Bota sa demokratike eshte sot?

Bota, sa demokratike është sot?
Këto shifra janë rezultat i sondazhit botëror "Voice of the People", që zhvillohet rregullisht nga "Gallup International" dy herë në vit. Sondazhi është kryer nga qershori deri në shtator 2008 në 55 vende të botës, ku janë intervistuar 58600 njerëz, të cilët përfaqësojnë pikëpamjet e më shumë se 1.5 miliardë qytetarëve të botës. Shqipëria është pjesë e këtij sondazhi. Më poshtë paraqiten rezultate dhe analiza që u referohen dy shtyllave të demokracisë: transparencës së zgjedhjeve dhe qeverisjes sipas vullnetit të popujve. Zgjedhjet, sa të lira e të ndershme janë? 49% e opinionit botëror ka pohuar se nuk beson që zgjedhjet në vendet e tyre janë të lira e të ndershme, kundrejt 42% e popullsisë botërore që janë optimistë për transparencën e tyre. Shifrat e mësipërme janë rezultante diversitetesh të dukshme opinionesh mbi besueshmërinë e zgjedhjeve, që shfaqen midis rajoneve të ndryshme në botë. Kriticizmi më i fortë për zgjedhje të lira dhe të ndershme është deklaruar nga popujt e Afrikës (21%) dhe atyre të Evropës Qendrore e Lindore (29%).

Optimizmi maksimal është ballafaquar ndër vendet e Evropës Perëndimore (64%). Por shifrat entuziaste të evropiano-perëndimorëve për një sistem transparent elektoral në vendet e tyre duket se konkurrohen fuqishëm nga ato pesimiste dhe dyshuese të Afrikës (63%), Evropës Qendrore e Lindore (57%), si dhe Amerikës Latine (55%). Disi ndryshe qëndron puna në Amerikën e Veriut (Po: 46%; Jo: 43%) dhe Azi (Po: 43%; Jo: 50%) ku, me sa shihet, opinioni lidhur me problemin zgjedhor në këto dy rajone është ndarë më dysh. Krahasuar me një vit më parë, nuk ka sinjale se prirjet e opinionit, në lidhje me transparencën e zgjedhjeve në nivel botëror, janë në kahun rritës. Nga ballafaqimi i rezultateve të sondazheve respektive del se numri i të anketuarve, që janë kritikë kundrejt pyetjes se sa të lira dhe të ndershme janë zgjedhjet në vendin e tyre, është rritur (2%) dhe paralelisht me ta Rezultate të sondazhit global VOP, realizuar nga "Gallup International Association", qershor-shtator 2008 numri i atyre që shprehin mendime pozitive në lidhje me këtë çështje është zvogëluar (5%).

Evropa Perëndimore është rajoni që shënon besueshmërinë më të lartë në nivel global për transparencën e zgjedhjeve. 90% e vendeve me shkallë të lartë besueshmërie për zgjedhje të lira dhe të ndershme i takojnë këtij rajoni të kontinentit. Lista përfshin Danimarkën (86%), Suedinë (81%), Holandën (79%), Portugalinë (70%), Zvicrën (70%) Islandën dhe Spanjën (69%); i vetmi vend me besueshmëri të lartë elektorale, jashtë listës së kontinentit evropian, është Kanadaja (70%). Përkundrazi, Evropa Qendrore dhe Lindore, Afrika e Azia kanë përqindjen më të vogël të opinionit që beson në zgjedhje demokratike: Ukraina (9%), Bullgaria (11%), Nigeria (17%), Kameruni (21%), Bosnjë-Hercegovina (22%), Moldavia (24%), Filipinet (26%), Rusia (27%); Në këtë listë rezultatesh minorene, vendin më të mirë e zënë Pakistani dhe Shqipëria (28%). Vendet, te të cilat niveli i besimit në zgjedhjet është rritur krahasuar me një vit më parë, janë Polonia (66%, +25%), Kolumbia (57%, +22%) dhe Pakistani (28%, +12%). Përkundrazi, një rënie e ndjeshme është regjistruar në dy vende të Ballkanit Perëndimor, Bullgaria (11%, - 22%), tashmë pjesë e Bashkimit Evropian dhe Bosnjë- Hercegovina (22%, -19%).

Popujt, a qeverisen sipas vullnetit të tyre? Gjashtë në dhjetë veta në botë (64%) janë pesimistë lidhur me qeverisjen e vendeve të tyre sipas vullnetit të popullit dhe vetëm 27% e opinionit botëror, pra gjysma e shifrës së mësipërme, shprehet pozitivisht lidhur me këtë çështje. Nga një këndvështrim krahasues rezultatesh, shihet se çështja e qeverisjes, sipas vullnetit të popujve, është një problem edhe më i kritikuar se ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kriticizmi ka prurje të konsiderueshme nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore, (Jo: 71%), nga Amerika e Veriut (Jo: 65%), Amerika Latine (Jo: 64%), Evropa Perëndimore (Jo: 61%), Azia (Jo: 61%) dhe Afrika (Jo: 58%), pra nga e gjithë bota mbarë. Krahasuar me 2007-ën, kahu i opinionit botëror, edhe për çështjen e qeverisjes nga sovrani, nuk duket se është pozitiv: ka rënie të numrit të optimistëve (4%) dhe rritje pesimistësh (1%). Popujt, sipas rajoneve, që mendojnë se qeverisen sipas vullnetit të popullit në vendet e tyre (Sipas Gallup International Association - Voice of the PeopleTM 2008) Rritja e besimit për një qeverisje sipas vullnetit të popullit është regjistruar në disa vende, si Venezuelë (69%, +18%), Panama (36%, +14%), Pakistan (29%, +10%) dhe Kolumbi (44%, +9%). Ndërsa rënia e besimit është e ndjeshme në Senegal (19%, -36% ), por dhe në Islandë (31%, -25%), Hong Kong (39%, -18% ), Suedi (33%, -16%) dhe Greqi (20%, - 15%).

Sociodemografia Sipas këndvështrimit sociodemografik, grup-moshat e reja janë më kritike në lidhje me transparencën e zgjedhjeve: vetëm 37% të grup-moshës nën 30 vjeç besojnë se zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme në vendin e tyre, kundrejt 50% të atyre mbi 50 vjeç. Referuar gjinisë, meshkujt kanë prirje të jenë më optimistë se femrat (44% kundrejt 40%). Arsimi dhe mirëqenia ekonomike, duket qartë nga rezultatet, se luajnë rol në perceptimin e nivelit demokratik të zgjedhjeve: respektivisht 46% e njerëzve me arsim të lartë dhe 65% e atyre me të ardhura të larta besojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, kundrejt 37% të atyre me arsim tetëvjeçar e më poshtë dhe 54% me të ardhura të ulëta, të cilët janë skeptikë për mënyrën e funksionimit të sistemit elektoral. Matrica e Stabilitetit Politik Rezultatet deskriptive të sipërpërmendura janë përdorur më tej për qëllime të mirëfillta analitike, me objektiv matjen e shkallës së sjelljeve demokratike në nivel botëror dhe rajonal. Për këtë arsye, por nga një tjetër këndvështrim, le t‘iu referohemi edhe një herë dy problemeve kyçe të demokracisë të çdo vendi. A janë të lira dhe të ndershme zgjedhjet në vendin të tuaj? A qeveriset vendi juaj sipas vullnetit të popullit?

Me kombinimet e mundshme të përgjigjeve nga këto dy pyetje, të gjithë të intervistuarit janë organizuar në katër subjekte demografike: Të Kënaqurit zbatimi i demokracisë, Të Zhgënjyerit, Të Pakënaqurit, Diletantët. Të Kënaqurit nga zbatimi i demokracisë - janë ata që besojnë se zgjedhjet janë të lira e të ndershme dhe njëkohësisht se vendi i tyre qeveriset sipas vullnetit të popullit; Të Zhgënjyerit - mendojnë se zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme në vendin e tyre, por nuk besojnë se populli qeveriset sipas vullnetit të tij; Të Pakënaqurit - janë mosbesues si për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtu dhe për qeverisje sipas vullnetit të popullit në vendin e tyre; Diletantët (ata që qëndrojnë jashtë problemit)- nuk besojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, por janë të mendimit se vendi i tyre qeveriset nga vullneti i popullit (grupi i diletantëve është ai më i vogli). Katërshja e mësipërme, e organizuar në një matricë, do të shërbejë në gjykimin e sjelljeve demokratike, të cilat kanë lidhje bilaterale me Stabilitetin Politik.

Për këto arsye kjo matricë është quajtur Matrica e Stabilitetit Politik (MSP) Matrica e Stabilitetit Politik "Gallup International", bazuar në të dhënat e sondazheve në nivel global dhe duke i organizuar këto të dhëna në terma statistike (%) në matricën e mësipërme, ka filluar matjen e sjelljeve demokratike botërore që nga viti 1999. Që atëherë e deri më sot vihet re një rënie e vazhdueshme e grupit të Të Kënaqurve nga demokracia. Në vitin 1999, ky grup përbënte 32% të popullsisë botërore; në sondazhin aktual të vitit 2008 ata përbëjnë vetëm 20%, pra brenda këtyre viteve është regjistruar një rënie prej 12%. Po ashtu, për zhvillime në po të njëjtin kah flasin statistikat e grupit më pak entuziast të demokracisë, e Të Pakënaqurve; ky grup ka një rritje nga 38% në 41%, pra rreth 3% brenda së njëjtës periudhë.

Matrica e Stabilitetit Politik, sipas rajoneve botërore Duke vazhduar arsyetimet në terma të Matricës së Stabilitetit Politik, shihet se grupi që dominon në botë është ai i Të Pakënaqurve (41%). Më të spikaturit e Të Pakënaqurve janë vendet e Evropës Qendrore e Lindore (52%) dhe Afrikës (50%). Evropa Perëndimore është e fundit në listën e Të Pakënaqurve (24% kundrejt 41%) dhe e para në listën e Të Kënaqurve nga zbatimi i normave demokratike (26% kundrejt 20%). Por, referuar MSP, duhet thënë se Evropa Perëndimore është më e kënaqura brenda një kornize demokracie të brishtë, sepse, në nivel botëror, vetëm 1 ndër 5 vetë (20%) besojnë paralelisht në transparencë zgjedhjesh dhe në qeverisje sipas vullnetit të popullit. Para së gjithash, vendet e Evropës Perëndimore mund të cilësohen Të Zhgënjyer, sepse të anketuarit e këtij rajoni (33%) dominojnë listën botërore të besimit për zgjedhje të lira dhe të ndershme krahas mosbesimit për qeverisje sipas vullnetit të popullit. Por ç‘mund të thuhet vetëm për vitin e fundit? Referuar vitit 2007, Të Kënaqurit nga demokracia kanë pësuar një rënie prej 7%; por ndërkohë si Të Pakënaqurit dhe Të Zhgënjyerit janë zvogëluar brenda kësaj periudhe (respektivisht me 3% dhe 4%). Por, a mund të interpretohet ky rezultat si një farë ngecjeje procesi, një "statukuo" zhvillimesh demokratike?

Përgjigjja nuk mund të jepet lehtë. Është fakt i njohur se këto analiza janë të prirura të japin konkluzione më të sakta, referuar rezultateve statistike që përfshijnë periudha kohore më të gjata se ato njëvjeçare. Indeksi i Stabilitetit Politik Një parametër që hedh dritë mbi proceset dhe pasojat që lidhen me sjelljet demokratike në vite është Indeksi i Stabilitetit Politik (ISP), i cili përftohet nga agregimi i të dhënave të Matricës së Stabilitetit Politik. ISP përcaktohet nga shprehja: Indeksi i Stabilitetit Politik =Të Kënaqurit nga Demokracia + Të Zhgënjyerit - Të Pakënaqurit. Në tabelën e mëposhtme janë dhënë vlerat e ISP-së për rajonet e ndryshme të botës, nga viti 2003 deri në 2008. Indeksi i Stabilitetit Politik nga 2003- 2008 (Sipas Gallup International Association - Voice of the PeopleTM 2003-2008) Nga tabela e ISP shihet se gjatë vitit 2008 Indeksi i Stabilitetit Politik në nivel global ka vlerë negative (-2%). Vetëm tri rajone në botë kanë shënuar vlerësime pozitive të këtij indeksi. Vlera më e madhe e ISP-së është regjistruar në Evropën Perëndimore (35%); më pas, me një distancë të largët shifrash, vijnë Amerika e Veriut (5%) dhe Azia (1%).

Por nëse ISP i vitit 2008 do t‘u referohej viteve nga 2003- 2007, atëherë rezultatet flasin ndryshe. Kështu, ka një rënie të ISP-së prej rreth 15% për Evropën Perëndimore dhe rreth 19% për Amerikën e Veriut. Në rang botëror, Indeksi i Stabilitetit Politik nga 2003-2007 ka pësuar një rënie rreth 11.5%. Me gjithë rënien e ISP-së gjatë pesë viteve të fundit në Evropën Perëndimore, vendet me vlerën më të lartë të këtij indeksi, edhe gjatë vitit 2008, mbeten kryesisht ato të këtij rajoni: Danimarka, Holanda, Suedia, Luksemburgu, Norvegjia, Zvicra, Finlanda dhe Spanja. Në fund të listës së ISP-së qëndron Afrika (-29%) dhe Evropa Qendrore e Lindore (-25%).

Vendet e Evropës Qendrore e Lindore, ku janë regjistruar vlera më të vogla të ISP-së janë Ukraina (-65%), Bullgaria (-60%), Bosnjë-Hercegovina (-42% ), Moldavia (-38% ), Rusia (-30%) dhe Kroacia (-24%). Por referuar vitit 2003, megjithëse në pamje paradoksale, progresi duket se i takon pikërisht Evropës Qendrore e Lindore. Indeksi i saj ka një rritje prej 7.25%, gjë që duhet t‘i kushtohet rezultantes së ndryshimeve të këtij rajoni në këto vite (futjen në BE të disa vendeve, asociimi në NATO, pavarësia e Kosovës), veçse nuk duhet harruar se kjo rritje ndodhet ende brenda kornizës së vlerave negative të ISP-së të shënuara në këtë rajon. Rezultatet e VOP në Shtetet e Bashkuara Referuar vlerave të VOP 2008, vetëm 43% e opinionit të SHBA-së beson në transparencën e zgjedhjeve, kundrejt 46% të atij që është shprehur mosbesues për to.

Përgjigjet pozitive të opinionit të SHBAsë përbëjnë 1% më shumë se mesatarja botërore (42%) ose 3% më pak se ajo e nivelit rajonal (Amerikës së Veriut, 46%). Nga 55 vendet e anketuara, opinioni i SHBA-së renditet në vendin e 37-të; në terma krahasuese me Kanadanë (70%), SHBA-ja ndodhet 27% më poshtë se ajo çka mendojnë fqinjët e saj veriorë për demokracinë e zgjedhjeve në vendin e tyre. Për sa i përket problemit të qeverisjes, sipas vullnetit të popullit, dy të tretat e qytetarëve të SHBA-së (66%) janë mosbesues kundrejt 21% që janë optimistë për këtë çështje. Lidhur me këtë opinion, SHBA renditen në vendin e 42-të në listën e 55 vendeve të anketuara, duke qëndruar 6% nën mesataren botërore dhe 5% më poshtë se Kanadaja.

Duke zbatuar argumentet e Matricës së Stabilitetit Politik për SHBA-në, të përftuara nga sondazhi VOP 2008, del se grupi dominues në SHBA është ai i skeptikëve të dyfishtë, pra si për transparencën e zgjedhjeve, ashtu dhe për qeverisjen sipas vullnetit të popullit. Kështu, amerikanët, në dallim nga evropiano-perëndimorët, pikësëpari i përkasin grupit të Të Pakënaqurve (39%); pastaj vijnë Të Zhgënjyerit (21%) dhe në fund Të Kënaqurit nga zhvillimet demokratike (18%). Sipas këtij sondazhi, vetëm 3% e qytetarëve të anketuar në SHBA mund të cilësohen Diletantë. Rezultatet e VOP në Shqipëri Sondazhi i VOP, realizuar nga "TNS Index Albania", në Shqipëri, ishte përfaqësues i zonave urbane, me grupmoshat mbi 18 vjeç. 28% e qytetarëve shqiptarë mendojnë se zgjedhjet në vendin e tyre janë të lira dhe të ndershme.

Kjo vlerë është 14% nën mesataren botërore (42%) dhe e krahasueshme (vetëm 1% më pak) me mesataren e rajonit të Evropës Qendrore e Lindore (29%). Lidhur me këtë opinion, Shqipëria renditet e 46-ta nga 55 vendet e anketuara dhe e 9-ta nga 14 vendet e rajonit, duke u renditur pas Kroacisë dhe duke lënë prapa Bullgarinë, Rusinë, Bosnjë- Hercegovinën, Moldavinë dhe Ukrainën. Vendet me rezultate më të larta në nivel rajonal janë Polonia (66%), Kosova (60%) dhe Çekia (51%), ndërsa ato me nivele më të ulëta janë Ukraina (6%), Bullgaria (11%) dhe Bosnjë-Hercegovina (22%). Kur është fjala për qeverisjen sipas vullnetit të popullit, vetëm 18% e opinionit qytetar shqiptar e pohon këtë fakt. Shqipëria, kundrejt kësaj çështjeje, renditet e 45-ta në listën e 55 vendeve të anketuara, duke qëndruar 9% nën mesataren botërorë (27%); ajo zë një pozicion midis vendit të 7-të dhe të 8-të në nivel rajonal, me 1% më shumë se mesatarja e rajonit evropiano-qendror e lindor (17%).

Në terma të Matricës së Stabilitetit Politik, vendin e parë në Shqipëri, referuar dy shtyllave të demokracisë, e zënë Të Pakënaqurit (46.6%). Të Kënaqurit nga demokracia në vend janë vetëm 11.4% e qytetarëve shqiptarë dhe 13.1% janë Të Zhgënjyerit. Duke ndarë pak a shumë me sivëllezërit e tyre të Evropës Qendrore e Lindore të njëjtin nivel kënaqësie (11.3% kundrejt 14%), pakënaqësie (46.6% kundrejt 52% dhe ISP (-22.1% kundrejt -25%), si dhe thuajse të njëjtin nivel zhgënjimi (13.1% kundrejt 13%), shqiptarët ende janë larg standardeve demokratike të evropiano-perëndimorëve, të cilëve aq shumë ëndërrojnë t‘u afrohen, t‘u përngjasin. Rezultatet e mësipërme të sondazhit VOP të "Gallup International" tregojnë se rruga e gjatë dhe jo e lehtë është ende përpara drejt një demokracie më të mirë, më të fortë dhe më të qëndrueshme në botë.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama