Cpo ndodh me vrasjen e Artan Santos?

C'po ndodh me vrasjen e Artan Santos?

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, është optimist për zbardhjen e vrasjes më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri, atë të bankierit Artan Santo. Shtatë muaj nga ekzekutimi i tij në qendër të Tiranës, përpara bankës që ai drejtonte, mëngjesin e 26 qershorit të vitit 2014, hetimet e policisë dhe prokurorisë nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Por numri një i policisë së Tiranës thotë se hetimet janë më intensive se informacionet që jepen në media. Përballë gazetarëve Artan Hoxha, Ferdinand Dervishi, Aurora Koromani dhe Etleva Delia, në emisionin “Studio e Hapur” të moderatores Eni Vasili në “News24”, Çipa foli edhe për atentatet e fundit të ndodhura në Rrugën e Kavajës dhe në Qafë Kashar, për shpërthimet me tritol, për trafikun e drogës dhe probleme të tjera të sigurisë në kryeqytet.
 
Eni Vasili: Keni bërë një analizë të Policisë së Tiranës, zhurmat e korridoreve flasin se keni marrë edhe disa kritika nga ministri Tahiri, është e vërtetë?

 

Ardian Çipa: Kritikat natyrisht kanë qenë kritika parimore dhe kjo analizë pret edhe kritika përveç fjalëve të mira. Në tërësinë e vet rezultatet kanë qenë pozitive.

 

Eni Vasili: Cila është kritika më e fortë?

 

Ardian Çipa: Në fakt kritikat e zotit ministër kanë qenë lidhur me ridimensionimin e  marrëdhënieve të policisë me qytetarët, që në fakt kanë qenë ndër objektivat kryesore të policisë.

 

Eni Vasili: Gjatë muajit janar kanë ndodhur disa ngjarje të rëndësishme kriminale, atentate me armë, shpërthime me tritol. E di që disa nuk kanë ndodhur në qarkun e kompetencës tuaj, por kam nevojë të di qëndrimin tuaj lidhur me këtë situatë të rendit. A mund të themi që kemi një situatë të rënduar?

 

Ardian Çipa: Perceptimi për sigurinë është krejt ndryshe nga realiteti. Tirana është një qytet me parametra sigurie të kënaqshëm. Debati për perceptimin e publikut për sigurinë nuk ka të bëjnë me aftësinë që ka Policia e Shtetit për të goditur kriminalitetin. Policia ka aftësinë profesionale për ta realizuar këtë gjë. Rastet me eksploziv janë ngjarje të rëndë, të cilat krijojnë tension publik, pasiguri. Por ne duhet të marrim në konsideratë sa raste policia ka parandaluar shumë ngjarje kriminale.

 

Artan Hoxha: Unë dua të di a ka policia e Tiranës një strategji në të cilën ka të skeduar dhe të vendosur sipas hierarkisë grupet kriminale me aktivitet në Tiranë që bëjnë terror, që vendosin gjoba tek biznesi, që vrasin biznesmenë? Çfarë plani masash keni dhe kur keni ndërmend të filloni të merreni seriozisht me ta?

 

Ardian Çipa: Përplasja mes grupeve kriminale është një ngjarje kriminale e zakonshme, e rëndësishme është që nuk janë lënduar qytetarët. Ne punojmë në bazë të një analize, për të gjithë grupet me aktivitet në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe organet ligjzbatuese punojmë për të mbledhur informacione me qëllim goditjen e tyre. Për të gjitha grupet kemi të dhënat e duhura, por duhet që hetimi të bëjë punën e vetë.

Ferdinand Dervishi: Ajo ngjarje pati të vrarë dhe plagosur. Edhe dy të tilla të ndodhin i bie që ministri i Brendshëm të hapë krahun…

 

Ardian Çipa: Kjo ngjarje ishte përplasje mes grupeve kriminale, në vendngjarje pati një polic që reagoi me instinktin e policit, viktima ishte me precedent kriminal.

 

Artan Hoxha: Këta persona njihen nga policia, janë arrestuar disa herë. Ti ke gjetur një situatë të caktuar, ke 1 vit që e drejton policinë e Tiranës në situatën ku je, a je i kënaqur me atë që po bën?

 

Ardian Çipa: Policia nuk merret me komente politike ka për detyrë ta hetojë dhe godasë krimin. Po punojmë në vijimësi për të dokumentuar veprimtarinë e tyre kriminale, ju si gazetar investigativ e dini se të gjithë anëtarët e grupeve kriminale janë arrestuar dhe liruar sërish.

 

Artan Hoxha: Pra duket se kriminelët i kanë krahët e ngrohtë nga politika, politika i përdor nëpër fushata, ata marrin kurajo të bëjnë dhe karshillëk ty…

 

Ardian Çipa: Për të gjithë grupet kriminale polica ka të dhëna, por ka për detyrë t’i provojë me prova ligjor., Policia ka bërë pjesërisht punën e vetë, janë arrestuar një pjesë e konsiderueshme, kanë dalë të lirë, por puna do vijojë për tìi akuzuar pas gjetjes së provave të tjera që i implikojnë. Asnjë kriminel në Tiranë nuk ka imunitet ndaj drejtësisë.

 

Aurora Koromani: A ka një rikthim të bandave kriminale në kryeqytet dhe a ka një rizgjim të konflikteve të vjetra mes këtyre bandave? Nëse policia doli disa ditë pas ngjarjes, në një deklaratë zyrtare ku tha se atentatet tek Rruga e Kavajës dhe në Qafën e Kasharit, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, përse u tha një deklaratë e tillë nga Policia e Tiranës dhe a i qëndroni ende një deklarate të tillë?

 

Ardian Çipa: Siguroj qytetarët e Tiranës se nuk ka asnjë kriminel që të ketë imunitet. Unë i qëndroj komunikimit zyrtar, deri në momentin kur kam komunikuar me median nuk ka patur asnjë provë që të lidhte ngjarjen e parë me të dytën. Hetimi deri në momentin që kam patur komunikimin zyrtar me mediat, nuk janë gjetur provat që të lidhnin ngjarjen e parë me të dytën. Për shkak të sekretit hetimor do të doja të mos hyja në këtë pjesë, pasi prokuroria do të konkludojë më pas lidhur me këto dy ngjarje.

 

Artan Hoxha: A ka zona në kryeqytet të evidentuara nga policia në të cilat niveli i kriminalitetit është më i lartë nga ajo që ka në tërësi kryeqyteti? A është në gjendje Policia e Tiranës që të kontrollojë me të njëjtën mënyrë, të njëjtin standard, si periferinë dhe zonën brenda Unazës së Tiranës?

 

Ardian Çipa: Padyshim që policia është aktive dhe prezent në çdo skutë të kryeqytetit. Niveli i kriminalitetit është i ndryshëm dhe në bazë të kësaj analize ne bëjmë planin e dislokimit të forcave. Nuk paraqet problem ndërhyrja në asnjë cep të qarkut të Tiranës.

 

Artan Hoxha: Polici që ishte tek blloku nuk reagoi dhe nuk e arrestuan, ai që ishte në vendngjarje dhe reagoi u arrestua.

 

Ardian Çipa: Unë nuk thashë që ne kemi në çdo centimetër nga një punonjës policie, kjo është e pamundur.

 

Artan Hoxha: A janë drejtuar qytetarët, kryesisht biznesmenët, kur janë kërcënuar shantazhuar apo në adresë të tyre janë vendosur gjoba. Si është situata sepse ka qenë, por më duket se kur ka krizë ekonomike ka një lulëzim të krimit. Në këtë drejtim në ç’gjendje është situata?

 

Ardian Çipa: Policia ndërton punën në bazë të kallëzimit nga i dëmtuari dhe nisjes së hetimeve proaktive apo hetimeve në bazë të iniciativës së vet. Nuk ka asnjë rast kur biznesmenë apo qytetarë të tjerë të jenë kërcënuar dhe policia të mos e ketë çuar deri në fund. Nuk ka asnjë rast të vetëm kur qytetarët të kenë kallëzuar dhe ky rast të mos jetë ndjekur dhe autorët të jenë vendosur përpara përgjegjësisë.

 

Ferdinand Dervishi: Kam informacione për gjoba të fora ndaj bizneseve të fuqishme këta biznesmenë nuk denoncojnë çfarë ndodh nëse merrni informacione në rrugë informative?

 

Ardian Çipa: Duhet kallëzim nga i dëmtuari, që të ndërmarrim një hetim me Prokurorinë. Nuk ndodh të kemi informacione dhe të mos veprojmë. Për të gjitha rastet ku ka informacione policia është në veprim.

 

Artan Hoxha: Po a mund të kenë besim tek ju ata?

 

Ardian Çipa: Është rritur me 300% numri i telefonatave të qytetarëve tek policia, kjo tregon rritje besimi.

 

Etleva Deliaj: Për 15 ditë a u sqarua pozicioni i efektivit i mbetur i plagosur në atentatin e 5 dhjetorit?

 

Ardian Çipa: Ajo është një çështje në hetim, priten akte të tjera, do vendosë prokuroria për ecurinë e mëtejshme dhe për përgjegjësinë penale të efektivit. I takon prokurorisë të vendosë për fatin e tij.

 

Artan Hoxha: A i keni mbajtur në vëzhgim grupet kriminale?

 

Ardian Çipa: Kemi një serë operacionesh të suksesshme është një pyetje që e ka përgjigjen…

 

Ferdinand Dervishi: A i mbani në kontroll bandat?

 

Ardian Çipa: Strukturat e policisë janë aktive, përdorin të gjitha metodat, bashkëpunojnë edhe me partnerët ndërkombëtarë, kjo gjë u duk edhe në hetimin e fundit, kjo iu duk edhe në bashkëpunim me partnerët gjermanë.

 

Eni Vasili: Cështja Santo a do zbardhet ndonjëherë, deri ku është hetimi?

 

Ardian Çipa: Është një çështje në hetim intensiv, janë me intensive hetimet se sa informacionet që jepen në media. Do bëjmë të pamundurën për të dokumentuar autorësinë e kësaj vrasje.

Artan Hoxha: Në lidhje me ekzekutorët a ka të dhëna që jeni afër arrestimit të tyre apo ata kur të bëhet apeli do na dalin sikur mungojnë? Motori me të cilin udhëtonin ka dalë nga Tiranë?

 

Ardian Çipa: Hetimet janë intensive unë jam optimist për zbardhjen e kësaj ngjarje, ishte një krim i mirëorganizuar.

 

Eni Vasili: A dëshmoi policia paaftësinë e saj në rastin e vrasjes së Santos?

 

Ardian Çipa: Jo, policia ka bërë veprimet e duhura. Edhe në Paris u vranë 12 veta..

 

Eni Vasili: Po atje i kapën, madje i vranë..

 

Artan Hoxha: Në adresë të Santos ka pasur kërcënime të tjera?

 

Ardian Çipa: Jo, nuk kemi asnjë të dhënë për kërcënime të tjera të bëra më parë ndaj zotit Santo, kjo tregon edhe faktin që ai lëvizte lirshëm.

 

Artan Hoxha: Keni marrë masa për atë se si u larguan ekzekutorët nga Tirana pa rënë në gjurmët e askujt?

 

Ardian Çipa: Keqinterpretim, vetë itinerari i vrasjes ishte kompleks dhe e mirë përgatitur. Autorët e kryen krimin me paramendim, na ngelet ta hetojmë, ky është objektivi ndër më kryesorët.

 

Ferdinand Dervishi: Nga vajti ku motor, nuk u mor vesh kurrë…?

 

Ardian Çipa: Autorët janë ndjekur deri në destinacion nga policia..deri në momentin që dolën jashtë Tiranës. Aty i kanë humbur vëmendjes së policisë. Rruga që kanë ndjekur autorët është e mirëstudiuar që ti shmangeshin policisë.

 

Aurora Koromani: Drejtori tha se ishte optimist për zbardhen e ngjarjes. Kur flet për optimizëm kjo do thotë keni zbardhur motivin apo jeni afër autorëve? Thatë që policia nuk ka qenë e përgatitur, fakti që autorët lëvizën lirisht pa arritur të kapen nuk tregon që janë gjetur të papërgatitur?

 

Ardian Çipa: Hetimet janë intensive po ecin pozitivisht, jam shumë optimist. Zoti Santo lëvizte i lirë pa asnjë kërcënim, nuk kishte as dyshime se do t’i ndodhte ndonjë gjë. Po punojmë me prokurorinë për ta zbardhur.

 

Artan Hoxha: Na duhen dy ekzekutorë të gjallë, se të vdekur nuk na hyjnë në punë. Na thoni disa pista ku dyshohet?

 

Ardian Çipa: Është çështje në hetim të mos hamendësohet më tej.

 

Artan Hoxha: Një ministër është në mbrojte 100 metra larg Drejtorisë së Policisë, ka edhe politikanë të tjerë…

 

Ardian Çipa: Nuk kam informacione për një ngjarje të tillë.

Artan Hoxha: A ka pasur ndërhyrje politike?

 

Ardian Çipa: Kemi hapësirën e duhur për të marrë vendime të pavarura.

 

Aurora Koromani: Cilat janë zonat më të rrezikshme ku trafikohet droga në Tiranë?

 

Ardian Çipa: Problem janë përdoruesit. Në kryeqytet kemi një hartë përkatëse që përditësohet në bazë të goditjeve por edhe informacioneve të marra. Nuk mund të flas për vende konkrete.

 

Eni Vasili: Zonat e gjimnazeve janë me problematiket, a është kjo e vërtetë?

 

Ardian Çipa: Siguria në shkolla mbetet prioriteti ynë, parandalim shitjeve të narkotikëve në shkolla. Vazhdon puna hetimore për të mbajtur në kontroll institucionet arsimore.

 

Aurora Koromani: Efektivë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë janë edhe badigadë lokalesh nate, a është kjo e lejueshme?

 

Ardian Çipa: Nuk di për cilët individë e keni fjalën, një punonjës polici mund të bëjë dypunësim nëse ka kontaktuar me shefat e tij.

 

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama