Nëse duam të kërkojmë një industri që nuk do t’ia dijë për krizën ekonomike, është shërbimi online i qendrave të telefonisë. Sipërmarrjet në treg janë gati 300, duke arritur në rreth 20 mijë të punësuar. Kompani call center janë bërë punëdhënësit më të mëdhenj në vend, duke qenë një zgjidhje e mirë për ekonominë, të paktën deri kur të zhvillojmë industri me më shumë vlerë të shtuar Fabrikat e prodhimit të pjesshëm të veshjeve që mbërrijnë gjysmë të gatshme në Shqipëri kanë mbajtur “gjallë” tregun e punës për një çerekshekulli.
Sektori vijon të mbetet një zgjidhje për gra e burra të paarsimuar, që duhet t’i nënshtrohen pagës minimale. Një debat i hapur nëse duhet të konkurrojmë apo jo me krahun lirë të punës, po kjo arsye ka prodhuar një tjetër industri fason, me vlerë më të shtuar në fakt se ajo e veshjeve e këpucëve dhe e orientuar për të zënë me punë një tjetër kategori të gjerë të shoqërisë, kryesisht të rinjtë 17-35 vjeç. Po flasim për biznesin call center, i cili, siç thotë populli, është përhapur si kërpudhat pas shiut.
Të dhënat e fundit të sektorit tregojnë se bizneset call center po konkurrojnë e me ritmet e ecjes aktualisht, shpejt do të tejkalojnë industrinë fason (siç vijojmë ta quajmë, për përpunimin e pjesshëm të veshjeve e këpucëve) si për nga xhiro vjetore, edhe për numrin e të punësuarve. Çdi ditë në rrugët e Tiranës, ku është përqendrimi më i madh, shfaqen reklama kompanish të reja, që reklamojnë qindra vende pune. Në përgjigje të kërkesës së lartë, qendrat e mësimit të gjuhëve të huaja tashmë po ofrojnë kurse të gjuhës italiane, të specializuara për call center. Të dhënat e fundit të tatimeve raportojnë gati 10 mijë të punësuar në vetëm 12 kompani call center.
Ritmet e rritjes së sektorit janë aq të larta sa po konkurrojnë me fasonin. Kompanitë fason, të renditura mes 100 kompanive më të mëdha, kanë të punësuar 14 mijë persona. Por, specialistët e rekrutimit të punonjësve mendojnë se me shifrat jozyrtare, call center është biznesi i parë punëdhënës në vend, ku dinamika e punës edhe për periudha të shkurtra 1-3 muaj, (veçanërisht në sezonin e verës) bën që një pjesë e të rinjve që nuk e tejkalojnë këtë kohë, të mos rezultojnë në listat e kontributeve shoqërore. Po të vijojmë me krahasimin mes dy industrive, call center janë aktivitete të organizuara edhe në përmasa të mëdha.
Një pjesë e tyre kanë mbi 3 mijë të punësuar, fakt që nuk e gjejmë te veshjet dhe mbi të gjitha. Nga ana tjetër, sipërmarrësit e call center nuk kanë hasur ende vështirësi në rekrutimin e të rinjve të aftë për ta bërë këtë punë. Mjafton një trajnim një apo dyjavor dhe puna 6-8 orë siguron minimalisht 300 euro. Në total, nga rreth 300 kompani call center vlerësohet se numri i të punësuarve i kalon 20 mijë.