Cfaka ose Gjirokastra e panjohur

Cfaka, ose Gjirokastra e panjohur
Përballë nesh mbi kryet tanë lartësohet kalaja e lashtë dhe Gjirokastra e vjetër, ajo e shtëpive-kull, e aneve, e Sikakut të të marrve. Në fakt neve na duket sikur jemi në një qytet tjetër, sikur ende nuk kemi mbërritur në Gjirokastër, në atë të vërtetën. Atë për të cilën shkruan Kadareja. Në anë të rrugës së madhe në një lokal të thjeshtë, krejt ngjitur me Pallatin e Sportit, dy burra kanë nisur një lojë të gjatë shahu. Lojtarët janë vërtet dy, por njerëzit që u japin mend janë aty diku 20 vetë. Po presim të mbarojë punë një mik i vjetër. Sokol Karaulli, ish-ushtarak, më pas i aktivizuar në politikë në lëvizjet antikomuniste, ndër më të parët në Gjirokastër, tani jeton nga një lokal i vogël, i thjeshtë, ku mblidhen më së shumti miqtë e tij. Koli jeton në Cfakë, në lagjen që është pas kalasë. Jetë e mot jemi mësuar ta shohim Gjirokastrën nga para. Ndër foto, ndër albume, ndër libra dhe gazeta, pamja e saj klasike është po ajo: Qafa e Pazarit, Shtëpitë e Angonatëve, Zekatëve, Sokaku i të Marrëve… Vetëm rrallë, shumë rrallë i kemi hedhur sytë në pjesën jugore të Gjirokastrës. Kështu vendosim që të shkojmë në Cfakë. Bashkë me ne sigurisht është edhe Koli, lindur e rritur në Cfakë.

Te Shkëmbi i Argjirosë

Kolit i duken të gjitha normale. "Ju duhen foto nga Shkëmbi i Argjirosë mo?", pyet ai fare natyrshëm. Neve sigurisht që ndalojmë bri një shkëbi të madh pak metra larg mureve të kalasë hijerëndë. Sipas asaj që kanë rrëfyer të moçmit e këtyre anëve, pikërisht nga ky shkëmb u hodh poshtë në rrëpirë e bukura Argjiro bashkë me foshnjen motake, vetëm e vetëm që të mos binte në dorë të turqve. Tani poshtë në përrua nuk pipëtin asgjë. "Ta shihni në dimër këtë ju!", thotë Koli dhe kështu vazhdojmë më tej. Mbi një urë miku ynë i ndal këmbët. Këtu po nisim të hyjnë në lagjet e vjetra - thotë Koli - Kjo quhet Ura e Aqif Zerzebilit. Ky, në kohë të moçme ka qënë një pasanik që donte të lidhte Manalatin dhe Cfaknë me pjesën tjetër të qytetit. Kështu që ndërtoi këtë urë". Ura duket se ka kaluar disa duar. Një shtresë e rëndë betoni është hedhur mbi harkun e brishtë që ndërtoi dikur Zerzebili që nuk i harrohet emri.

Histori dashurie në Stalingradin e Gjirokastrës

Vetëm pak minuta pasi kemi lënë pas krijesën e Zerzebilit të famshëm kemi mbërritur në grumbullin e parë të shtëpive të Cfakës. Koli nis sërish të shpjegojë: Kjo që kemi përballë është shtëpia e Ali Hashos. Ky ka qenë një nga më të pasurit në Gjirokastër. Saraf u thoshin asokohe. Ka bërë tregëti, në të gjithë Europën. Thuhet se ka luajtur shuma të mëdha deri në Monte Karlo. Në kohën që erdhën komunistët në fuqi ia morrën të tërë pasurinë". Përballë nesh kemi shtëpinë e madhe të familjes Puto. "Këta kanë qenë agallarët e Cfakës. Refat Puto kishte këtu një kopleksh banesash dhe një furrë buke. Ishte i kamur, kishte shumë bagëti. E kujtojnë për mirë. Pati bërë shumë ndere, sidomos të të vobektit", thotë Koli me të njejtin respekt sikur zotërinjtë e vjetër të jenë ende brenda.

Sillemi një copë herë përmes shtëpive të Cfakës që janë bërë disi të çuditshme. Janë njëherazi edhe fort të vjetra, edhe shumë të reja. Mbi ndërtesat shumëshekullore betoni dhe duralumini ka nisur të mbizotërojë. "Përse dallon Cfaka nga lagjet e tjera?", e pyesim Kolin ndërsa endemi mes rrugicave të lagjes së vjetër. "Ua them unë - vjen përgjigjja shpejt e shpejt - Rami Asqeriu, nga kjo lagje ka qenë një bixhozçi i famshëm. I njohur edhe në Monte Karlo. Pastaj, Isuf Asqeriu, ishte i pari që solli bilardo në Gjirokastër, Bajram Kasi ka sjellë të parin autobus në këtë qytet, po kështu i njohur ka qenë edhe Selfo Çoçoli, latifondist i madh, njeri shumë i zgjuar…".

"Këtij vendi këtu dikur i thoshin me krenari Stalingradi i Gjirokastrës, kështu e kishte emrin dhe rruga. Stalingrad i thoshin se gjermantë në kohën e Luftës së Dytë Botërore nuk para erdhën këndej. Po ç‘do bënin gjermanët këtu more ditëzi!"

Sido që të jetë historia e "Stalingradit të Gjirokastrës" shtëpia e Kolit, shokut tonë, qëllon bash në zemër të saj. Nëna e tij, Sofia na pret në pragun e shtëpisë. Poshtë një pjergulle me sytë nga qielli se mos na zë shiu nisim e kujtojmë histori të vjetra. Nënë Sofia nuk është gjirokastrite. Më e saktë është të themi nuk ka lindur në Gjirokastër. "Unë jam nga Berati, nga një familje e krishterë. Ne jemi vllehë, çobenj sikur i thoni ju tashti - nis të thotë duke picërruar sytë e kaltër njësoj sikur të lexojë në një libër kujtimesh - kam mbetur jetime që e vogël. Në vitet ‘50 punoja në postën e Kuçovës. Atje e kam njohur babanë e Sokolit. Ishte i pashëm, me flokët kaçurrela dhe me mustaqe. U deshëm dhe çuam bashkë një jetë të tërë. Me vuajtje, po jemi dashur shumë. Ai ishte teknik antenash. Këtë profesion e kishte mësuar në Itali. Kur i shkrepej diçka në mendje do ta arrinte se s‘bën. Një herë i thanë të vinte një flamur sovjetik në majë të një antene. Ishte punë me rrezik për kokën. Ky e vuri. Më duket se asokohe do vinte Malenkovi. Por erdhi puna që u prishëm me rusët dhe flamuri duhej hequr që andej. Flamuri mbeti me muaj atje. Askush nuk kish më guxim që të ngjitej atje ku ishte ngjitur im shoq. I tillë ishte…".

Karaullët paskan ardhur para shumë shekujsh nga Arabia. Të paktën kështu u është Kolit dhe të tjerëve nga paraardhësit e tyre. Ne çuditemi kur shohim flokët bjondë dhe sytë e kaltër të shumicës së pjestarëve të familjes por ata ngulin këmbë. "I pari ynë ka qenë një Haxhi Karaj, arab - këmbëngul Koli - ky bashkë me të vëllanë kanë qenë nga ato roje që në hyrje të sallës së pritjes së pashait mbanin shtizat e kryqëzuara. Pastaj historia ka vazhduar si e tërë kësaj lagjeje. Ne kemi qenë dikur si periferia e Gjirokastrës dhe të parët merreshin edhe me bujqësi edhe me blegtori. Vonë, gjyshi im Musai punoi si kafexhi".

Jemi krejt përballë anës "së padukshme" të kështjellës së Gjirokastrës. Dikur kësaj ane, që shërbente si burg i thonin "te shtatë dritaret". Shtatë dritaret i kemi krejt përballë dhe nënë Sofisë i kujtohet një histori e vjetër. "Kemi plot histori me ato dritaret - thotë - Por ajo që më ka mbetur në mendje është ajo e Haki Karullit, kushëririt të tim shoqi. Jetonim bashkë në këtë shtëpi të madhe. Ai ishte i shkolluar. Kishte mbaruar akademinë për ushtarak në Modena dhe punonte si oficer. Kur kapitulloi Italia ai doli partisan me brigadën e VIII dhe ka luftuar deri në Vishegrad. Pas Çlirimit punoi si shef finance, por një letër anonime e mori në qafë. E dënuan me dhjetë vjet burg. Nga kjo shtëpi ai shkoi njëqind metra më tej, në birucë në kala. Nga dritarja shikonte njerëzit e tij, vajzën, prindërit. Familjarët me anë të një litari i çonin bukën çdo darkë. Kur i vdiq e ëma ai e pa tërë funeralin nga penxherja. Kishte raste kur na thërriste që andej, kështu merreshim vesh. Ka qenë një burg i çuditshëm. Ky kushëri pasi doli nga burgu jetoi gjithë jetën duke punuar si këpucar".

Me burgun nuk do të ndahemi dot aq kollaj. Vetë shtëpia ku ndodhemi ka qenë dikur burg për gratë. Kolit i kujtohet një këngë e vjetër. "Elmazi, motra e vëllait, more hakun e babait. Kështu kanë kënduar dikur për një vajzë që pasi u rrit vrau vrasësin e të jatit", thotë ai.

Nga Partizani te Kapodistria

Ca më tej shtëpisë së Kraullëve Koli thërret të zotët e shtëpisë. "Këtu jemi në Çoçolatët, na thotë ai ndërsa jemi duke u ulur në oborrin e mbushur me lule. Ne atëherë kujtohemi se mbase kemi hyrë pa e ditur në shtëpinë e një kolegut tonë, Genti Çoçolit. Dyshimi kthehet në bindje kur shohim portretet e prindërve të Gentit. Jemi vërtet duke punuar në shtëpinë e një kolegu. Retë kanë nisur të dendësohen dhe ne hyjmë brenda në shtëpinë e gurtë.

Këtu takojmë vëllezërit Vedat dhe Lavdërim Çoçolin. Historia e origjinës nga Arabia përsëritet edhe një herë. Sipas vëllezërve një farë Aliu kishte mbërritur në Cfakën e dikurshme. Ishte arab. "Ky duhet të ketë qenë i shkurtër - thotë Vedati - ndaj edhe e quajtën Ali Kuçuku, që do të thotë i vogël, kështu ka nisur historia e familjes tonë, derisa u krijuan tetë familje Çoçolate që janë shpërndarë sot kudo".

Vedati na rrëfen një tjetër histori. Ai na kujton një emër që kishim nisur të harronim: cigaren "Partizani". Për 39 vjet ka punuar si "harmanxhi", profesion që e ka trashëguar nga i jati. Kjo fjalë e vjetër turke do të thotë degustue duhani. "Për cigaren Partizani - na thotë - përdoreshin deri në 12 lloj duhanesh të ndryshme. Ne ishim shtatë vetë që e thithnim cigaren njëri pas tjetrit për të dhënë lejen që të hynte në prodhim. Këtë punë e kam bërë deri sa dola në pension". Ne kuriozohemi dhe e pyesim nëse e kanë pasur jetën e gjatë këta të shtatë që thithnin cigare pa pushim, nga halli dhe jo nga qejfi, sikurse na ndodh neve. Vedati mendohet një herë dhe thotë: Mirë kanë jetuar, sepse në behar e bënim pushim. Disa e linin cigaren. Po ajo ishte bërë tashmë pjesë e jetës tonë. Po varet nga duhani që pi, nga asgjë tjetër. Unë vetë kam 5 vjet që e kam lënë". Ngushëllohemi disi dhe e thithim fort një cigare. Mbase kjo që po tymosim "hin" të ato të mirat.

Shiu ka nisur të ndjehet. Disa pika të mëdha bien mbi aparatet tanë, duke na frikësuar neve, por duke e bërë edhe më të bukur Cfakën e gurtë. Një shtëpi e madhe disi më tej Çoçolatëve mban ende shumë të dukshme tabelën "Monument Kulture. Mbrohet nga Shteti". Është shtëpia që këtu i thonë e "Kurtatëve", që do të thotë e familjes Kurti. Shtëpia hijerëndë është krejt e heshtur. "Vetëm një çift të moshuarish jeton në të", thotë Koli duke ngritur shpatullat. Ca më tej është një vend i shenjtë, mekam. Këtu është varrosur një sheh, Baba Arshiou dhe njerëzit besojnë se nderimet që i bëhen varrit të tij u sjellin fat në jetë.

Kërkojmë edhe ne ndonjë copë fat, por porta e hekurt është e mbyllur. Shiu ka nisur të nevrikoset ca dhe kështu shpejtojmë të hyjmë poshtë një tjetër porte të madhe. Këtu takojmë një tjetër vëlla të Çoçolëve dhe gruan e tij poete. Këta banojnë në shtëpinë e familjes Beja, nga ka dalë edhe politikani Fatos Beja. Këtu dëgjojmë një tjetër histori. Jo vetëm Sokoli, por edhe banorët e shtëpisë janë krejt të bindur: Johanis Kapodistria, presidenti i parë i Greqisë ka lindur pikërisht këtu. "Kështu na kanë thënë të parët brez pas brezi", këmbëngulin miqtë tanë. Shtëpia është madhështore, duket si një anije e rëndë që ka mbetur në breg, por që nuk jepet.

Shiu vazhdon të bjerë mbi mejdanin e Cfakës. Trokëllima e tij e bën edhe më gri gurin e vjetër të kalldrëmeve. Ndërsa ne vazhdojmë të tymosim në shtëpinë e Kapodistrias me idenë se duhani kësaj radhe nuk do të na bëjë edhe aq keq.



Gazeta Shqip
FATOS BAXHAKU

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama