DRKK-Berat apelon Bashke per te shpetuar trashegimine tone kulturore

TIRANË, 13 Tetor / ATSH / - "Ështe koha të bëhemi të gjithë bashkë për të shpëtuar monumentin, për të shpëtuar trashëgiminë tonë kulturore" është apeli i specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat të cilët pas rreshjeve të ditëve të fundit, kanë zhvilluar një Inspektim në terren në mbrojtje të monumenteve gjatë së cilit kanë konstatuar disa problematika.

Pas inspektimit të zhvilluar në të gjithë territorin e qarkut Berat, specialitët e DRKK-Berat njoftojnë se "Ura e Kasabashit" monumenti i kulturës së kategorisë së I-rë, një monument me vlera të rralla arkitekturore, i ka shpëtuar mrekullisht një tërbimi të motit në zonën e Çorovodës, dhe pse ka pësuar disa dëmtime.

Pas rreshjeve të të ditëve të fundit të cilat kanë shkaktuar prurje të medha të lumit të Turbuhovës, nëndegë e lumit Osum, niveli i ujit ka mbuluar krejtësisht qemerët anësorë. Si pasojë e tyre një nga dy qemerët anësorë të urës dhe dritaret shkarkuese janë dëmtuar si pasojë e shembjes së tabanit të urës në skajin perëndimor të saj.

Pas konstatimit në terren specialistët ndërmorrën masa urgjente për pastrimin e zonës së shembur, rrethimin e saj për të mos lejuar kalimin e këmbësorëve në zonën në fjalë e cila rrezikon dhe jetën e këmbësorëve dhe karvanëve.

DRKK-Bert sqaron se u morën masa gjithashtu për afrimin e materialeve, gurëve, llaçit dhe skelave për të ndërhyrë që nga e merkura në ngritjen e armaturës për të parandaluar rrëzimin total të qemerit anësor.

Ndërkohë që ditët në vijim specialistët e DRKK -së , Berat do të përforcojnë qemerin, do të kryejnë injektimet e elementit lidhës në pjesët e dëmtuara dhe do restaurojnë pjesën e rrëzuar të tabanit të urës, për sa i përket fazës së parë.

Aktualisht do punohet paralelisht për hartimin e projektit të restaurimit total të urës pasi monumenti ka të domosdoshme ndërhyrje restauruese edhe në skajin lindor ku qemerët anësorë dhe tabani i urës edhe pse nuk paraqesin rrezikshmëri shembjeje e kanë të domosdoshme ndërhyrjen në konsolidimin tek qemerët, në muraturën anësore mbi dritaret shkarkuese si dhe në eleminimin e filtrimit të ujërave sipërfaqësorë të cilët rrezikojnë tabanin e urës.

Specialistët morën kontakte me pushtetin lokal, bashkinë dhe prefekturën nga të cilët kërkuan mbështetje me materiale, mjete dhe punëtorë.

Prurje të tilla janë cdo 10 - 15 vjet dhe ky monument ka ngelur pa ndërhyrje prej shumë vitesh.

Ura e Kasabashit

Monumenti i Kulturës së Kategorisë së I-rë, "Ura e Kasabashit" është një ndër 32 monumentet natyrore dhe kulturore të rrethit të Skraparit.

Ura e Kasabashit u ndërtua në vitin 1640 nga kryearkitekti i Perandorisë Osmane, arkitekt Kasemi.

Arkitekt Kasëmi një ndër emrat e njohur të Perandorisë Osmane në fushën e arkitekturës, e solli dhe ndërtoi këtë vepër si jnë dhuratë për vendlindjen e tij, duke qënë se ai ishte me origjinë nga Grëmshi i Skraparit.

Ura e Kasabashit gjendet në afërsi të qytetit të Çorovodës në rrethin e Skraparit. Kjo urë futet në tipologjinë e urave simetrike me tre qemerë me kurriz dhe me dritare shkarkuese.

Nëpër këtë monument kalonte rruga e karvaneve Berat-Skrapar-Korçë. Mendohet që ura të jetë një vepër e arkitekt Kasëmit nga fshati Grëmsh, kjo mund të hamendësohet edhe nga emërtimi i urës (Kasabash-mjeshtër Kaso-Kasëmi).

Qemeri qëndror i cili ka një vëllim më të madh paraqitet me nje konstruksion me majë të mprehtë me hapësirë drite 12 m, ndërsa dy qemerët anësorë janë më të vegjël në vëllim dhe kanë formë gjysëm rrethore.

Qemeri kryesor sipër konturohet nga një kornizë guri 5 cm të trashë.

Edhe dritaret shkarkuese ashtu si edhe qemerët anësorë janë ndërtuar në formë gjysëm rrethore.

Muret Ballorë janë ndërtuar me gurë lumi dhe mali të zinj në formë pllake me trashësi 10-12 cm me gjatësi jo më shumë se 25 cm, ndërsa fugat midis gurëve janë shumë të theksuara.

Në njërin krah mbi urë hipet mbi një platformë të drunjtë.

Edhe sipas studimeve të kryera nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Ura e Kasabashit nga teknika e ndërtimit duhet t'i përkasë shekullit XVII.

/k.m/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama