Çmimi: 1300 lekë
Libri "Stuhi lufte mbi Kosovën" është rezultat i kërkesave të shumta që të dihet më shumë për ngjarjet, të cilat i paraprijnë shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 2 korrik 1990, dhe shpalljes së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990. Dekada që përfshin vitet '80-'90, të shekullit të kaluar, ishte përplot ngjarje, shumë prej të cilave nuk e anashkaluan edhe Kosovën. Ndër to, më të theksuarat ishin ato në mbarim të asaj dekade. Prej tyre vlen të veçohen: Shpallja e Deklaratës Kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik 1990; Grushtshteti i Serbisë, më 5 korrik 1990, dhe largimi i dhunshëm i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës; Shpallja e Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, me të cilën Kosova u barazua me republikat e tjera të Federatës Jugosllave, me të drejtë shkëputjeje nga ajo Federatë.
Të gjitha bisedat mbi Kosovën e këtyre viteve, për ngjarjet dhe njerëzit që u përfshinë në to, përfundonin me kërkesën e prerë dhe imediate për publikimin e kujtimeve lidhur me këto ngjarje. Ndër më të zëshmet ishin kërkesat që vinin nga shokët, miqtë, familjarët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Ishte prezente frika se edhe kjo pjesë e historisë së re të Kosovës, si shumë të tjera më parë, mbetet në harresë dhe krijohen rrethanat për shumë konstruksione dhe interpretime dhe veçanërisht përvetësime. "Presioni për t'i shkruar dhe publikuar kujtimet e mija mbi këto ngjarje, filloi të më ngjallë ndjenjën e një detyre të lartë që duhet të kryhet.
M'u forcua bindja se opinioni kosovar ka të drejtë të dijë më shumë për ato kohëra dhe për ato ngjarje, sepse ato nuk kanë ndodhur spontanisht, por në to ka qenë i përfshirë i tërë populli me përjetime dhe sakrifica të rënda", vëren autori në hyrje të këtij libri. Në pjesën më të madhe, libri bazohet në arkivin personal të Zejnullahut, të krijuar gjatë kohës së punës në Qeverinë e Kosovës. Ky arkiv është i përbërë nga dorëshkrimet e diskutimeve, fjalimeve, polemikave, letrave, deklaratave, intervistave, në mjete të informimit dhe skicave të shënimeve nga takimet e ndryshme në organet më të larta të Federatës Jugosllave, në ato të Serbisë dhe në Kosovë. Libri bazohet edhe në kujtesën mbi ngjarjet e kësaj kohe. Për shkrimin e librit janë përdorur edhe shumë dokumente zyrtare nga veprimi dhe aktiviteti i Qeverisë.
Titulli: Mbretëresha e Jugut
Autori: Arturo Prez-Revertee
Shtëpia botuese: Bota shqiptare
Çmimi: 1000 lekë
Shtëpia botuese “Bota shqiptare” nxori në qarkullimin romanin e shkrimtarit të shquar bashkëkohor spanjoll Arturo Pérez-Reverte, "Mbretëresha e Jugut".
Ky roman, një nga më të mirët e autorit, është pritur mjaft mirë nga lexuesit në mbarë botën dhe interesi për të ka qenë mjaft i madh. Romani është përkthyer në 40 gjuhë dhe numri i kopjeve i shitur në tërë botën ka kapërcyer 20 milionët. I renditur shpejt në majat e librave më të shitur, “Mbretëresha e Jugut” u kthye në një fenomen editorial. Libri lexohet me ëndje dhe me të do të bëhet një film në Hollivud, me regji të Jonathan Jakubowiczit. Një motiv më i thellë në suksesin e librit është se Reverte ka prekur së gjalli shumë prej lexuesve të vet, sidomos femrat. Brumin për këtë libër autori e ka marrë nga historia gati e pabesueshme por e vërtetë e një femre, portretin e së cilës ai e skalit me një mjeshtëri të jashtëzakonshme. Një histori emocionuese, e ndërtuar mbi përjetimet magjepsëse të baladave të trafikantëve të drogës, ajo të ngërthen në sensualitetin dhe mizorinë, dashurinë dhe tradhtinë, ashtu sikurse është vetë historia e pluhurit të bardhë. Në këtë roman Reverte, me një narracion të shkëlqyer, ka ndërthurur misterin me të vërtetën. Tereza Mendoza, një vajzë e thjeshtë meksikane, që punonte si bariste, arrin të vihet në krye të trafikut të lëndëve narkotike në një rajon të gjerë, duke mposhtur barrierat e maskilitetit dhe kurthet e fatit. Për të mbijetuar, ajo do të braktisë Terezën e dikurshme, vajzën e pafajshme e cila i besoi jetën e saj një kontrabandisti. Do t’i duhet të kërkojë brenda vetes gruan, e cila është aq e fortë, sa për të zbuluar një botë të shëmtuar dhe të rrezikshme si ajo e narkotrafikantëve, një grua të cilën nuk e dinte se ekzistonte. Duke shkelur mbi trupat e të dashurve të saj dhe me nuhatjen e hollë të një profesionisteje, Tereza arriti të sundojë botën e paligjshme të narkotrafikantëve dhe të arrijë majat e pushtetit. Ajo u shfaq kur kartelet kolumbiane kërkonin rrugë alternative për në Evropë. E shndërroi transportin e paorganizuar të lëndëve narkotike në një korporatë që punonte si sahat. Në Mesdheun Lindor, krahas hashashit maroken, ajo krijoi një rrjet të tërë kokaine. Së bashku me mafien ruse dhe italiane ajo zëvendësoi grupimet e tjera mafioze, të cilat përpiqeshin të hidhnin rrënjë në rajon. Mall të vetin ajo kurrë nuk ka pasur, por pothuaj gjithçka varej prej saj. Një histori e paharrueshme kapërcen kontinentet, nga rrugët me pluhur të Meksikës, te ujërat rrëzëlluese të bregut të Marokut, nga Spanja në Ngushticën e Gjibraltarit. Një histori emocionuese e ndërtuar mbi përjetimet magjepsëse të baladave të trafikantëve të drogës, ajo të ngërthen në sensualitetin dhe mizorinë, dashurinë dhe tradhtinë, ashtu sikurse është vetë historia e pluhurit të bardhë. Ajo u bë “Mbretëresha e Jugut” dhe për të u krijuan balada, të cilat edhe sot janë të ndaluara në disa vende të botës.
Titulli: Si e zbulova detin... (1950-1954)
Në shtratin e Prokustit, libri i parë
Autori: Miliano Stefa
Shtëpia botuese: OMSCA-1
Çmimi: 500 lekë
Ka filluar të botojë rregullisht, në të gjitha organet e shtypit dhe periodikët e kohës, qysh në fillim të viteve '50. Në krijimtarinë e tij numërohen vëllime me poezi për të rritur: "Ushtarët"-1959; "Një gërshet i shthurur"–1973; "Kjo natë vlonjate"-1973; "Nëse gdhend varg"–1976; "Tek ky themel"-1980. Vëllime me poezi për fëmijë: "Ne nxënësit ushtarë"–1965; "Ushtari dhe detyra"- 1968; "Orkestra jonë"–1970. Ka botuar dhe vënë në skenë drama, si: “Shokët e klasës”-1969; “Në krye të kolonës”; “Aksioni i parë”; “Një histori e thjeshtë”, etj. Në vitin 1980 u shkëput përfundimisht nga realizmi socialist dhe u vetëpërjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë. Ndërpreu botimet me të gjitha organet e shtypit, por vazhdoi të shkruante.
"Rrëfim" nga Bombei
Titulli: Bombei
Autori: Anita Desai
Përktheu: Eda Gjergji
Roman
Shtëpia botuese: Dora d'Istria
Çmimi: 500 lekë
Anita Desai lindi dhe u shkollua në Indi. Botimet e saj përfshijnë romane për të rritur, libra për fëmijë dhe tregime të shkurtra. "Drita e pastër e ditës", (1980), "Në kujdestari", (1984) dhe "Duke agjëruar, duke festuar", (1999) kanë kandiduar për çmimin Booker, ndërsa "Fshati buzë detit" fitoi çmimin “Guardian” për fëmijë më 1982-n. Anita Desai është anëtare e Shoqatës Mbretërore të Letërsisë në Londër, e Akademisë Amerikane të Artit dhe Letërsisë në Nju-Jork dhe e Kolegjit të Girtonit në Universitetin e Kembrixhit. Ajo jep mësim në programin M.I.T. dhe ndan kohën e saj mes Indisë, Bostonit në Masaçuset dhe Kembrixhit në Angli. "Në kujdestari" u xhirua si film nga kompania “Merchant Ivory”.
Vlerësime
Një nga novelistet më të mira angleze, që shkruan në gjuhën angleze.
"Independent"
"Hugo Baumgarnter, karakteri kryesor i novelës verbuese të Anita Desai, është një çifut i habitur gjatë gjithë jetës së tij në Berlinin e para lufte, përmes peripecive të tij në Kalkuta dhe më pas në Bombei, vende të cilave ai thjesht nuk u përket. Shumë i errët për Firanghi, një i huaj, kudo që të shkojë".
"Daily Telegraph"
"I shkruar shumë bukur... Mbulon një pjesë të humbur të historisë, në portretin e një të mbijetuari të plagosur". "Observer"
"Anita Desai shkruan shumë bukur, me fjalor të pasur dhe me mjaft efekt në përshkrime... arritje e një shkrimtareje superiore".
"Literary Review"
"Ndërtuar me zgjuarsi dhe plot me perceptime të mprehta mbi natyrën njerëzore, nën lëkurën e cilësdo ngjyrë".
"The Times"
"Një libër që bën me turp të gjitha epitetet e vogla dhe klishetë e pacipa që mund të ofrojnë vlerësim".
"London Revieë of Books"
Edhe pse iu largua skenës së mbytur në gjak, iu shmang turmës së mbledhur, me fytyra të njëjta, duke çaluar, me luhatjen e mprehtë dhe syrin pishë dhe nxitoi nëpër rrugë me shpejtësi të pazakontë për të, me një shpejtësi që askush nuk do ta kishte menduar të mundur për ato taka të kuqe të larta, që e kishin humbur qëndrueshmërinë e që luhateshin si të dehura nën peshën e këmbëve të saj të trasha, me vena të mavijosura, e ngadalësoi ritmin kur iu afrua derës. Trupi iu mpi, iu plogështua, lëvizjet iu ngadalësuan, derisa pothuajse mbeti pa lëvizur. Derën e hapi me lëvizje kuturu e të ngathëta. Gishtat e ngrirë dukeshin sikur e kishin harruar gjuhën e të lëvizurit. Duke hyrë në dhomë, ajo e mbylli derën rëndë pas vetes, duke i mbyllur mirë shulat e zinxhirët, nga frika mas e ndiqte turma, mos i afrohej dhomës së saj, duke shembur derën. Kur çdo bravë u kyç, ajo u mbështet në derë në mënyrë teatrale, gjë që ishte e natyrshme për të; ngjeshi pakon e letrave në gji, siç kishte ngjeshur pas gjoksit të saj të kolmë e të ngrohtë një tufë me lule vite më parë, të lidhura
me fjongo rozë e pika të kuqe, duke kënduar si nën dritat e skenës, me gojë të hapur. Goja, si tunel i kuq, nxirrte drithërima dhe gulçima...
Titulli: Figura të shquara të fshatit Delvinë
Autori: Dr. Apostol Kotani
Historia dhe delvinjotët e Shoqërisë së Përmetit
Botues: ASD
Çmimi: 300 lekë
Delvina, një fshat në shoqërinë e Përmetit, ka një histori të lashtë, ku ndër të tjera atdhetarët e saj ndër shekuj i kanë shërbyer kombit në luftërat për liri e pavarësi. Libri i dr. Apostol Kotanit, "Figura të shquara të fshatit Delvinë" ka vlera të mëdha historike për kontributin e 14 atdhetarëve të atij fshati dhe u jep një mesazh brezave për të kontribuar si të parët e tyre në mbrojtjen e pavarësisë, lirisë e demokracisë, në zhvillimin e mbarëvajtjen e vendit. Ilustrimet e librit me dy harta, 22 fotografi, 18 poezi dhe 22 këngë popullore, i rritin vlerat dhe e bëjnë më tërheqës në lexim. Libri ka informacion të bollshëm dhe është shkruar me gjuhën e pastër letrare shqipe.
N. Blushi
Marre nga : Gazeta Metropol











