Cfare eshte vrima e krimbit?

Cfare eshte vrima e krimbit?

Shumë kanë dëgjuar rreth vrimave të zeza, të cilat janë formacione të cuditshme që hasen në univers. Sipas studimeve, një vrimë e zezë formohet pas shkatërrimit të një ylli dhe karakterizohet nga forca tërheqëse gravitacionale shumë e madhe, aq e madhe sa është në gjendje të gllabërojë cdo planet, asteroid apo cfarëdo objekti me bazë atomike që gjendet aty pranë. Nëse Toka do të ishte pranë një vrime të zezë atëherë fati ynë me shumë gjasa do të ishte katastrofik. Por cdo të ndodhte nëse Toka do të gjendej pranë një vrime krimbi? Në këtë rast jeta jonë do të ishte shumë më interesante.

Ndryshe nga vrimat e zeza, vrimat e krimbit kanë një natyrë tjetër. Ato konsiderohen si korridore hipotetike të cilat mundësojne udhëtimin përmes hapësirë-kohës (Taylor Redd, 2015). Hapësira duhet kuptuar si rrjeta jeshile e paraqitur në figurë, ndërsa koha si faktori që e modelon këtë rrjetë. Kështu nëse rrjeta është e sheshtë do të thotë se koha rrjedh sipas një sensi të ngjashëm me mënyrën sesi koha kalon përgjatë viteve të jetës së gjithsecilit prej nesh. Nëse rrjeta është e sheshtë, pika A dhe pika B ndodhen në një distancë të caktuar dhe për të shkuar nga njëra pikë tek tjetra nevojitet të përshkruhet e gjithë kjo largësi. Deri këtu flasim për ligje fizike të thjeshta që i hasim në jetën e përditshme. Por c’ndodh nëse rrjeta e sheshtë fillon të shformohet? Në këtë pikë ndryshon mënyra sesi koha rrjedh dhe vihen re dukuri që janë shumë larg eksperiencave të përditshme. Vrimat e krimbit mendohet se janë një nga faktorët kryesorë që shformojnë rrjetën hapësirë-kohë. Në momentin që shfaqet një dukuri e tillë, distanca midis dy pikave bëhet shumë herë më e vogël dhe koha nuk rrjedh më si më parë. Hipotetikisht kjo do të thotë që mund të përshkohen distanca shumë të mëdha për një kohë cuditshmërisht të ulët, madje shkohet deri tek ideja e udhëtimit në kohë.

Si është e mundur e gjitha kjo? Koncepti është i thjeshtë. Nëse dy pika ndodhen në një distancë shumë të madhe nga njëra-tjetra, atëherë për të shkuar më shpejt nga pika A në B, nuk rritet shpejtësia e lëvizjes, përkundrazi manipulohet hapësira midis këtyre dy pikave; duke i sjellë shumë afër krijohet mundësia për të kaluar për një kohë shumë më të shkurtër nga një pikë tek pika tjetër. Kjo është ajo që ndodh kur në univers krijohet një vrimë krimbi. Koncepti bëhet disi më i vështirë nëse imagjinojmë të kalojmë nga pika A për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Në këtë rast pozicioni është i njëjtë dhe hapësira nuk shformohet. Ajo që shformohet është koha. Në vijmë në të njëjtën pike, por në një kohë që i përket të shkuarës, apo të ardhmes. Duke u nisur nga kjo ide, nëse një vrimë krimbi do të shfaqej pranë Tokës, ne do të mund të udhëtonim përmes saj, për të arritur përsëri në Tokë, por kësaj rradhe në epokën e dinosaurëve. Padyshim që jeta jonë do të bëhej shumë interesante në prani të një korridori të tillë ndërhapësinor.

Ajo që dihet me siguri rreth këtyre korridoreve është fakti se udhëtimi përmes tyre, nëse do të ishte i mundur, shoqërohet me një rrezik të madh të mbylljes së tyre të paparashikuar, të rrezatimit të madh radioaktiv apo rreziku nga kontakti i konsiderushëm me elementët “ekzotikë”1 të materies.

Zbulimi teorik i vrimave të zeza e ka burimin mbi studimet e Einstein dhe Nathan Rose, arsye për të cilën shpesh herë vrimat e krimbit referohen si urat e Einstein-Rose. Këto ura ekzistojnë vetëm në kalkulime matematike, përfundimet e të cilave flasin për përmasa shumë të vogla të tyre, që kapin vlera mikroskopike 10-35 m (Barbier, 2001). Zgjerimi i vazhdueshëm i universit, ka nxitur idenë që mund të ekzistojnë edhe ura kalimi të përmasave më të mëdha.

Matematika është arma më e fortë për të studiuar universin. Nëse vrimat e krimbit ekzistojnë sipas llogaritjeve matematikore, atëhere është cështje kohe observimi i tyre konkret. Pavarsisht kësaj, pranimi i ekzistencës së tyre hap një numër të madh pyetjesh të tjera. A janë vrimat e krimbit ndërhyrje artificiale, që nxisin universin të kundërveprojë për shkatërrimin e tyre? A janë ato një përpjekje për të mundësuar udhëtimin në destinacione të pamundura duke ndryshuar ligjet e fizikës? Cfarë e shtyn universin të ruajë një formë ekuilibri të tillë që shkon kundër korridoreve ndëryjore? Ajo që mund të bëhet sot janë vetëm pyetjet.

Materia ekzotike nuk duhet ngatërruar me materien e zezë apo me antimaterien. Ajo është e ngarkuar me densitet dhe presion të lartë negativ të energjisë. Një lloj i tillë i materies është studiuar vetëm në gjendje të caktuara në vakum, si pjesë e teorisë së përgjithshme të fizikës kuantike./wespeakscience.com/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama