Cajupi i pari modern i poezise shqipe

Cajupi, i pari modern i poezise shqipe

Kanë kaluar 85 vjet dhe 3 sisteme të ndryshme politike, por vepra e Çajupit mbetet e gjallë dhe në kohë; humane, atdhetare e demokratike. Me rastin e 85-vjetorit të ndarjes nga jeta, akademikë e studiues përkujtuan veprën e poetit dhe atdhetarit të shquar shqiptar, Andon Zako Çajupi, i cilësuar si Tomorri i poezisë shqipe. Sipas akademikut Jorgo Bulo, Çajupi solli frymën realiste në letërsinë shqipe, e cila dominohej ende nga Rilindja. Gjatë simpoziumit u vlerësua edhe merita e tij si fabulist.

 

Simfonia çajupiane përshkohet nga dy tema të mprehta: atdheu dhe dashuria…Kështu e cilësoi Melsi Labi, drejtori i Muzeut Kombëtar veprën e poetit dhe atdhetarit të shquar, Andon Zako Çajupi në simpoziumin që u organizua ditën e djeshme në përkujtim të 85-vjetorit të vdekjes.

Labi u shpreh se vepra e Çajupit të bën të shtohet dashuria për atdheun dhe na ringjall ndjenja kombëtare.

Kritikët, ata që i thurin himne e ata që e anatemuan, për një gjë ishin të njëzëri se Çajupi është Tomori i poezisë shqipe.

“Tomori është për poetin “Kish’ e Shqipërisë, fron i Perëndisë”, Tomori është vendi ku poeti bie në gjunjë dhe lutet për fatin e Shqipërisë, dhe Zëri i “Baba Tomorit” është zëri i Çajupit, i cili kërkon t’i bashkojë shqiptarët dhe t’i sjellë në udhën e mbarë”,- theksoi Melsi Labi.

Megjithëse i shqetësuar për mungesën e veprës së Çajupit në shkollat shqiptare, studiuesi Jorgo Bulo tha se edhe pas 85 vitesh vepra e Çajupit mbetet e gjallë dhe do të jetë e paharrueshme edhe në brezat e ardhshëm.

Bulo në kumtesën e tij “Çajupi midis të shkuarës dhe së ardhmes”, theksoi rolin e poetit në letërsi dhe mendësinë shqiptare. “Ai solli traditën e re në poezinë shqipe. Ishte faktor progresi. E kaloi poezinë nga fryma e romantizmit te ajo kritike. E çoi letërsie në rrjedhat moderne”, u shpreh akademiku Bulo, i cili tha se përpara frymës idilike që qarkullonte në epokën, poetit i vrasin sytë plagët e popullit, kontrastet e mprehta, padrejtësitë sociale. Sipas Bulos, Çajupi i hapi derën rrymës realiste të letërsisë duke u pritur nga moderniteti me tematikat mbi dilemat morale apo poezitë erotike, sarkazma, etj.

“Me Çajupin nis të shfaqet në jetën letrare shqiptare tipi i poetit qytetar, që ndjen nga të parët bashkë me Konicën e ndonjë tjetër krizën e idealeve të Rilindjes edhe pse me to e lidhnin mijëra fije. Pse u prit në mënyra të ndryshme vepra e Çajupit nga kritika, e cila ose i turi himne ose i lëshoi anatema”, tha Bulo duke shtuar se me kritikën e tij Çajupi tronditi amullinë ku vegjetonte letërsia artistike. Studiuesi Bulo e cilësoi profilin e Çajupit sa poet popullor aq edhe poet modern, i cili mbetet aktual. “Kanë kaluar 85 vjet dhe 3 sisteme të ndryshme politike, por vepra e Çajupit mbetet e gjallë dhe në kohë; humane, atdhetare e demokratike. I paharrueshëm edhe për brezat që do të vijnë”.

Akademikja Floresha Dado u ndal në profilin e Andon Zako Çajupit si fabulist.

Përcaktimi i individualitetit të Çajupit si fabulist origjinal apo përshtatës nuk ka tërhequr sa duhet vëmendjen e studiuesve tanë. Ajo ka qenë pak e lëvruar nga studiuesit. “Ai solli në shqip fabulistin e shquar francez, La Fontene. Jo vetëm që ishte shqipërues, por edhe pasuroi nga vetja. Çajupi pasuroi letërsinë e kohës” –u shpreh Dado, e cila e cilësoi Çajupin si poet, atdhetar, publicist, mjeshtër i përshtatjes dhe krijues fabulash.

Çajupi pati si burim La Fontenin. Shqipëroi dhe përshtati rreth 112 fabula të la Fontenit me tematikë të larmishme, ai nuk trashëgoi stilin nga paraardhësit por krijoi stilin e tij. Sipas Dados, Çajupi mbetet përshtatësi më i mirë i La Fontenit në Shqipëri.

Të tjerë pjesëmarrës në simpozium ishin nëndrejtori i muzeut, z.Dorian Koçi,Ermir Nika dhe specialisti i muzeut z.Spiro Nika.

Nika foli rreth ndikimit të Zagorisë në jetën dhe veprën e Çajupit, edhe pse ai nuk u formua në vendlindje.

Në mars të këtij viti, presidenti i Republikës Bujar Nishani e nderoi poetin e madh me titullin “Nder i Kombit”. Në fund të aktivitetit fjalën e mori nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi, i cili foli mbi “Motivet homerike në veprën e A. Z. Çajupit dhe Kavafit (poezia Kurbeti dhe Itaka. Vepra e Çajupit është ribotuar e plotë 3 vjet më parë.

Ky aktivitet erdhi si një bashkëpunim mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Librit dhe Promocionit dhe Shtëpisë Botuese “Toena”. Andon Zako Çajupi lindi në Sheper të Zagorisë ndërsa jetoi dhe vdiq në Egjipt.

Në Nivan kreu mësimet gjysmë të mesme, të cilat i plotësoi në një lice francez në Egjipt, ku jetonte i ati. Më 1887, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, atje kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë.

Në Kajro, ku u vendos përgjithnjë, punoi për njëfarë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar.

Veprat e tij më të njohura janë “Baba Tomorri” (Kajro, 1902), Baba Musa lakuriqë- satire, “Burri i dheut” – tragjedi (1908), “Pas vdekjes” – komedi, “14 vjeç dhëndër” –komedi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama