Ceremonia mortore e uzines se florit shqiptar

'Ceremonia mortore' e uzines se florit shqiptar
Dikur aty prodhoheshin 1, 5 kuintalë ar në lingota në vit, që më pas dërgohej për në bankën e Shtetit.

Edhe sot për të hyrë aty, na duhet të presim kërcitjen e 3 palë çelësave. Pavarësisht se Uzina ka vdekur, procedurat nuk kanë ndryshuar dhe çelësat i mbajnë 3 punëtorë-roje të ndryshëm.

Krenaria e industrisë shqiptare, aty ku prodhohej bakri i pasur shqiptar, e më pas merrte udhë për të prodhuar telin e Shkodrës, por dhe ku çdo vit afro 1, 5 kv ar në linkota dërgohej për në bankën e Shtetit, tashmë ka ul kokë, dhe prêt dedikun e “ceremonisë mortore”, me ç‘rast e artikulojnë “demolim”!

Gjithçka ka heshtur në atë vend buzë lumit Fan përballë qytetit të vogël të Rubikut, repartet e zhurmshme të qindra punëtoreve nga më të specializuarit në Ballkan për prodhim bakri blister dhe të metaleve të cmuara, tashmë janë në agoni të plotë dhe vetëm gjinkallat përreth duket se këndojnë “kangën e trishtimit”.

Pashk Marku, “mohikani i fundit” drejtues i uzinës së Rubikut, i ardhur si inxhinier këtu që në moshën 23 vjeç, tashmë që po i afrohet të 60-ve tashmë drejton vetëm nja katër-pesë roje në një uzinë që repartet e saj i ka kthyer në magazine dhe “varreza” makinerish, nëpër të cilat ka kaluar konvejeri i përpunimit dhe rafinimit të bakrit deri në produktin e fundit, bakër dhe metale të çmuara.

“E humbëm në betejën tonë për ta ruajtur uzinën, për t’ia përshtat tregut të hapur, edhe pse u nënshkruan tre kontrata me kompani të huaja të interesuara për zhvillimin e industrisë së bakrit në vendin tonë. Tani jemi në likujdim në kuadër të Albakrit”, rrëfen i pezmatuar Pashku.

Ecim si Shvejku “fronteve” pa ushtarë…!

Kalojmë në repartet e kësaj uzine, duke nisur nga reparti i bimetalit, aty ku prodhohej një aliazh prokat, çelik me dy fletë bakri mbuluar nga sipër që përdorej për industrinë e mbrojtjes, me çelikun dhe tunxhin e këtushëm  prodhonin gëzhojat në Poliçan. Reparti ku punonin mbi 50 punëtorë hesht, punëtorët roje i kanë ruajtur makineritë për dy dekada me idenë se një ditë mund të vazhdojë kjo punë, ndaj makineritë janë konservuar të paprishura, por gjithçka rezultoi një iluzion. Tashmë ai vend është kthyer në magazina të mëdha ku mblidhen material e makineri nga gjithë filialet e Albakrit.

I biem përmes rrugës kryesore me trotuare të hijshme dikur. Repartet janë të vendosura për anash një ambjenti të jashtëm i cili të mahniste për planvendosjen e kësaj uzine, me rrugët, rrugicat, pemët dhe lulishtet e shumta, gjithçka shkon sot drejt shkatërrimit të plotë. “Kishim një brigadë të tërë që kujdesej për këto ambjente,ndaj gjithçka ndriste këtu,” thotë drejtori.

Anash rrugës kryesore shihet reparti i petëzimit të ftohtë, ku petezohej tunxh për prodhim fishekësh, një teknologji kineze e viteve 1965-66. Më poshtë vjen kaldaja e madhe që furnizonte me avull gjithë repartet, por që ishte në gjendje të furnizonte gjithë qytetin e Rubikut, projekt që mbeti thjeshtë si ide në kokën e inxhinierëve novatorë edhe pse dimrat e këtushëm kanë qenë të ashpër.

Reparti i elektrolizës është vendosur poshtë rrugës kryesore. Dy repartet, elektroliza dhe ai i rafinimit me flakë ishin  “zemra” e kësaj uzine. Këtu përpunohej bakri i ardhur nga fabrikat e shkrirjes, metalurgjia, që sot nuk i ka mbet as nami e as nishani, madje dhe oxhaku kryelartë është zhdukur nga faqja e dheut para pak vitesh.

Reparti i elektrolizës ka pamjen e një varreze të madhe të sistemuar simetrikisht me vaskat, që si për ironi të fatit japin pamjen e arkivolëve! Por këtu ishte vendi i punës intensive deri para disa vitesh, na rrëfejnë rojet. Sot heshtje varri! Prodhohej asokohe rreth 15 ton bakër në ditë. Punohej në ambjente acidi dhe temperature të larta, sidomos në muajin e verës, por punëtorët ishin entuziastë dhe shpërbleheshin mirë për kohën.

Inxhinieri drejtor na shpjegon se këtu prodhohej bakri katodik me 99,95 përqind bakër. Së bashku me Uzinën e Laçit prodhonin rreth 15 mijë tonë. Më tej i gjithë bakri katodik grumbullohej në Rubik ku bëhej rafinimi me flakë. Bakri i rafinuar vajerbas i përftuar dërgohej për prodhimin e telave në Shkodër. Meqenëse uzina ishte më e specializuar dhe duhej një punë më e hollë, dora e fundit e gjithë bakrit nga Shqipëria i jepej në Rubik.

Tek reparti i shllamit

Pikërisht në këto vaskat e elektrolizës, dilte lënda e parë për arin dhe metalet e tjera të çmuara. Jemi pikërisht në atë që quhej “reparti i sllamit”! Edhe sot për të hyrë aty, na duhet të presim kërcitjen e 3 palë çelësave, procedura    edhe sot çelësat nuk i ka vetëm një punëtor-roje, por tre ashtu si dhe vite më parë. Metalet e cmuara janë ruajt me fantizëm, me specialist e punëtorë të besuar ekstrem, dhe me kontroll të imtë.

Ky vend kishte marrë fuqinë e mitit, thotë Pashku, dikur më pyesnin punëtorët jashtë a njerëz të mij të afërt: “a e prek me dorë arin?” Ata nuk e dinin se pa e prekur me dorë ai nuk prodhohej, por ishte hermetizmi i mitit që na ka shoqëruar për dekada të tëra. Procesi teknologjik këtu kërkonte kualifikim shumë të lart. Ka procese delikate, ndaj zgjidheshin më të talentuarit e më të diturit e fushës. Këtu shllami trajtohej, përpunohej dhe shkrihej dhe ai në ca forma e më pas kalonte në elektrolizën e arit. Merrej ari i pastër dhe përsëri mbetej një shllam dhe një solucion i pasur me metalet e grupit të platinit. Ari prodhohej në standart kurse mbetjet trajtoheshin sërish për të prodhuar kripa platini e paladiumi të cilat kalonin në treg. Këtu prodhohej ari, argjendi, platini, palladiumi, seleni. Gjithsesi, tej legjendave urbane, Pashku thotë se ari në prodhimin e përgjithshëm të ndërmarrjes, kishte një vlerë jo aq të madhe sa përflitet, ishte produkti i bakrit që dërgohej për tela që e kishte këtë vlerë të jashtëzaksnshme.

Magazinimi i arit

Jemi në repartin e shllamit të elektrolizave, ku përfundonte procesi i prodhimit të arit, këtu bëhej dhe administrimi, peshohej, standartizohej, ambalazhohej dhe bëhej gati për në destinacion. Në asnjë ambient këtu nuk mund të lëvizej vetëm, por vetëm në grupe me tre vetë. Për efekt të ruajtjes dhe administrimit të këtyre vlerave kishte një rregullore të përpunuar me firmën e ministrit.

Sektori elektrolitik i arit  dhe argjendit ka mbetur si ditën e fundit kur çdo gjë, makineri e proces, pushoi! Këtu durometali derdhej në ca forma të veçanta, f utej në vaska të posaçme dhe rafinohej, pastrohej, argjendi dilte shumë i pastër në formën e një pluhuri, merrej dhe shkrihej në një furrë tjetër, kurse shllami që precipitonte merrej dhe përdorej si lëndë e parë për prodhimin e arit. Duket ende një furrë induktive ku futej metali në poçet e grafitit, si argjendi ashtu dhe ari shkriheshin dhe derdheshin në lingota.

Këtu prodhohej 120-140 kg ar në vit, 1,5-1,7 ton argjend, 4-5 ton selen dhe disa tonelata minerale të tjera të çmuara. Ari dhe argjendi dorëzoheshin ne Banken e Shtetit kurse seleni në tregun e hapur për eksport.

“Dhoma kasafortë…”

Është tejet e ngushtë, por krejt e padepërtueshme, tamam si një bunker, pa dritare, vetëm një derë të blinduar që dhe sot hapet me një çelës kod dhe tre palë çelësa të tjerë. Kodi i asaj kohe mbahej nga drejtori, ndërsa kodi operativ nga përgjegjësi i turnit. Edhe këtu rreptësisht hyhej jo më pak se tre vetë, administrimi i arit dhe argjendit bëhej nga përgjegjësi, inxhinieri dhe magazinieri i repartit.

Në një raft duket peshorja me saktësi deri në 10 të mijtat e gramit, që peshonte deri në 20 kg. kjo peshore mbart lavdinë e të peshuarit të gjithë floririt dhe argjendit shqiptar. Vitet e fundit pati një sistem monitorimi me kamera ku janë stivuar  një dyzinë kasetash VHS të ruajtura me kujdes edhe sot.

Lëvizja e floririt bëhej me eskortën e Bankës së Shtetit. Vitet e para kryhej nga vetë Uzina, ndërsa vitet e fundit me punonjës të Bankës por shoqëruar me tre punonjës të kësaj uzine, me policë, etj. Mbi lingota stampohej “Uzina e Bakrit Rubik” përmes një vule që ruhet ende në një qoshk aty!

Statistikë që flet…

Industria e bakrit në vend prodhonte çdo vit:

1 milion ton mineral bakri e piriti

50 mijë tonë koncetrat bakri

12-15 mijë ton bakër elektrolitik

8 -10 mijë ton tela dhe kabllo

20-25 mijë ton acid sulfurik

3-4 mijë ton tunxhe dhe bronze, etj

12 mijë të punësuar

1,5-2 milion dollarë neto përfitoheshin nga metalet e çmuara

1 ton bakër për 100 banorë realizon Polonia (prodhuese e dytë në Europë) me rreth 400 mijë tonë në vit

1 ton bakër për 200 banorë realizonte Shqipëria

Të humbtë vula!…

Një vulë ruhet ende aty në dhomën kasafortë. Me atë vulë për dekada të tëra është stampuar mbi linkota floriri: “Uzina e Bakrit Rubik”, por nëse nuk e ka më vlerën e atij stampimi të përditshëm, së paku duhet të ketë një vlerë historike. Më së paku, ky repart i fundit mund të ishte një muze bakri dhe floriri për industrinë që “çau bllokadën” për 50 vite.

Makinat e kompanive të huaja që u ra fati nga shitja e minierave nuk do hyjnë më në portën e kësaj Uzine-legjendë, pasi me siguri do kalojnë përmes autostradës së re të ndërtuar bri kësaj uzine. Minerali i maleve shqiptare shkon drejt e ne në fabrika të huaja bashkë me bakrin e pasur, por dhe floririn shqiptar e metale të tjera të çmuara që barku i pasur i nëntokës i mban prej mijëra vitesh. Së paku një muze të bakrit këtu në uzinën e krenarisë së industrisë shqiptare, do ishte përligjja e mundit të mijëra gjeologëve, minatorëve, flotuesve, rafinuesve, metalurgëve, te burgosur politikë që punuan në të vetmin burg-minierë të Europës, punonjësve e drejtuesve të një gjenerate të tërë të lidhur pazgjidhmërisht me bakrin. Që kësaj uzine dhe këtyre brezave më së paku, mos t’u thuhet: Të humbë vula!

Vula e historisë mitike të bakrit dhe arit shqiptar!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama