Orkestra e Radiotelevizionit Shqiptar luan "Koncertin e Tukiçëve". Pianisti Genc Tukiçi interpreton pjesët "Lahuta tregon", "Koncert për piano dhe orkestër nr. 2" dhe "Suitë shqiptare për orkestër simfonike", krijime shqiptare kompozuar nga David Tukiçi dhe krijimin e tij "Variacione për piano solo mbi Bach-O sole mio". Koncerti dirigjohet nga Dominique Routis.

Një ditë përpara koncertit e takuam kompozitorin David Tukiçi në Radio -Televizion, me të cilin ai ka një histori të gjatë. Një histori që nis që nga dalja e tij e parë në Festivalin e dhjetorit me këngën "Globi rrotullohet" (14 vjeç), vijon me duetin me Nertila Kokën në këngën "Sagapo, të dua" (Festivali i 90-tës) e me një sërë kompozimesh "Dy gëzime në një ditë", këngë me të cilën Nertila Koka fitoi çmimin e parë në festivalin e 25 të Këngës (1986), "Mirësevjen ditë e re" kënduar nga Afërdita Laçi, ose "Të jesh artist" e Lindita Theodhorit. Këto i kishte ende të freskëta në mendje kompozitori në bisedën e djeshme, e cila, më saktë, ishte një udhëtim i këndshëm nga Radioja për tek aeroporti "Nënë Tereza", ku Tukiçi priste të motrën.

Një bisedë e ngrohtë jo vetëm për faktin se dëgjon një kompozitor të tregojë për krijimet, historitë e festivaleve, ikjet dhe ardhjet, jetën e tij, po edhe se ke përpara një bashkëbisedues që flet hapur, tregon bukur, është i vëmendshëm, pa harruar edhe gjuhën e veçantë, në të cilën herë ngre krye theksi francez e herë dialekti shkodran (origjina e tij). Në këtë bisedë për muzikën, Tukiçi tregon për krijimet muzikore që sjell në koncert sonte, ato që kanë bërë shkëputjen me muzikën e lehtë, në çfarë nivelesh zhvillohet ajo sot dhe si duhet ruajtur kjo pasuri në arkivat e RTSH-së. 


Ai nuk është në Tiranë vetëm për koncertin. Ka paraqitur në Teatrin e Operës, krijimin e tij të parë operistik "La vitta è sogno" (Jeta është ëndërr), një vepër lirike që ai e ka kompozuar mbi dramën e Pedro Calderon de la Baca, dramaturg spanjoll. "Për këtë vepër i kërkova libretistit italian Giacomo Carbone që ta kthejë në vargje. Është një operë legjendë me tri akte, për të cilën punova tre vjet. Në skenën shqiptare mendohet të vijë në prill të 2010-s", -  tha kompozitori. 


David Tukiçi ka studiuar në Akademinë e Arteve piano dhe kompozicion. Në vitin 1992 u largua nga Shqipëria për në Itali ku studioi 2 vjet kompozicion. Vazhdoi studimet në Paris, në Akademinë "École Normale du Paris" ku u diplomua për kompozicion dhe dirigjim. Jeton vetëm në Catanzaro të Italisë, por sipas kompozitorit "asnjëherë një artist nuk është vetëm. Unë jetoj me tingujt, më shoqërojnë gjatë gjithë kohës edhe kur fle".

Kur i keni shkruar veprat e koncertit të sotëm?

I kam shkruar vite përpara. Kur i dëgjoj, më duket sikur i kam shkruar dje. Kjo tregon se janë vepra që i kanë rezistuar kohës. "Lahuta tregon" e kam shkruar në vitin 2002, është një skicë simfonike, një vepër e krijuar për lahutën, këtë instrument epik të popullit tonë që është karakteristik në Malësi. Edhe unë jam pak malësor sepse nëna ime është nga Lohja e Malësisë së Shkodrës. Në vitet 2000, Shqipëria jetonte ngjarjet e Kosovës, ngjarjet që ndodhnin në mbarë territoret shqiptare. Unë jam frymëzuar nga këto ngjarje dhe mendoj se gjëja më e mirë është t'i tregoja me një instrument si Lahuta. "Koncerti për piano dhe orkestër nr. 2" (2000) është shkruar vite përpara, por unë jam i kënaqur kur e dëgjoj edhe sot. Më duket sikur është një vepër aktuale. "Suita Albanese" (1995) është një shkrirje e dy - tre krijimeve dhe prezantohet sot për herë të parë. Gjithashtu edhe "Lahuta tregon" dhe improvizimi i Gencit, vëllait, luhet për herë të parë sonte.      

Këto vepra e bënë shkëputjen me muzikën e lehtë?


Karriera ime ka filluar si këngëtar i muzikës së lehtë. Në vitet '70, kur isha 14 vjeç, kam kënduar këngën "Globi rrotullohet" me të cilën më njohin të gjithë, kompozim i Nikolla Zoraqit. Është një gjë e mrekullueshme kur policët e aeroportit më thonë: "David mirëserdhe, globi rrotullohet". Kënga që ndiej unë se i duan njerëzit janë "Sagapo të dua" që e kam kënduar me Nertila Kokën. Ose krijimet "Dy gëzime në një ditë", "Të jesh artist" kënduar nga Lindita Theodhori dhe "Mirësevjen ditë e re" e Afërdita Laçit. Të gjitha këto këngë janë shkruar përpara vitit '92, pasi pas këtij viti unë u largova për në Itali dhe tani jetoj në Catanzaro (Itali). Për mendimin tim, muzika e lehtë është një gazetë e ditës, ajo jep ngjarjet që ndodhin çdo ditë. Edhe kënga e muzikës së lehtë jeton me atë moment që jeton vendi. Kompozitori që shkruan atë këngë, sjell në mënyrë artistike emocionet e një dite, a ngjarjes së një viti. Kurse, muzika simfonike të jep më shumë hapësirë. Ti mund të tregosh diçka më shumë, më thellë. Për shembull, tek "Suita Albanese" unë përshkruaj Shqipërinë në vitet pas '92-shit, çfarë është bërë. Kur vjen tani nuk e njeh më Shqipërinë. Ja tani, në këtë udhëtim që po bëjmë bashkë, shoh që kanë ndryshuar shumë gjëra, rrugët, aeroporti, gjithçka është transformuar.

Kjo është edhe arsyeja pse filluat të krijonit muzikë klasike?

Me intuitë e kuptova që kam një mashë më shumë sesa ata që shkruajnë vetëm këngët, pra mund të bëja edhe muzikën shqiptare të kultivuar. Mund të shkruaja muzikë simfonike, apo muzikë operistike, gjë që vlerësohet më shumë. Tashmë kënga e muzikës së lehtë është siç ka qenë folklori dikur. Tashmë këngën e lehtë e shkruan kushdo dhe mjaft të kesh një kitarë dhe bën këngë shumë të bukura, por për një opera, apo simfoni, nuk mjafton kitara. Gjithashtu, më kanë ndihmuar shumë studimet që kam bërë. Për fatin tim, kam hedhur një bazë të mirë me shkollën shqiptare dhe kam mbaruar me një profesor të madh, Çesk Zadenë, i cili vetë kishte studiuar në Moskë, shkollën më të fortë në botë në muzikë, në shkollën ruse. Vetë ai ka studiuar me një nga kompozitorët më të mëdhenj në botë, Dimitri Shostakoviç. Nëse do të bëja një lidhje të tillë, them se kam pasur fatin "të jem nip" i Shostakoviçit, se babai im në muzikë është Çesk Zadeja. Në krahun tjetër, pata fatin që studiova në Francë me Mishel Merlenë.

Ç'mendoni për muzikën e sotme shqiptare?

Në Shqipëri, krahas ndërtimeve, krahas hapjeve të rrugëve, edhe muzika, edhe gjithçka është transformuar. Radiotelevizionin shqiptar unë e gjej më mirë se ç'ka qenë dhe e drejton një njeri që e do shumë muzikën. Në momente të vështira, Petrit Beci është kapacitet për mendimin tim sepse ai e ka shpëtuar këtë orkestër. Orkestra Simfonike e RTSH-së ka avancuar shumë. Unë vij pas shumë kohësh, kam punuar në Radiotelevizion dhe i njoh instrumentistët. Ka instrumentistë shumë të mirë brenda saj dhe në përgjithësi është një kompleks kompakt. Për sa i përket muzikës, them që emërtimi "Muzika e Re Shqiptare" nuk është shumë i saktë, nuk ekziston muzikë e re apo e vjetër. Muzika është ose e bukur ose e shëmtuar, ky është një problem estetik. Nëse do të mendonim se ka një muzikë të re, atëherë nuk do të donim të dëgjonim Bahun, Bethovenin dhe të gjithë ata që konsiderohen të vjetër.

Po muzika e lehtë?  

Para dy vitesh unë kam qenë në jurinë e Festivalit të 46-të të Këngës. Mbaj mend që Edmond Zhulali ka qenë në konkurrencë me Adrian Hilën. Zhulali kishte kompozuar këngën "Jeta kërkon dashuri" e Flaka Krelanit dhe Doruntina Dishës, kurse Adrian Hila kishte "Zemrën e lamë peng" me të cilën këngëtarja e re Olta Boka shkoi edhe në festivalin Evropian. Mbaj mend që ne muzikantët e jurisë, ishim për këngën e Edmond Zhulalit sepse ishte një këngë me të vërtetë shqiptare. Në juri u bënë disa kompromise për të cilat ne na erdhi keq. Kur fton një muzikant në juri duhet ta dëgjosh fjalën e tij, sepse ne nuk mendojmë kush e ka bërë këngën. Mua më intereson vetëm kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë. Për mua ajo shkon në Festivalin Evropian, nuk shkon vetëm një kompozitor. Ne ishim të gjithë unanim për atë fakt, por ja që në juri bënin pjesë edhe jomuzikantë. Aty duhet të jenë njerëz kompetentë që të çojnë këngën më të bukur nëpër festivale. Sot kënga është transformuar shumë, nga vitet që kam shkruar unë. 

Tani kemi të gjitha rrymat rock, rap, të gjitha rrymat që bëhen në botë, pasqyrohen edhe në muzikën shqiptare. Kompozitorët shqiptarë janë të lirë të shkruajnë atë që mendojnë, kurse ne ishim të detyruar të ishim "brenda rregullave". Kurse, për sa i përket cilësisë, unë do të jepja një këshillë, ose mendim. Për mua, gjithmonë kënga duhet të ngelet këngë, tjetër është një këngë e kërcyer dhe tjetër është një këngë e kënduar. Duhet të jetë një këngë që këngëtari të arrijë ta këndojë, jo të jetë e pamundur. Në atë festival që isha unë, ndjeva një tendencë për të bërtitur. Duhet të ketë një vijë melodike që emocioni të mos shprehet me të bërtitur.

Çfarë mendimi keni për pasurinë muzikore që ka Radiotelevizioni Shqiptar, si duhet të ripërtërihet ajo, për të mos u fshirë nga harresa?  

Më parë ka ekzistuar një festival i ri-interpretimeve të këngëve. Mendoj se si ai festival të ketë edhe të tjerë sot, në mënyrë që këngët të rinovohen me këngëtarë të rinj. 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama