Camcakezi A te ndihmon vertet te biesh ne peshe?

Camçakezi: A te ndihmon vertet te biesh ne peshe?
Studimi i publikuar në revistën “Eating Behaviors”, këshillon se përtypja e çamçakëzit mund t’i drejtojë disa njerëz për nga ngrënia e patatinave, ëmbëlsirave dhe biskotave në vend të frutave dhe perimeve. Kjo ndodh për shkak të mentolit, një lëndë kimike përgjegjëse për freskinë që përcjellin disa lloje çamçakëzësh, e cila ia heq shijen e vërtetë frutave dhe perimeve pas përtypjes së tyre.

Një nga autoret e studimit, Kristin Suoboda, shprehet se të gjithëve na ndodh që pasi kemi ngrënë një çamçakëz ta kemi të vështirë të shijojmë pije apo ushqime të tjera. Ndodh që përtypja e çamçakëzit të provokojë mendime mbi ushqimin dhe mbi pijet freskuese, disa njerëz hipotezojnë se përtypja e tij të bën akoma më të uritur. Shkencëtarët nuk mohojnë as anën tjetër të medaljes, që çamçakëzi të të bëjë të ndihesh i ngopur dhe të mos kesh uri.

Pavarësisht provave të paqëndrueshme, gjithnjë e më pak studime po arrijnë të vërtetojnë se çamçakëzi ndihmon humbjen në peshë. Këto kanë pasur rezultate të paqëndrueshme, ndaj nuk mund të merren për bazë, si teori të vërtetuara shkencore.

“Jemi shumë të interesuar, thotë Suoboda, të zbulojmë të vërtetën për efektin që jep përtypja e çamçakëzit në lidhje me humbjen e peshës”. Për këtë arsye, shkencëtarët e Universitetit të Buffalo-s u kërkuan 44 vullnetarëve që të përzgjidhnin nga një makineri aty pranë ushqimet që dëshironin. Disa prej pjesëmarrësve kërkuan mandarinat, rrushin, të tjerë morën patatinat ose çokollatat. Përpara se të eksperimentoheshin, gjysmës së skuadrës iu dha të përtypnin çamçakëz me fruta ose me mente. Ata që përtypën çamçakëzin me mente përgjithësisht nuk kërkuan fruta, duke i bërë shkencëtarët të mendojnë se ishin më pak të motivuar t’i merrnin ato, ndërkohë që po përtypnin një çamçakëz. Ata që përtypën çamçakëzin me fruta nuk përcollën ndonjë fakt interesant me veprimet e tyre.

Në një eksperiment të dytë, hulumtuesit u kërkuan pjesëmarrësve të mbanin një ditar për ushqimet që hanin gjatë ditës. Në disa raste atyre iu kërkua që të përtypnin një çamçakëz mente përpara çdo vakti për një javë, në raste të tjera ishin të lirë të hanin çfarë të dëshironin, mjaftonte t’i mbanin shënim ato.

Kur përtypnin një çamçakëz, pjesëmarrësit hanin pak vakte. Fatkeqësisht, kjo nuk nënkuptonte se ata merrnin më pak kalori, përkundrazi. Njerëzit hanin më pak ushqim, por merrnin sasi të njëjtë të kalorive nga ushqimet që konsumonin.

Kjo mund të ketë si shkak faktin që mentoli, mund të ketë nxitur përbërësit e frutave dhe perimeve të krijonin një shije të hidhur, duke i larguar kështu njerëzit nga ushqimet e shëndetshme.

Njerëzit hanë më pak fruta dhe perime, pasi në mendjen e tyre ata kanë mendimin se po përtypin çamçakëz para dhe pas çdo vakti, duke vepruar kështu ata nuk kanë nevojë për fruta. Ata ndihen të uritur dhe për këtë arsye mendojnë se stomaku i tyre ka nevojë të mbushet me një ushqim të bollshëm, në këtë mënyrë ata i marrin kaloritë nëpërmjet ushqimeve që në shumicën e rasteve janë të pashëndetshme.

Bret Karter, një studiues i sjelljeve të ushqimit, komenton mbi studimin e mësipërm duke thënë se zbulimet e tij janë interesante, por duhen bërë akoma më shumë kërkime për të zbuluar sesi ndikon çamçakëzi në zakonet e të ngrënit.

Studiuesit u këshillojnë personave që duan të llogarisin ushqimin e tyre, të mbajnë një ditar për të matur me saktësi kaloritë që marrin.

Studime të tjera mbi çamçakëzin, kanë provuar se ai ndihmon në rritjen e performancës në teste. Veprimi i të përtypurit të diçkaje ndihmon qarkullimin e gjakut në tru, kështu që përmirëson kujtesën, duke bërë të mundur që nxënësit të kujtojnë më shumë informacione në provim. Pavarësisht se ky efekt i mrekullueshëm që jep mbi kujtesën zgjat vetëm pak minuta, kërkuesit mendojnë se të përtypësh një çamçakëz përpara testeve përbën një avantazh për këdo që e aplikon.

Analiza të tjera që janë bërë mbi çamçakëzin tregojnë se ata lloje çamçakëzësh që përmbajnë xylitol, një alkool kristalor me përmbajtje ëmbëlsire, mbrojnë fëmijët nga prekja e infeksioneve të veshit, krahasuar me fëmijët e tjerë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama