DRKK Durres Monumentet e Kultures te periudhes osmane i rezistojne kohes

TIRANË, 2 Nëntor / ATSH / - Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës njoftoi sot se, pas inspektimit të kryer në terren nga specialistët gjatë javës së kaluar, monumentet e kulturës, kultit dhe thuajse të gjitha objektet nuk kanë pësuar dëmtime dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje.

Specialistët e DRKK-së Durrës inspektuan gjatë javës së kaluar edhe një nga Monumente e Kulturës së periudhës osmane, siç është edhe "Teqeja e Sheh Dyrrit".

Monumenti që ndodhet në Rrugën e Barrikadave, ndërtimi i së cilit i përket periudhës së fundit të shek. XVIII apo fillimit të shek. XIX, u vlerësua nga specialistët për gjendjen e mirë që paraqiste, gjithashtu nuk paraqiste ndonjë nevojë për ndërhyrje.

Teqja e Sheh Dyrrit është shpallur Monument Kulture i kategorisë së I në vitin 1963.

Kjo teqe është kryeqendra e Tarikatit Kadri të Shqipërisë e cila u rihap më datë 19 shtator 1991, pas një heshtje prej afërsisht 30 vjetësh mbyllur me forcë nga regjimi komunist.

Kjo teqe ka pësuar dy rindërtime, të parin në vitin 1964 dhe të dytin 20 vjet më pas.

Në momentin e vënies në mbrojtje ajo ngrihej në pjesën fundore të një parcele, e cila kishte në pjesën fundore të saj teqenë, duke u shtrirë para saj deri në takim me trotuarin e rrugës.

Në bazë të elementëve të kompozimit dhe të teknikës së ndërtimit mendohet se faza e parë e ndërtimit i përket fundit të shek. XVIII apo fillimit të shek. XIX.

Teqja e Sheh Dyrrit ka ruajtur në thelbin e saj kompozicional tiparet themelore të tipit të banesës tiranase, apo banesës me qendër kompozimi shtëpinë e zjarrit, me zhvillim në të dy katet në lartësi.

Në hapësirën e truallit përpara shtrihej tyrbja, apo varri monumental i shehut themelues të teqes dhe i pasuesve të tij.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama