Cameria si nje ceshtje shkencore

Cameria, si nje ceshtje shkencore

Çamëria nuk është një çështje vetëm politike. Para se të jetë e tillë, ajo është çështje shkencore. Historianët dhe studiuesit kanë gjithmonë fjalën e tyre për të thënë për Çamërinë. Është thënë shumë, por nuk është thënë gjithçka dhe jo ashtu siç duhet. Projekti “Çamëria, si një çështje shkencore” nga Qendra Kërkimore “Ligji, Norma dhe Tradita”, pranë Fakultetit Juridik në UET, e cila drejtohet nga Nevila Nika, ish-drejtoreshë e Arkivit të Shtetit, po synon të sjellë një pasqyrë të qartë shkencore, me botime të autorëve shqiptarë dhe të huaj dhe me përkthimin në anglisht të studimeve për Çamërinë. Libri që kjo qendër ka mbështetur së fundmi është “Historia e Çamërisë”, i një prej historianëve më të shquar, Kristo Frashërit. Libri vjen si botim i UET-Press dhe promovohet sot në Hotel “Tirana”, në orën 18:00.

Znj. Nika, Qendra që ju drejtoni ka mbështetur botimin e librit më të fundit të historianit Kristo Frashëri për Çamërinë, çfarë sjell të re ky libër?

Prurja më e fundit në historiografinë tonë, libri i Kristo Frashërit, është padyshim një ngjarje. Gjithmonë kur kemi rastin të kemi libra të tillë në dorë, jo vetëm të profesorëve të nderuar si ai, por dhe të tjerëve, të gjithë jemi të “uritur për ta lexuar”, sepse realisht mendojmë që vjen diçka e re. Aq më shumë kur bëhet fjalë për trevat e mbetura jashtë kufijve politikë të Shqipërisë. Pas ardhjes së pluralizmit, humbëm pak nga ai vrulli për t’i mësuar këto ngjarje sepse ndërkohë pati zhvillime të tjera dhe natyrisht në gjithë këto vite na u desh të qetësohemi, për të filluar të rishijonim kënaqësinë e të lexuarit një libër nga dikush që ka një përvojë shumë të gjatë. Kur jeton shumë ke shumë për të treguar, aq më tepër që profesor Kristo Frashëri ka qenë aktiv gjatë jetës së vet. Trojet e mbetura jashtë kufijve politikë, ishin gati gjysma e sipërfaqes dhe gjysma e popullsisë. Tashmë nuk është më gjysma e popullsisë, sepse një pjesë jo e vogël kanë lëvizur dhe emigruar për shkaqe ekonomike dhe politike. Sa i takon pjesës së krahinave shqiptare të ngelura në Greqi, Çamëria është një prej tyre, së bashku edhe me disa zona të tjera në kufirin juglindor të Shqipërisë. Për publikun, ky libër është i fundit në radhë, pasi UET-Press ka botuar edhe më parë një përmbledhje artikujsh nga Romeo Gurakuqi dhe një libër tjetër nga Mentor Nazarko, të cilët i kanë ardhur në ndihmë lexuesit të thjeshtë që do të informohet mbi këtë gjë, qoftë edhe atyre që duan të merren me këto studime. Historia të gjithëve na pëlqen, por pak dinë ta shkruajnë. Historia të gjithëve na pëlqen, por pak dinë ta tregojnë të vërtetën. E vërteta e mundon historianin. Është një peshë e rëndë që mban në kurriz gjithë jetën për të rrëfyer të vërtetën. Por që ta rrëfesh të vërtetën dhe të arrish atje duhet një punë voluminoze, duhet të mbyllësh portat dhe të fillosh të shkruash me mendje të qetë. Nisma për të botuar librin është gjë e mirë dhe ky nuk është i fundit, përkundrazi do të vijojmë me të tjera botime të rëndësishme.

Çfarë është Qendra “Ligji, Norma dhe Tradita” dhe cili është synimi i projektit të saj më të ri mbi Çamërinë?

Qendra është si një departament brenda Fakultetit të Drejtësisë dhe quhet “Ligji, Norma dhe Tradita”. Tradita është fjalë më e gjerë sesa norma dhe ligji; aty brenda futet dhe historia. Qendra funksion prej vitesh, por prej pak kohësh mua më është ngarkuar përgjegjësia që ta drejtoj dhe bashkë me mua janë edhe disa të rinj, të cilët janë inkuadruar me shumë dëshirë dhe pasion. Qendra ka marrë nismën që duke filluar nga libri i profesor Frashërit të ketë edhe disa arritje të tjera. Në drejtim të njohjes të së kaluarës së ngjarjeve në këto krahina, por edhe të së tashmes. Kështu që kemi kaluar në hartimin e një projekti, që krahas botimeve shkencore, siç është libri i profesor Frashërit, të ndërmarrim një kërkim me themel nëpër arkiva dhe biblioteka brenda vendit për të përmbushur një kërkesë të publikut. Qytetari që dëshiron të informohet mbi të shkuarën, nuk e ka edhe aq të lehtë të ketë akses në arkiva dhe biblioteka, kështu që hartimi i një bibliografie nga Biblioteka jonë Kombëtare, e cila ka një sektor albanologjik të mrekullueshëm, do të ishte një ndihmë e jashtëzakonshme për këdo. Botimet dokumentare janë shumë të kërkuara kudo në botë, sepse një kërkim shkencor është një përmbledhje dhe një gjykim i autorit. Unë mendoj se ne do të punojmë fort që të kemi një korpus punimesh dokumentare sa i takon këtyre trevave në jug të Shqipërisë, pra në kuadrin e Çamërisë. Ka mundësi të tjera për të bërë edhe albume me fotografi dhe skica të vjetra. Ka gjithashtu dokumente të vjetra interesante, si një letër e suljotëve të emigruar në SHBA, që kur shpallet Pavarësia e Shqipërisë i dërgojnë një letër jashtëzakonisht të bukur Ismail Qemalit në dhjetor të vitit 1912. Publiku ndoshta nuk e di këtë. Protestat, memorandumet nga Preveza në kohën e Kongresit të Berlinit janë sërish dokumente interesante, të cilat mund të jenë cituar përciptazi dhe në mënyrë të “gjymtuar”, por asnjëherë nuk është kryer një elaborim i plotë i materialit. Unë vij nga përvoja me botën e dokumenteve për shumë vite dhe gjykoj që qytetari shqiptar ka nevojë të dijë shumë. Mungesa e informacionit ka sjellë deformime në botëkuptimin tonë, në qasjet tona, në qëndrimet tona. Nëse dikush ka informacion, do të kuptojë përqasjet negative dhe pozitive ndaj një fenomeni, ndonjëherë edhe pa motiv. Për shembull, komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë që jetojnë sot në Turqi është jashtëzakonisht i madh, për shkak të dëbimit të popullatave në fillim të viteve ’20. Ashtu si dëbimi i shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë që kanë shkuar në vitet ’30 deri në vitet ’50. Janë valë emigracioni apo shpërnguljeje të dhunshme të shqiptarëve. Ka shumë momente të veçanta, që unë gjykoj që ta nisim kërkimin me këta të rinj që mësohen të kërkojnë, zgjedhin “mineralin” dhe pastaj të krijojnë dhe ata vetë, sepse u jepet mundësia më vonë të bëjnë punime fund.

Çfarë ka në planet e saj Qendra pas botimit të librit të Frashërit?

Normalisht, përveç këtij korpusi që unë gjykoj që do të bëhet shumë shpejt, Qendra do të merret edhe me qëmtimin e veprave të tjera të autorëve shqiptarë dhe të huaj, sepse ka shumë botime të autorëve të huaj në këtë lëmë për t’i botuar ato. Kemi rastin e zotit Bejtullah Destani, një njeri shumë i vyer, që ka punuar në arkivat britanikë shumë kohë. Ai e ka shkruar librin në anglisht dhe Qendra merr përsipër ta shqipërojë dhe ta botojë, ndërsa studimin e Noel Malklomit, nga shqipja ta kthejë në anglisht. Qendra ka synimin që ta bëjë këtë çështje të kapshme dhe për publikun jashtë, të jetë për një publik më të gjerë, për rrethe akademike në të gjithë botën. Fqinjët tanë veriorë punojnë fuqishëm në këtë drejtim dhe ne kemi bërë zero, duke pasur parasysh vështirësitë financiare etj. Por duhet t’u japim mbështetje studiuesve shqiptarë dhe të huaj për të mbështetur çështjen tonë kombëtare. Ne kërkojmë për t’u vënë në vend një e drejtë që na takon dhe për ta bërë të rrëfyer historinë tonë.

 

Kristo Frashëri boton “Historinë e Çamërisë”

Promovohet sot në Hotel “Tirana” libri i historianit të njohur, “Historia e Çamërisë”, një këndvështrim historik i rrënjëve ilire deri në ditët e sotme të Çamërisë. Ky botim vjen në bashkëpunim me Qendrën Kërkimore “Ligji, Norma dhe Tradita” pranë Fakultetit Juridik në UET, e drejtuar nga Nevila Nika. Libri është pjesë e projektit “Çamëria, si çështje shkencore” dhe vjen pas dy botimeve të tjera në këtë fushë; “Epiri i jugut, Çamëria”, me një grup autorësh, dhe librit të Mentor Nazarkos “Lufta e Fundit”, për pronat e shqiptarëve në Greqi. Në hyrjen e librit, akademiku Frashëri shkruan se “shqiptarët dhe grekët, pasardhës të ilirëve dhe helenëve të lashtë, banojnë në fqinjësi me njëri-tjetrin që nga periudha parahistorike. Gjatë shekujve kufijtë midis vendbanimeve të tyre, nga pikëpamja e përkatësisë etnike të banorëve, nuk kanë qenë asnjëherë të prera. Kjo ka ndodhur ngase këto vise kanë qenë më tepër se 2000 vjet nën strehën e perandorive shumëkombëshe, të tilla si Perandoria Romake, Perandoria Bizantine dhe Perandoria Osmane, të cilat lejonin lëvizjet e fiseve dhe të kombësive brenda kufijve politikë në kërkim të vendbanimeve të reja”.

 

Botimet e UET-Press mbi Çamërinë

 “Lufta e Fundit për pronat e shqiptarëve në Greqi”, botuar në vitin 2007 nga gazetari dhe publicisti Mentor Nazarko. “ Lufta e Fundit” është një analizë e gjithanëshme e problemit të pronave të shqiptarëve në Greqi, rezultat i një pune kërkimore shumëvjeçare të autorit. Libri përmban dokumente të reja, përfshirë: ligjet e luftës që shpronësuan çamët, kolonjarët etj. – Vendime GJyqësore. – Lista e 700 pronarëve si dhe: – Dosjen e pronave të bektashinjve në Greqi.

“Epiri i jugut, Çamëria”, libri është një kontribut i përbashkët i një grupi studiuesish të mirënjohur si Romeo Gurakuqi, Sami Repishti, Ferit Duka, Ledia Dushku, Ksenofon Krisafi, Fatmira Rama, Selman Sheme dhe Mentor Nazarko. Prof. Dr. Romeo Gurakuqi ishte drejtues shkencor i projektit.

“Historina e Çamërisë”, një këndvështrim historik i rrënjëve ilire deri në ditët e sotme të Çamërisë me autor historianin e shquar Kristo Frashëri. Libri është pjesë e projektit “Çamëria, si çështje shkencore” dhe promovohet sot në Hotel Tirana. Parathënia e librit është shkruar nga historiani Pëllumb Xhufi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama