Botohet per here te pare ditari i nje prej firmetareve te aktit te Pavaresise

Botohet per here te pare ditari i nje prej firmetareve te aktit te Pavaresise
ARDHJA E ISMAIL QEMAL BEUT NE SHQIPERI DHE SHPALLJA E PAVARESISE



Shkrimi i mëposhtëm është marrë nga gazeta “NJERIU” e nëntorit të vitit 1939 me autor Ferit VOKOPOLA, anëtar i Kongresit dhe firmosës i kartës së shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Shkrimi botohet në mënyrën origjinale.Ferit Vokopola përveç himnit të Kongresit të Lushnjës ka bërë edhe një dramë që quhej "Syra mbyllurazi" dhe dramën” Kongresi i Lushnjes”, ka përkthyer kuranin dhe ka shqipëruar shumë lutje të myslimanëve në formë poezie. Përveç këtij shkrimi, ai ka bërë edhe mjaft të tjerë me përmbajtje patriotike. Ishe njohës i mirë i persishtes dhe osmanishtes. Ishte edhe një nga deputetët më të balancuar të parlamentit të Zogut. Ferit Vokopola ka përkthyer dhe "Rubairat" e Omar Kajamit nga persishtja.

Istambolli kot u mundua që me mjete dipllomatike t’a shpëtoj situatën duke rëzuar kabinetin e gazi Myftar Pashajt dhe duke prurë në vendin e tij atë të Qamil Pashës,që ishte antar i englezvet. Ky kabinet që u formua më 29 vjeshtë e dytë 1912 iu drejtua fuqive të mëdhaja për ndërmjetsim të një amnistie te përgjithshme. në përgjigje telegrafike ambasadori i Turqisë nga londra,mbështetur deklaratës së ministrit të Punve të Jashtme engleze, thuhesh se mbretnitë e mdhaja mbasi kanë shpallur pa-anësinë e tyre nuk ka tjetër shkak për armpushim vecse ti drejtohet shteteve ballkanike; kështu që Qamil Pasha iu drejtua telegrafisht kralit të bullgarisë por ushtritë bullgare n’atë kohë ia kishin arrijtur catallxhes dhe po lëftonin drejt portave t’Istambollit; ishte atëher java e fundit e vjeshtës së dytë 1912, kur armata perëndimit në Selanik kishte pësuar fatkeqsin më të piklluarshme. Kështu ndodhi edhe nër ballrat e malit Zi e të Serbisë,ku kjo e fundit me armatën e saj thyen qëndrimin në cernalove, sulmuan Prizrenin dhe Gjakovën,të cilat i pushtuan me datën 1 dhe 7 vjesht të tretë 1912. Pas luftimeve të bëra aty këtu më 19 vjesht e III,1912 u pushtua edhe manastiri prej ushtrisë Serbe. Më 24 vjesht e tretë 1912 komandanti i armatës së perëndimit, Ali Riza Pashës erdhi në Korçë dhe dha urdhër për nisjen e një koll-ordije në berat dhe tjetra në Gjirokastër, ku u përgatitën për të ndihmuar qëndresën e Janinës dhe atë të Shkodrës, që po qëndronin burrnisht. Kosova e kryengritjes me famë, tashti ishte e pushtuar prej Serbisë; detyra e shpëtimit t’atdheut po i ngarkohej qëndrës së kryengritjes së Jugës: Prefekturës së beratit , e cila me anën e nacionalisitëve të saj dita me ditën qe e zonja të dijë situatën e vështirë të ushtrisë otomane dhe prishjen e sajë në Kosovë, Selanik dhe Manastir.

Telegrami nga Vjena

Anëtarët e klubeve të bashkimit dhe gjithë parija e Prefekturës së beratit me Vlorën në një kohë kur të dëshpëruar ishin në marrëveshje me shokët në Durrës, Tiranë, elbasan për një drejtim patriotik prisnim shenjën e jashtme nga Ismail Qemal beu për një mbledheje kombëtare, ia arrijti nga Vjena me datë 13 vjesht e tretë 1912 telegrami që vijon : “Përpara së Premtes jemi në Durrës. Të mbledhurit e Delegatëve në Durrës ose Vlorë është krejt i nevojshëm. I ftoni të gjithë, deri sa të vijë unë mbani qetësinë dhe bashkimin. cështja e jonë politike u sigurua fare”. ky telegram që ka një vleftë historike për Shqipërinë ka qenë drejtuar së pari kryetarit të bashkisë së lushnjës, Zotit ali bej Vokopolës dhe ka qenë drejtuar së pari n’emër të Vlonjatve prej zotnive: Xhemil bej Vlora, Elmas Kanina dhe Leonidha Bexhani. I njëjti telegram më pas u është komunikuar edhe gjithë qyteteve të tjera të Shqipërisë;në këto kohë Shkodra në veri, Janina në Jugë po qëndronin me burrni kundra fuqive sulmonjëse, por mbasi kosova, manastiri dhe Selaniku ranë, fuqit Serbe me një’anë, dhe ato greke në tjetrën po pushtonin shumicën e vendeve të Shqipërisë, për të cilën nuk kishte ngelur tjetër gje përveç ngrehjes së Flamurit kombëtar dhe shpalljes së indipendencës.

Ardhja e Ismail Qemal beut në Shqipëri

Kur u nis Ismail Qemal beu nga Stambolli për në Bukuresht, kabineti i Qamil Pashës po kërkonte amnisti me ndërmjtësi të fuqive të medhaja, pasi ushtrit otomane ishin prishur keqazi dhe dëshprimi mbretronte anë e kand asaj perandorije; por me gjithë këtë të tëra demarshet dipllomatike nuk bën asnjë dobi dhe se Rumelija patjatër ishte gati t’u copëtuar nën gërshërët e lakmive të ballkanasve. Dipllomati i matur dhe patrioti i flakët Ismail Qemal beu pasi takoi me shoqërin e bukureshtit mori shokët me vehte dhe u nis për Vjenë, ku sandejtmi telegrafoj që Shqipëria është e siguruar ;në telegramin e fundit thoshte që u nis edhe me vaporin e parë që po dilte në Durrës. Situata e viseve të Shqipëris në këtë kohë kaq të kritkshme ishte si vijon : armata e Vardarit mundohesh të qëndronte me një luftë të fundit në korcë, por nuk mundi të përballoj armikun, fortesa e Shkodrës sa ditë sa ditë shkonin po keqsonesh më tepër. Selca kishte rënë dhe lajmet që vinin tregonin se Serbët po përparonin drejt Durrësit. Ushtrija Serbe kishte hyrë në Dibër dhe në lumë;fortesa e Janinës sa do që qëndronte por fuqit e mdhaja të rregullshme të Greqis që ishin në anët e naselicit po kërcënon Korçën dhe nga ana tjetër Janinën, duke zënë vendet që ishin në mes t’atyre , kështu që ajo ushtri u nda në dysh, një pjesë në gjirokastër dhe tjetra në berat.

Një pjesë e fuqis së beratit kishte arritun në lushnjë më 5 vjesht III 1912 ku nënprefekt ndodhesh Eman Naili një armen mjaft i zoti dhe nga ish anëtarët e komitetit Tashnaksion , kryetar I bashkësisë ndodhesh Ali Vokopola e Prokuror i gjyqit i ndyeri Emin Vokopola; Pari e vendit çdo natë mblidheshin rreth ktyre e bisedonin mbi situatën tepër delikate, neve më të rinjtë e asaj kohe kërkonin ndryshimin e administratimit, ngritjen e Flamurit kombëtar dhe ushtërimin e detyrave shtetnore nga shqiptarët; tue pamë ngatarresat që po përgatitnin; eman naili e pa të udhës të bisedoj me z. Emin e Ali Vokopolën dhe pëlqeu që nën kryesin e kryetarit të bashkisë të formohesh këshilla e vendit e cila u-formue më 19 vjesht e III 1912 tue u-ngritun Flamuri kombëtar në bashki e në Qeveri, bile tue marrë pjesë në ceremonite pas fjalimit t’im shqip muzika ushtarake otomane me Hymnin e Xhezairit.

Më 10 vjesht e III 1912 erdhën ushtëri të tjera otomane dhe nën komandën e kapiten Pertev beut i cili si Ittihadci deshi të përbuzin Flamurin kombëtar e t’a zbresin dënoj oficerin e muzikës qi mori pjesë në ceremoni dhe ndaloj nënprefektin nga bashkëpunimi në këshillin e vendit; por tue e pamë që nacionalistat e mbledhur në Lushnjë do të derdhnin gjakun pa ndroje në këtë rast i u bind shpjegimeve e këshillave të Eman Nailit (nënprefekti)dhe hoqi dorë nga kjo tragjedi e rrezikshme e cila mundi të mënjanohet pas një shkëmbim fjalësh të rënda midis tij me shokë, e të neve q’u drejtuam me pjesmarrje të emin Vokopolës, Nebi Sefes e Teki Halit Libohovës. më 20 po të k. m i telegrafonte z. Bektash Cakrani, Aziz Pashë Vrionit për të dërguar kuaj në Durrës e njerëz për të marrë Ismail Qemal benë; prej Parisë së Beratit u-bisedua e u vendos qe këtë detyrë të shenjtë ta marri përsipër z. Qemal Karaosmani, i cili arriti ne Lushnje menjëherë, dhe si fjalosi me patriotët e Lushnjës mbi situatën u nis për në Durrës; si mbas lajmit qi na dha telegrafisti i Lushnjës Sulejman Dervishi po këtë ditë z. Hasan Sharra nga Vlora i tëlegrafonte z. Abaz efendiut e Must Hanxhiut qi ti prëgatitnin mjetet e duhura Ismail Qemal beut tue i thanë se armiku e futi ushtrinë deri në Himarë. më 21 na lajmëronte Hamid bej Toptani nga Durrësi me servis telegrafik se Ismail beu arriti dhe se jan marrë masat e duhuna deri në Shkumbin në shoqërim të zotit Ymer bej Deliallisit me shokë.

Po këtë ditë thërriteshin në maqin telegrafike në Vlorë et-hem beu, bektash cakrain dhe Qazim kokoshi, prej Luigj Gurakuqit më urdhër t’Ismail Qemal beut nga Durrësi të cilët shkëmbyen mendime mbi situatën dhe trasmetuan porositë e Plakut Dipllomat. më 22 te k. m nga Durrësi telegrafon aqif Pashën e Sheuqet benë që të marrin pjesë personalisht në kongresin qi do të mbahet në Vlorë;merret vesh me zyrën telegrafike me Fuad e Abdi bej Toptani që të dërgojn delegatët sa më parë. Ismail Qemal beu më 23 me gjithë shokët u nis nga Durrësi për në cermë;z. Qemal karaosmani me një telegram që i hiqte nga Durrësi në Lushnjë Behxhet bej Hytit ja bëntë të ditur se këtë mbramje do të arrinin në cermë. komanda ushtarake ottomane filloj të lëvizi dhe kapiten Pertev beu i nisi kalorin drejt cermës me qëllim që të kapin Ismail benë me shokët e të ndaloj kongresin. neve me të marrë vesh këtë dhelpëri të klyshit të Xhemijetit xhon- Turk , me shokët nacionalista muarrëm masat urgjente duke i nisur prapa një fuqie, im ungj emin beu tregoj nevojën e lajmërimit të Iasmail beut, e këtë detyrë menjëher e mori përsipër i ndyeri Nebi Sefa dhe u nis për Kavajë; tue parë fuqit nacionaliste, ushtërija ottomane qëndroi përtej gramshit; në anën e Libofshës.

Vlora e Berati ishin ne merak te madhe. neve te Lushnjes natën e shtrenguam nënprefekt Eman Nailin, i cili urgjent telegrafoj komandën e Janinës mbi tragjedin q’ishte gati duke u zhvilluar. më 23 Vjesht III 1912 merr përgjegjen prej Janinës që t’a presi mirë Ismail Qemal ben e t’a nderojn; këtë urdhër nënprefekt i lushnjës Eman Naili po me këtë datë na i komunikon neve të Lushnjës dhe nënprefekturën e Kavajës telegrafisht, ashtu edhe Pertev beu lajmërohet me një kalorës. Më 23 Ismail Qemal beu me shok fjetën në cermë, ku Dervish bej Bicaku e Behxhet bej Hyti veç pritjeve bujare me fuqitë e tyne të armatosura dhanë përkrahjet e duhura. më 24 fjetën në Libofsh, e cila ishte e siguruar nënë urdhërin e këshillit kombëtar të Lushnjës.

Arrestimi delegatëve të Kosovës

Rexhep Mitrovica dhe Bedri Pejani më 23 ishim në shtëpin t’onë të Lushnjës dhe si delegat i kësaj mbasi isha zgjedhur që të nisesha në Vlorë për me takue në Fier me Ismail Qemal ben po pregatitsha mjetet e udhëtimit, vjen shoku im i ndier nebi Sefa para se të nisesh për Kavajë e më lajmëron se komanda otomane ka burgosur në Hotelin e Shaqir beut Delegatët e Kosovës z. Bedri Pejani e Rexhep Mitrovicën me një herë biseduan me shokët dhe e morëm urdhër të vemi unë, Nebi Sefa dhe të tjerë për të negocijuar lirimin e tyne. Emin beu shkoi te nënprefekti me ca shokë të tjerë dhe e shtrëngoj tepër i cili u tremb dhe i dorëzoj këtij edhe vulën e nënprefekturës; duke qenë neve në zënie e sipër me patrullën otomane që kishin ndaluar dy delegatët dhe gati të përlesheshim me këto, ja mriti kapiten Pertevi, i cili kishte marrë lajmin e dorëzimit të nënprefekturës, Emin beut dhe i trembun nga ky ndryshim i u dha urdhën të hiqen patrullat e tija. Kështu i liruam dy Delegatët, të cilët i nisëm për Vlorë. Pastaj u nisëm përmes myzeqesë në ato kohëra të këqija nga dimri i fort e arritëm në Fier, ku takuam edhe Ismail Qemal buen me shokë. Ismail Qemal beu në Zyrën telegrafike merrte shpjegime mbi situatën e okupasjoneve dhe jepte këshilla mbi masat qi duhesh me padurim të mblidheshin Delegatët shpejtësisht në Vlorë.

kur ishim në zyrë telegrafike më vjen një telegram mua nga nëna ime që ishte me plevit tepër rëndë, Ismail beu më thotë shko biri im në berat hallallosu me mëmën, ti marrësh uratën e pastaj hajde në Vlorë me Delegatët e beratit; duke dëgjuar së unë jam nisur për mëmën Shqipëri e uratën e kam marre prej saj, Ismail beu më përgezoi me një “bravo”- e cila i buroj nga zemra. I vuna re sytë i kishte të lotueshëm. Nga Fieri u-nisëm për Vlorë; atje agallarët Sharra celën shtëpin e na pritën me bujari të madhe; prisnin me padurim të vinin delegatët e vendeve të tjerë. Në një kohë, kur po i avitesh Serbi me d. 26-XI-1912 Tirana shpalli Indipendencën; më 27-XI-1912 e shpalli lushnja, e më pas kësaj Durrësi e Kavaja. Lushnja shpalljen e Indipendencës ia komunikoi telegrafisht edhe konsullatave të mbretnive të mëdhaja në Durrës, i cili me gjithë Kavajën pas Tiranës u pushtuen prej Serbëve më 30-XI-1912. Shumica e Delegatëve arritën në Vlorë më 27 e 28-XI-1912. mbasi situata po vështirësohej tepër çdo minutë, u vendos më 28-XI- 1912 të mblidhet kongresi e të japin vindimin e prerë për shpëtimin e atdheut, e kjo mbledhje u mbajt në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës më 28 nanduer 1912 n’ora 3. 30.

Delegatët shqiptarë në Kongresin e Vlorës ME 28 NaNdUEr 1912

Delegatët Shqiptar për kongresin e Vlorës kanë qenë të zgjedhur 84 veta, por prej këtyre me datën 28 nanduer 1912 arrijten në Vlorë vetëm 41, dhe këta shpallën independencën e Shqipërisë. Emnat e këtyre delegatve po i shkruajme këtu më poshtë: Ismail Qemali, Don Nikoll Kaçorri, Abdyl Aziz, Vehbi Dibra, Bab Dud Karbunara, Elmas Meca, Veli Harci, Qazim Kokoshi, I. Minga, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Tutulani, A. Ruci, Abdi bej Toptani, Abas Dilaver Celkupa, Mid-hat Frashëri, Sheuqet Daji, Zihni abas kanina, Xhelal koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani, Iljas Vrioni, Salih gjuka, Dhimitër Beratti, D. Emanuel, Dhimitër Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro T. Ilo, Thanas V. Floqi, Qemal Mullaj, Lef Nosi, D. M. Myrteza, Nuri Sojlija, Mustafa Asim Kruja, Ferit Vokopola, Ymer Deljallisi, Xhemal Deljallisi, Nebi Sefa e Zyhdi Ohri.

Flamuri i Pavarësisë, katër variantet e origjinës së tij

Flamuri që patrioti Ismail Qemali ngriti në Vlorë, në 28 nëntor të vitit 1912, në një nga ballkonet e godinës 3 katëshe, pronë e Xhemil beut, ka një histori dhe një origjinë, e cila formatohet në katër variante. Sipas historianëve tre nga katër variantet e flamurit të pavarësisë lidhen me emrin e Marigo Posios, me origjinë nga Korça, ndërsa varianti tjetër me emrin e Eqrem bej Vlorës. Marigo Posio, mbiemri i vajzerisë Poçi, e lindur në 2 shkurt të vitit 1892 në Korçë, u martua me tregtarin Jovan Posio, për t’u zhvendosur në vitin 1904 në qytetin e Vlorës. Bashkëshortët banonin në një shtëpi ku më parë kishte jetuar gazetari francez Justin Godard, emrin e të cilit mban sot rruga karakteristike, që ndodhet shumë pranë Sheshit të Flamurit. me këtë shtëpi lidhet dhe historia e Flamurit, që shënoi shpalljen e shtetit të pavarur shqiptar, në vitin 1912.

Në variantin e parë

Patriotja Marigo Posio e ka qëndisur flamurin rreth një vit para 28 nëntorit të 1912-ës. Flamuri u qëndis prej saj sipas një varianti te propozuar nga patriotët, Dom Mark Vasa, klerik katolik, dhe Petro Fotografi. Të dy patriotët kishin sugjeruar dhe modelin e shqipes dykrenore, që kishte qenë simbol i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Cohën, ne të cilën realizoi flamurin, sipas historianëve, Posio e kishte blerë tek tregtari Diamand. Ishte ky flamur, me përmasa 84 cm x 1 metër që Ismail Qemali, e ngriti në orën 17:30 të datës 28 nëntor të vitit 1912 në ballkonin e sarajeve të familjes Vlora, në qendër të qytetit, aty ku sot ndodhet monumenti i Pavarësisë dhe Shtiza e Flamurit. Sipas historianëve, me shpenzimet e saj, patriotja Marigo Posio përgatiti dhe 500 flamuj të tjerë më të vegjël, me përmasa 70 cm x 70 cm. me të cilin u zbukuruan institucione zyrtare dhe objekte private në shtetin e parë shqiptar. Sipas variantit të dytë ardhja e Flamurit në Vlorë lidhet me patriotin Spiridon Ilo, një nga protagonistët e Shpalljes së Pavarësisë dhe delegat i grupit të patriotëve shqiptarë në Bukuresht. Prej vitesh, Ilo, me origjinë nga Korça, jetonte në kryeqytetin rumun, duke qenë një nga personazhet kryesorë që përpiqeshin për përhapjen e ndjenjave atdhetare. Sipas historianëve, flamuri që ngriti Ismail Qemali në Vlorë ishte i njëjti që zbukuronte fasadën e Hotel “Kontinental” në Bukuresht, ku në 5 nëntor të vitit 1912 u zhvillua një takim me patriotët shqiptarë, takim që drejtohej nga Ismail Qemali. në atë takim, që i parapriu udhëtimit të Ismail Qemalit drejt Vlorës, u deklarua për herë të parë ideja e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si e vetmja alternativë që garantonte të ardhmen e vendit tonë, përballë interesave dhe synimeve shoviniste të fqinjëve. Prej këtej, Spiridon Ilo, pjesëtar në grupin e patriotëve që shoqëruan Ismail Qemalin drejt Vlorës, e mori flamurin me vete. Sipas historianit Bardhosh Gaçe, Ilo ishte kushëri i parë (djalë tezje) i Marigo Posios. Në natën mes 27 dhe 28 nëntorit, patrioti Ilo fjeti në banesën e bashkëshortëve Posio, në lagjen Muradie, ku qëndisi dhe thekët e Flamurit. Ky flamur, sipas historianëve, ishte i stampuar dhe jo i qëndisur, me përjashtim të thekëve që përgatiti patriotja Marigo Posio.

Sipas një varianti tjetër origjina e Flamurit të Pavarësisë, lidhet me diasporën shqiptare në Boston, në SHBA. Sipas një shkrimi të botuar në gazetën “Dielli”, Flamuri ishte qëndisur një vit më parë nga patriotët që jetonin në Boston dhe shoqata ‘Besa-Besë’ e kishte dërguar në Korfuz, përmes atdhetarit Naçi Nuçi, mik i familjes Posio. Prej andej, bashkëshortet Posio e futën në Vlorë dhe për t’i shpëtuar kontrollit në doganën e këtij porti, patriotja Marigo Posio e fshehu flamurin në pjesën e sipërme të veshjes së saj. Ishte ky flamur që iu dhurua Ismail Qemalit, për ta ngritur atë në datën 28 nëntor të vitit 1912, në ballkonin e sarajeve të familjes Vlora.

Varianti i katërt

Eqerem bej Vlora, pinjoll i familjes së shquar vlonjate, protagonist në këtë ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë, shkruan mes të tjerash në kujtimet e tij se flamuri që u ngrit në Vlorë ishte pronë personale e tij. Sipas tij, Flamuri i ishte dhuruar ne vitin 1909, në Itali, nga një prej stërnipërve të Skënderbeut, Aleandro Kastrioti. Flamuri, që qëndronte në dhomën e gjumit të banesës se beut Eqerem Vlora, (sot “Shtëpia e beut”) u tërhoq prej andej nga një mik i tij dhe i Ismail Qemalit, Hydai efendiu. kjo ngjarje ndodhi në prag të aktit të Shpalljes së Pavarësisë kombëtare, në 28 nëntor të vitit 1912. Flamuri, që iu rikthye Eqerem Vlorës, humbi dy vjet më pas, në vitin 1914.
Vdekja e Plakut të Shqipërisë Ismail Qemalit

Nga:Mihal Grameno
Marrë nga gazeta “Koha”, 1919, nr. 134

Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri po në të gjithë anët e botës. Ky lajm ishte si rrufeja dhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar se Shqipëria humbi burrin më të madh që kishte nxjerrë pas Skënderbeut, humbi diplomatin e madh dhe të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi atin e kombit, i cili e shpëtoi nga reziku, humbi luanin që dërmoi zinxhirat e robërisë, që ngriti flamurin e Skënderbeut dhe proklamoi vetëqeverimin e Shqipërisë. Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruaj veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur përmbi altar të atdheut. një jetë të tërë e sakrifikoi i pavdekuri m vetëm edhe vetëm për lumturinë e të dashurës Shqipëri duke duruar gjithë mjerimet edhe ndjekjet e armiqve të kombit dhe të kundërshtarëve. më shumë në syrgjynllëk e shkojti jetën e tij Plaku i Shqipërisë, Ismail Qemali duke u arratisur në vendet e huaja ku lypte të drejtat e Shqipërisë, gjersa dha zoti e ju realizuan ëndërrat e tij që të shihte atdheun e tij të dashur të lirë edhe me duart e tij të çelnikta të ngrinte flamurin dykrenor të Skënderbeut. Populli shqiptar e adhuronte Plakun më shumë se nga të gjithë burrat e mëdhenjë për shërbimet e larta, edhe aq më shumë për virtytet e tij të pashembullta. në Ismail Qemalin përmblidheshin gjithë virtytet që mund të ketë në botë. kalorës, shpirtmadh, zemër të gjerë e të qëruar, i dashur, popullor, prandaj adhurohej jo vetëm nga shqiptarët po nga gjithë bota. me mendjen e tij të shkëlqyer kishte fituar një famë të madhe në qarqet diplomatike, kështu që emri i Ismael Qemalit ishte një nder dhe një mburrje për gjihtë kombin shqiptar. më të mëdhenjtë diplomatë e nderonin shumë dhe... e quanin Shqipërinë një shtet shumë të vogël për të patur një burrë kaq të madh e të ditur! Që të nëmërojmë meritat e burrit të madh të Shqipërisë na është e pamundur, sikundër që thamë, andaj të pastajmit dhe historia e kombit do të mundin të tregojnë cili ishte Ismail Qemali dhe cilat janë veprat e tij, se kurdoherë burrat e mëdhenj vetëm pas vdekjes së tyre çmohen dhe lartësohen, pasi pasionet nuk kanë më vend gjithnjë në zemrat e kundërshtarëve. edhe tani kur pleqëria e shkuar zotëronte mbi trupin e tij aspak nuk kërkonte çlodhjen dhe prehjen, por si një djalë i ri rendte poshtë e lartë duke kërkuar shpëtimin e Shqipërisë.

 me vuajtje dhe me mundime të mëdha nuk dëshpërohej aspak po shihte vetëm e vetëm realizimin e programit kombëtar që të shihte një Shqipëri të lirë, pa ndonjë protektorat dhe me të katër vilaetet nën flamurin të atit tonë Skënderbeut. Për këtë qëllim u hodh në Itali ku pas kuptimit me Qeverinë italiane deshte të hasej me shumë nga krerët e Shqipërisë që kështu bashkërisht të shtronin kërkimet mbi të drejtat e Shqipërisë në konferencën e Paqes të Parisit. mjerisht vdekja e pamëshirtë na e rrëmbeu me nxitim kur atdheu kishte varur shpresat e mëdha në mendjen e shkëlqyer të Plakut dhe burrit të madh të Shqipërisë, Ismail Qemalit. as rrufeja nuk mund të na plagoste kaq shumë zemrat tona sa ky lajm i zi, i cili hodhi në zi gjithë kombin shqiptar duke vajtur e duke derdhur lot të nxehtë për atin e kombit, pas Skënderbeut, për këshilltarin e madh edhe për shpëtimtarin e Shqipërisë nga robëria. Sot balta mbulonte trupin e plakut të ndjerë në atë Vlorë që kishte lerë dhe ku mundi të ngrerë Flamurin e Skënderbeut pas 500 vjet robërie! Po balta mundi vetëm që ta mbulojë trupin se... shpirti i Plakut të Shqipërisë kurrë nuk mund të vdesë... se ai rron dhe do të rrojë sa të jetë bota, duke i treguar brez pas brezi pritmjes shqiptare cili ishte Ismail Qemali dhe duke i këshilluar që të përpiqen si ai për idealin e shenjtë të programit kombëtar. “koha” e cila pati fatkeqësinë që të humbasë këshilltarin e madh të saj duke shtruar me përunjësi gjithë nderimet që mund t’i jepen atit të kombit ka për t’u përpjekur me fuqinë e saj që të mbushë programin si edhe këshillat e fundit, të cilat na la në orën e fundit Plaku i Shqipërisë Ismail Qemali.

Misteri i vdekjes së Ismail Qemalit, u helmua apo vdiq nga shkaqe natyrore

U helmua apo vdiq nga shkaqe natyrore, Kryeministri i parë i Shqipërisë? Ky është një nga misteret më të mëdha që ka shoqëruar historiografinë shqiptare të shekullit XX. Ismail Qemali ka vdekur në 24 janar të vitit 1919. Ai ndodhej në Itali ku kishte shkuar për të folur me autoritetet italiane për Konferencën e Paqes që do të zhvillohej në Paris. Por kur mbërriti në Itali, e njoftuan se këto autoritete ishin nisur për Paris. I akomoduar në hotelin e përcaktuar, Qemali njoftohet për dëshirën e gazetarëve për një konferencë për shtyp. Pak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve që djali i Ismail Qemalit, Et'hemi, i ka bërë më vonë kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë, kreut shqiptar i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Nuk vonoi shumë, ai u ul në tavolinë dhe befasisht në trup i kaloi një valë rrëqethjeje. Ndërsa nisi të belbëzojë me vështirësi, filloi të dridhej dhe ndërkohë u konstatua se nuk mundte t'i lidhte dot fjalët. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri. Në këto momente gazetarëve të mbledhur për konferencën e shtypit në atë sallë iu komunikua fakti që Ismail Qemali, i cili pak çaste më parë kishte qenë para tyre, nuk jetonte më.
Normal 0 false false false EN-US X-NONE X-NONE MicrosoftInternetExplorer4 /* Style Definitions */ table.MsoNormalTable {mso-style-name:"Table Normal"; mso-tstyle-rowband-size:0; mso-tstyle-colband-size:0; mso-style-noshow:yes; mso-style-priority:99; mso-style-qformat:yes; mso-style-parent:""; mso-padding-alt:0in 5.4pt 0in 5.4pt; mso-para-margin:0in; mso-para-margin-bottom:.0001pt; mso-pagination:widow-orphan; font-size:10.0pt; font-family:"Times New Roman","serif";}

Botohen emrat e vajzave dhe grave që humbën jetën gjatë Luftës

Shqipëria ka qenë një nga vendet që pati shumë viktima në njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo pasi shqiptarët nuk i’u nënshtruan pushtuesve, por iu kundërvunë atyre me të gjitha mjetet. Shume njerëz u vranë, u pushkatuan dhe u varën nga pushtuesit, vetëm pse deshën lirinë. Nga 28 mijë dëshmorë që kanë rënë për çlirimin e vendit, shumë prej tyre janë vajza dhe gra të cilat ashtu si dhe djemtë dhe burrat, sakrifikuan dhe jetën për lirinë e vendit. Gazeta "Tirana Observer" boton listën e plotë të grave dhe vajzave që u vranë nga pushtuesit. Shumë prej tyre janë shpallur dhe Heroina të Popullit, si rasti i Bule Naipit apo dhe Persefoni Kokdhimës.

Hillari Klinton i uron popullit shqiptar Ditën e Pavarësisë

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton ka uruar Shqipërinë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mesazh Klinton shkruan  “Në emër të Presidentit Obama dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara, përshëndes popullin e Shqipërisë me rastin e Ditës së Pavarësisë më 28 nëntor. Historia e miqësisë dhe interesat e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u konsoliduan në Konferencën e Parisit të vitit 1919, kur Presidenti Udrou Uilson mbështeti fuqimisht pavarësinë e Shqipërisë”. Sakaq ajo thekson se “që prej atëherë, Shqipëria ka dhënë një ndihmesë të çmuar për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.  Si partnere e NATO-s dhe si këshilltare e vendeve të tjera të Ballkanit që aspirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm dhe aktiv për avancimin e integrimit dhe stabilitetit rajonal.  Shtetet e Bashkuara respektojnë gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Afganistan dhe dedikimin e saj për mbrojtjen e paqes në botë”. Klinton thekson se SHBA do ta mbështesë vendin tonë drejt integrimit në BE. Lidhur më këtë çështje ajo thekson se “mbështetja jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian mbetet e fuqishme. Heqja e vizave kohët e fundit për Shqipërinë është një tregues i fortë i përparimit që vazhdon të bëjë vendi juaj drejt anëtarësimit të plotë në komunitetin euro-atlantik. Jam optimiste për vazhdueshmërinë e partneritetit tonë me Shqipërinë për çështje me rëndësi rajonale dhe globale, ndërsa punojmë sëbashku për një të ardhme demokratike, të sigurt dhe të begatë për të dy popujt tanë”. Ajo e mbyll telegramin me urimin: I uroj popullit të Shqipërisë gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Edhe Kosova feston 28 Nëntorin

Prishtina është zbukuruar në çdo shesh me valëvitjet e flamujve kuqezi. Komuna e Prishtinës ka organizuar një program të pasur kulturor-artistik. Ndërkaq, Rrjeti i Organizatave Shqiptare ka paralajmëruar se do ta stolisë kryeqytetin me ngjyrat kombëtare kuq e zi, dhe se do të organizojë një koncert festiv me grupet më të njohura shqiptare. Në sheshin ku gjithmonë qëndron i ngritur Flamuri Kombëtar, do të jetë nesër në mëngjes edhe presidenti në detyrë i Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, për të vendosur lule në Monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kreu i shtetit të Kosovës do të shkojë më pas në Prekaz për homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ku nderojnë të gjithë shqiptarët. Homazhe heronjve, dëshmorëve, martirëve të lirisë e pavarësisë, do t’u bëhen në gjithë Kosovën. Me emrin e Heroit,  Komandantit legjendar Adem Jashari emërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, me ceremoninë që do zhvillohet në ditën e festës së 28 Nëntorit, ku është paralajmëruar pjesëmarrja e personaliteteve më të larta të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, etj. Sipas Ligjit për festat zyrtare të Republikës së Kosovës, 28 Nëntori nuk radhitet në këto festa, por në "ditët memoriale", si "dita e shqiptarëve".  Megjithatë, kudo shqiptarët në Kosovë e festojnë këtë ditë, si Ditë të Flamurit Shqiptar dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

Festat e Nëntorit, atmosferë në Tiranë

Në prag të festave të Nëntorit, edhe në Tiranë ndihet atmosfera.
Në bulevardin qendror është shpalosur një flamur i madh kombëtar, jo nga organet shtetërore, por nga tifozët kuqezi. Flamuri i shpalosur është në përmasa 25-30 metra. Kjo u bë nga tifozët për të sensibilizuar opinionin publik për këto festa, përgatitjet për të cilat, sipas këtij grupimi, kanë filluar para një muaji dhe organizimet e tyre do të vazhdojnë deri ditën e nesërme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama