Në banakët dhe në vitrinat e saj vizitori dhe turisti gjente prodhime tipike të realizuara nga fshatarët e zonës, në kuadër të integrimit dhe të përfitimit prej ndodhjes së tyre në afërsi me parkun. Me çantat prej leshi, shallet e çorapet, gurët e dekoruar me mozaikë florealë dhe shpendë tipikë të imituar nga motivet e mozaikëve të Butrinti dhe certifikatën e Parkut të Butrintit, ky treg ishte interesant e atraktiv për qindra vizitorë të Butrintit. Deri edhe erëzat dhe mjaltin e luleve të zonës tregtonte atje familja e Pjetër Përkeqit nga fshati Shëndëlli. Albana, e cila ishte trajnuar dhe fliste disa gjuhë të huaja, çonte në duart e blerësve realizimet e të gjithë fshatarëve të zonës.
Por tani kjo i përket të kaluarës, pasi tryezat dhe vitrinat e tregut të dikurshëm i sheh të kthyera përmbys, si të ketë kaluar një erë shkatërrimi, që vetëm kosheret e bletëve private, me centimetra larg, duket t‘i ketë lënë të paprekura. Na thanë se kjo është pasojë e një projekti për të bërë treg të ri, nga e para, pasi ai ekzistues "u moshua" goxha.
Kjo është paradoksale dhe vështirësish e besueshme, pasi për ngritjen e tij është investuar jo pak dhe vetëm pak vite më parë. Vetë pamja e shkatërrimit që përcjellin edhe fotot, e tregon qartazi se kjo nuk ka asgjë të përbashkët me zëvendësimin e një investimi me një projekt, por me atë që pa mëdyshje mund të quhet braktisje dhe zhbërje e plotë.
Marre nga : Gazeta Shqip











