Cmimi i energjise qeveria mes presionit te BB dhe elektoratit

Cmimi i energjise, qeveria mes presionit te BB dhe elektoratit

Operatori i Shpërndarjes ka tejkaluar afatet e dorëzimit të kërkesës për rritjen e çmimit të energjisë në ERE, i ndodhur nën presionin e qeverisë për mosrritje të tarifave dhe Bankës Botërore, e cila ka dhënë kredinë 150 mln USD me kushtin e rritjes 15-20 për qind. Çmimi, një patate e nxehtë në duart e qeverisë, që nuk mund t’u serviret qytetarëve në një vit elektoral

Kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ndaj konsumatorëve duhet të dorëzohej nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSSHE) qysh në shtator në Entin Rregullator të Energjisë, por kjo nuk ka ndodhur. Presioni i ndërkombëtarëve si FMN dhe Banka Botërore është që çmimi i energjisë për konsumatorët fundorë të rritet në 15 -20 për qind në fillim të vitit që vjen, por nga ana tjetër, porosia e qeverisë është që ndryshimi i tarifave të energjisë të mos shkarkohet tek konsumatorët. I gjendur nën këtë presion, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë (OSSHE) ende nuk e ka gjetur një zgjidhje sesi të rrisë performancën duke mos rritur çmimin, ndërkohë që afatet për dorëzimin e kërkesës në ERE janë tejkaluar.

Ahmetaj: Çmimi i energjisë nuk do rritet

Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ai i Energjetikës, Damian Gjiknuri, thanë javën që shkoi në emisionin “Opinion” se çmimi i energjisë nuk do të rritet për konsumatorët, madje ministri Ahmetaj këmbënguli disa herë për këtë fakt. Po javën që shkoi Banka Botërore miratoi një kredi prej 150 milionë dollarësh për rimëkëmbjen e sektorit energjetik në vend, ku kushti kryesor për disbursimin e saj është rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët 10-15 % dhe ulja e humbjeve në nivelet 30 për qind. Bazuar në këto zhvillime, po shihet qartë se qeveria është duke tentuar të shmangë një kosto të rëndë politike nga rritja e çmimit të energjisë dhe disa taksave të tjera ndaj konsumatorit dhe biznesit. Por, nëse do të zgjidhte këtë rrugë, sektori i energjisë do thellojë edhe më keq kolapsin financiar në vend. Vitin tjetër janë zgjedhjet lokale dhe nisja e vitit 2015 me rritje të barrës së jetesës nga taksat dhe tarifat ndaj qytetarëve nuk do të ishte një prezantim i mirë për qeverinë e rilindjes, që premtoi krejt të kundërtën gjatë fushatës elektorale. Shqiptarët ende janë në pritje të uljes së TVSH-së për energjinë në masën 6 për qind, por një rritje tjetër e çmimit më e pakta do të ishte një pakënaqësi ndaj qeverisë, ndërkohë që protestat në sfond po bëhen gati. E gjendur në këtë situatë, qeveria është duke vrarë mendjen për të ndryshuar tarifat e energjisë ndaj operatorëve të mëdhenj të tregut si OSHE, OST dhe KESH, dhe për të aplikuar një rritje të çmimit për biznesin pa shkarkuar rritjen në konsumatorët fundorë. Por sipas konsultimeve të deritanishme, nëse ndryshimi i çmimit nuk “shpërthen” te konsumatorët, skema do të gufoset dhe nuk do të prodhojë ulje të borxheve në të cilat janë zhytur kompanitë.

FMN dhe BB: Rritja e çmimit, kusht për kreditë

Rritjen e çmimit të energjisë si një kusht kryesor për miratimin e kredisë ndaj qeverisë shqiptare e ka vënë që në fillim të vitit Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërsa Banka Botërore e ka miratuar kredinë 150 milionë dollarësh për energjinë javën që shkoi, kundrejt kushtit për rritjen e çmimit mbi 15 për qind. Mirëpo autoritetet qeveritare po tentojnë t’i shmangen këtij kushti, duke synuar se do të ketë një luftë të ashpër për uljen e humbjeve në rrjet, e cila do të gjenerojë të ardhurat që duhet të merreshin nga rritja e çmimit. Banka Botërore njoftoi këto ditë se humbjet në rrjet janë 42 për qind dhe deficiti financiar i krijuar në sistem i kalon të 500 milionë eurot. Në dokumentin zyrtar për miratimin e kredisë, Banka Botërore vlerëson se tarifat duhet të rriten nga 15-20 për qind, të paktën për shpërndarjen, në mënyrë që në 2016-ën OSSHE të kthehet në kompani me fitim. Aktualisht, çmimi mesatar i energjisë elektrike për familjarët është 9.53 lekë për kilovat/orë, por Banka vlerëson se kjo tarifë nuk përfaqëson koston reale të sistemit. “Projektimet tregojnë që me investimet intensive, me tarifa që reflektojnë koston dhe menaxhim më të mirë, sektori mund të përmirësohet dhe kompanitë mund të kthehen në të shëndetshme financiarisht në një kohë të shkurtër. Gjithashtu, Fondi Monetar Ndërkombëtar kur miratoi kreditë 300 milionë euro për qeverinë për tri vitet në vijim, kërkoi rritjen e çmimit të energjisë, që sipas sugjerimit duhet të ndodhte në qershor të këtij viti. Mirëpo qeveria po shmang rritjen me shpresën se do të ulë humbjet e energjisë. Kjo rrugë duket edhe më e vështirë, po tashmë Kryeministrit i duhet të ndërmarrë një zgjidhje. Ose t’u hyjë më kosore lidhjeve të jashtëligjshme gati në gjysmën e familjeve shqiptare, ose të rrisë çmimin për gjysmën tjetër. Të dyja këto variante kanë kosto, por FMN dhe BB duan që të aplikohen të dyja. Jo më kot ish- kryeministri Berisha shmangu një marrëveshje të ngushtë me FMN-në dhe varësinë nga kreditë e BB-së pikërisht për të shmangur kostot politike.

Skenarët për rritjen e çmimit

Enti Rregullator i Energjisë është duke shqyrtuar opsionet e ndryshimit të tarifave në fillim të vitit që vjen. Kategoritë që do të preken më së shumti do të jenë veprimtaritë ekonomike në vend, por rritja duket se do të përfshijë edhe konsumatorët. Burimet nga Enti Rregullator pohojnë se janë në fazën e diskutimit disa variante, por të gjitha synojnë shmangien e ngarkesës te konsumatori, ose një rritje shumë të vogël me ritmet e inflacionit. Një nga variantet është edhe heqja e fashës mbrojtëse 300 kilovatorë në muaj, e cila është me çmim më të ulët. Por heqja e kësaj fashe rrit në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet tek të gjithë konsumatorët. Gjithashtu, ekspertët e rregullimit të tregut në ERE po mendojnë për një zgjidhje në rregullimin e tarifave ndërmjet shoqërive KESH-OST-OSHEE me ndikim të moderuar në rritjen e çmimeve të pakicës për klientët tariforë. Burimet nga Drejtoria e Rregullimit të Tregut konfirmuan se për herë të parë, ERE do të tentojë të mos pranojë humbjet si element i kompanisë. Kjo do të thotë që çdo ndryshim tarifash nuk lidhet me humbjet e operatorit të shpërndarjes ose më qartë, qytetarët që e paguajnë energjinë, nuk do të jenë të detyruar të paguajnë edhe për vjedhjet dhe humbjet në sistemin e shpërndarjes. Rregullimi i tarifave mes operatorëve është një skenar i njohur i ERE-s gjatë 4 viteve të fundit, pasi nuk janë ndryshuar tarifat për klientët tariforë, por vetëm ato ndërmjet shoqërive. Ky është një skenar i mundshëm, por që kërkon rishikimin e modelit ekzistues të tregut dhe deklaratës rregullatore që skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Sipas të dhënave nga ERE, rritja e propozuar është 5-10%, ndërsa tarifa aktuale e transmetimit të energjisë është 0.68 lekë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama