Bota e panjohur tiranase e Nene Terezes

Bota e panjohur tiranase e Nene Terezes
Një radio e vjetër “Siemens”. Një sobë e vjetër. Një orë tavoline. Një mangall....Ah, po, dhe një tabelë e shkruar gabimisht shqip-anglisht, jashtë derës. Këto janë trashëgimia e mbetur materiale e familjes së Nënë Terezës në Tiranë. Dy nga ato, Bashkim Zajmi, i nxjerr pas gati një përpjekjeje titanike kontrolli në bodrumin e shtëpisë së tij. Anipse e kish bërë në jetë, që një ditë do t’i mblidhte të gjitha. Duhet një sebep. Dhe ai, mesa duket, jemi ne. Familjen e Hamdi Zajmit e gjejmë lehtë, falë tabelës përkujtimore, që pak vite më parë e zbuluan politikanët shqiptarë, kushtuar Nënë Terezës.

E shkruar gabim, ajo s’ia ngacmon syrin askujt në rrugicën “Hajdar Hidri”, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë...Gjithsesi, Zajmët, ndryshe nga Nënë-terezistët e pafund të kësaj kohe, kanë preferuar të ruajnë gati anonimatin. “Po ne, Hamdi, ku do të na çosh”, -kujton Bashkimi fjalët e Dranes, së ëmës së Nënë Terezës, kur iu drejtuan të atit. “Si gjithmonë, bashkë”, -ia ka kthyer bujarisht burri i familjes kosovare...
...

Në çastin e marrjes së Çmimit “Nobel” më 1979, një nga klerikët, që merrte pjesë në sallë, e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi:“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri.” Gjatë periudhës së Socializmit, Nënë Tereza ishte fare pak e respektuar në ish-Jugosllavi dhe pothuaj aspak e njohur në Shqipëri. Pas një përpjekje të saj individuale, që konsistonte në disa letra, ajo mundi që katër vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës të vinte në Shqipëri. Imazhi i saj u shfrytëzua pa masë nga Maqedonia, republika e re, e pas rënies së Jugosllavisë, dhe nga Shqipëria. Duket se kjo luftë mes tyre pati kreshendon e saj, kur papa Gjon Pali, ishte i vendosur të bënte shenjtërimin e saj.

Tek Zajmët

Historia jonë, që tashmë na e rrëfejnë njerëzit e mbetur të familjes në oborrin e tyre, shkon shumë larg në kohë. Bash atë ditë, kur në një nga zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RPSSH-së thirrën Bashkim Zajmin. Ishte fundi i viteve ’80. “Nuk pata frikë, por as nuk e dija përse po më thërrisnin. Diçka ma mori mendja, -kujton për MAPO-n, Bashkimi 70-vjeçar, i biri më i madh i familjes Zajmi në Tiranë, -por mendova për vizitën e një kushëriri nga Kosova”. Nuk është më koha e represionit dhe shteti komunist ka filluar të lëshojë nga pak. I afërmi i tyre, albanolog në Kosovë, Abdullah Zajmi, ka ardhur dhe një herë tjetër. Sipas rregullave të asaj kohe duhet të bashkërendoheshin të gjitha. Çuditërisht, punonjësit e MB ishin të përzemërt dhe i thanë se duhej të përgatitej për një mik të veçantë?! “Nëse nuk e njoh, nuk mund ta pres”, -iu gjegj Bashkimi. “Do ta njohësh”, -iu përgjigjën burrat.

 Historia pas kësaj është e thjeshtë: Ajo gruaja e vogël, që e kishin parë në TV te lajmet e Italisë dhe që kohët e fundit pëshpëritej gjithnjë e më shumë se ishte shqiptare, kish kërkuar të vinte në shtëpinë, ku kish qëndruar familja e saj...Dhe, shtëpia e saj, ishte shtëpia ku e ëma dhe e motra me të vëllanë kishin kaluar vite të tëra jete, bash te shtëpia e Zajmëve në rrugicën e vogël te Rruga e Kavajës.

Nënë Tereza, ndërkohë, kish kohë që përpiqej të vinte në Shqipëri. Letra e parë e saj ishte dërguar sipas protokollit drejt Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë. Burokratët e kohës nuk i kthejnë përgjigje dhe ajo detyrohet që një letër tjetër t’ia nisë Z. Ramiz Alia, në atë kohë President i Republikës, por edhe me atribute të tjera shumë të fuqishme. Dhe, Nënë Tereza, një grua pragmatiste, i dërgon dhe një letër tjetër edhe kryetares së Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxhës, ku i argumenton se do të shikojë varrin e nënës së saj.

Shqipëria ka filluar përgatitjet për ndryshim. Hapat janë të ngadaltë. Veçse ky rast është i rrallë dhe burokratët shqiptarë duan ta shfrytëzojnë sa më mirë. I akordohet leja dhe veç kësaj, madje pak kohë më vonë, i thonë se duan t’i japin dhe pasaportën shqiptare. Nënë Tereza mban pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia.

Frika e refuzimit tek autoritetet shqiptare davaritet, sepse hapat bëhen të matur. Kur e merr, ajo do të thotë: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty”.

Në të vërtetë

Nuk e ka hapur ende misionin e saj. Shqipëria pretendon se nuk ka të varfër dhe misionin i saj është “anakronik”?! Ndërsa, ashtu si ka kërkuar, vizita e parë në vend, do jetë aty ku ka qëndruar e ëma e saj...Hamdiu, Bashkimi, të vëllezërit, Vera dhe pjesëtarët e tjerë të familjes janë në ankth. Nga Drejtoria e Pritjes (Institucion special për pritje të këtij lloji) kanë ardhur frutat dhe gjërat e tjera, që do t’u duhen për mikpritjen!!! Shqipëria, dihet, është në zgrip të varfërisë. Por Zajmët tregojnë se mbajnë cilësitë më të mira të mikpritjes. Hamdiu, 87-vjeçar, ulet dhe i puth dorën dhe po kështu edhe e bija, Vera dhe mbesa, së cilës edhe i lë një bekim të veçantë.

Oborri është plot me të huaj dhe kuptohet, kudo vigjilon Sigurimit i Shtetit. Zajmët i presin në shtëpinë e tyre të thjeshtë, të tipit elbasanas dhe atje janë djemtë, pleqtë dhe dy vajzat ende të pamartuara... sak në këtë vend, ku jemi dhe ne dhe që tash po ndajmë me të zotin e shtëpisë. Kuptohet se ka vdekur prej vitesh Hamdiu, e shoqja, por i biri, nën hijen e kopshtit që rrethon gjithçka, tregon se di të jetë një njeri i saktë. Bashkë me amvisën e tij të kujdesshme dhe fëmijët i kalojnë caqet e një familjeje mikpritëse, që tashmë ka më shumë zakonet e Tiranës. Na bëjnë udhë për gjithçka.

Burri mban fotot e Nënë Terezës me familjarët e tij, ndërsa për sendet është pak më i shpërqendruar. Një moment, në mes të rrëfimit futemi bashkë në bodrum, që pak orë më vonë, kur do të rikthehemi, ai e ka kthyer ‘mbrapsht’, për të na ndihur. Aty, mes gjërave të shtëpisë, janë dhe gjërat e saj. Dhe, mrekullia është se kjo familje, asnjëherë s’ka bërë zhurmë. Orenditë kanë qenë thjesht gjërat e shtëpisë. Familja Bojaxhi ka ardhur më ‘33-‘34 dhe kanë qëndruar deri më 1946.
...

Nënë Terezës i bën udhë në dhomën e pritjes. Ajo është përgatitur dhe dikur ka mbajtur pjesëtarët e familjes së Nënë Terezës. Bamirësja bisedon pak minuta më vonë me Hamdiun. Kokë më kokë. Bashkimi, që në foto është shumë më i ri, kujton se ajo i pyet fillimisht për familjen. Vërtetë nuk flet shqip, por e shikon në sy burrin që duket se i kupton çdo fjalë. Një motër e urdhërit të saj nga Kosova, përkthen. “Shiko, -thotë befas Bashkimi dhe tregon fotot, -shiko si flasin me njëri-tjetrin.

Ajo patjetër që kuptonte shqip. Kur flasin për Kosovën, ajo e përqafon”. Futen në rrjedhën normale të bisedës. Nënë Tereza e pyet për familjen e saj dhe gjithë ato kujtime, që ajo s’do t’i marrë vesh asnjëherë prej të dashurve të saj, që tashmë kanë vdekur. Dhe, historia e prek.

Historia me pak fjalë

Dhe ka pse të preket. Plaku ia shpjegon thjesht. Hamdiu, i ati i Bashkimit, një nga këpucarët e vjetër të Tiranës, ka pasur një dyqan, aty ku sot ndodhet monumenti i “Partizanit të panjohur”. Mes klientëve të shumtë është dhe e ëma e Nënë Terezës. Plaku e kish fiksuar, Dranen, gruan e shkurtër, që ngjasonte shumë me Nënë Terezën. “Babai e ka marrë shtëpinë, ku prindërit e saj ishin qiraxhinj, më 1946-n. Ishte rastësi që e bleu.

Kishim një shtëpi përballë Wolkswagen-it, tani dhe e kish fiksuar plakën e shkurtër. Madje, edhe kallupin e mbaja vetëm për të, u thotë njëherë fëmijëve...Gruaja e kish marrë vesh që pronari i ri i shtëpisë do ishte vetë ai.

 I tha se ku do shkojmë ne? Do t’ju çojë të shkoni te shtëpia ime. Mos u merakosni! Ne banonim deri më atëherë me xhaxhain, Avni Zajmin, Mësues i merituar i fizkulturës”, -kujton burri. “Sipër ishte xhaxhai dhe poshtë ne. Në vendin tonë lamë familjen e Nënë Terezës. Babai gjeti një karrocë të madhe që u mblodhi plaçkat.

Disa plaçka të dhomës së vëllait të Nënë Terezës, Llazit, ajo i la për ne. “Merri se nuk kam ku t’i lë!”- i tha. Dhe i bleu radio që atëherë ishte e mirë, “Siemens”. I la një sobë druri. La edhe një krevat, ku flinte Llazari. Ne i mbajtëm ato, jo vetëm se na duheshin, por edhe për respekt. Megjithëse u transferuan, babai s’u ka marrë kurrë qira. Nuk di më vonë...” -kujton Bashkimi.

Më pas

Gratë s’marrin shumë orendi, sepse nuk kanë ku t’i çojnë, por edhe se nuk mund të harrojnë shpirtmadhësinë e familjes. Zajmët i mbajnë si njerëzit e tyre dhe jo vetëm se janë të ardhur nga viset shqiptare jashtë, por kanë edhe një gjë më shumë që i afron: Shpirti i mirë. Drania dhe Agia, njerëzit e Nënë Terezës tregojnë se janë dhe gra shumë të edukuara. Me kalimin e viteve, ato flasin gjithnjë e më pak dhe mbeten përherë e më shumë të izoluara. Agia punon në Radio Tirana.

Disa kohë edhe në ambasadën e ish-Federatës dhe kur mbetet pa punë detyrohet të punojë si përkthyese. Bashkimi i mban mend të dy gratë, sesi kur çelin frutat në oborr, i qerasin të gjithë banorët. “I takonim. Sa herë shkonim aty, shkonim te xhaxhai. Ishin femra shumë të mira dhe mikpritëse dhe na qerasnin dhe pastaj...Lidhjet i kishim me xhaxhain dhe ne kurrë s’ua morëm paratë e qirasë. Nuk di, të jem i sinqertë si kanë proceduar me xhaxhain. Kur fëmijët e tij u rritën, në fund morën një shtëpi te “Petro Nini” dhe aty kanë vdek.

Por këtu vinin shpesh sepse kishin nostalgji”. Atëbotë, familja që ruan reliket e Bojaxhinjve mbas disa vjetësh një pjesë të tyre i zhvendos natyrshëm në bodrum, nuk di një gjë interesante, se një nga pjesëtarët e familjes ka atë famë. Në fakt, pothuaj pakkush e di famën e Nënë Terezës. Izolimi ka mbyllur gjithçka. Nuk dinit asgjë?, -e pyes. “Me thënë të drejtën, s’dinim asgjë. Dinim që kanë vëllain në Itali dhe absolutisht asgjë. Më vonë me anë të radios morëm vesh se kishte motër. Të paktën ne. Kështu që lidhjet i kemi mbajt. Baba meqë ishte kosovar...i mbajti. Dy femra që s’kishin burrë fare në shtëpi... Vajza e xhaxhait kishte lidhje më shumë...”.

Në pjesën e fundit

Pak u bën përshtypje sot Zajmëve kjo rendje e njerëzve, por mikpritja e tyre ka bërë që Nënë Tereza në radhën e atributeve të saj, të ketë pa mëdyshje dhe përcaktorin e TIRANËS. Familja Zajmi në Tiranë në vitet e fundit ka pasur mysafirë pa fund. Që nga kryeministri Berisha, Ministrat e Kulturës, këshilltarë dhe shumë nga urdhëri i Nënë Terezës. Këta të fundit dhe kushdo, që vjen kërkon të shkojë dhe të lutet bash në vendin, ku u ul Nënë Tereza.

Ndërkaq, burokratë të ndryshëm kanë ardhur më vonë sesi mund ta bënin aty shtëpinë e saj muze dhe të tjera. Bashkim Zajmi, që ruan një formë të mirë dhe që gjatë bisedave tona të gjata del dhe një njeri shumë i arsyeshëm, i ka dëgjuar të gjithë me kujdes. Më i madhi i fëmijëve të Hamdiut, dhe në një farë mënyre dhe përfaqësuesi i tyre, tashmë është i ndërgjegjshëm për përmasën e asaj që bëri familja e tij. Sa për premtimet e politikanëve dhe fjalët e gazetarëve, ai preferon t’i kalojë me një buzëqeshje të qetë...Në fakt ç’mund të bëj tjetër?! Është ende ngushtë dhe kjo sakrificë, në këtë kohë, duhet thënë se të lë shumë të mëdyshosh.

Në vitin 1991 presidenca shqiptare krijoi dekoratat me tituj Urdhëri “Nënë Tereza e Artë” dhe “Nënë Tereza e Argjendtë”. Z. Alia nuk e dha ndonjëherë, ndërsa Berisha në vazhdën e dorëlëshimeve të tij e dha aq shumë këtë urdhër, sa e bëri si zakonisht inflamativ. Presidenti R. Meidani gati e harroi, shkruhej diku. Por, në familjen Zajmi gjërat rrjedhin qetë. Në kohën e Luftës së Kosovës bëhen strehë për plot 12 kosovarë, bashkëpatriotë të tyre. Mikpritja është mikpritje dhe është më e madhe se dekoratat...

Për orenditë

Me Bashkimin biseda bëhet gjithnjë në oborr. Pas ’90-s bëhet një garë se kush e njohu më parë, kush i dha dorën, kush e pa dhe çfarë ajo i tha. Për Zajmët të gjitha këto kanë fare pak rëndësi. Ashtu, si nuk kanë dashur që të përshfaqen dhe të rrahin gjoksin me të madhe, se vetëm ata mundën që të ruanin diçka prej saj. Tradita e përzierë e zakoneve të Kosovës me Tiranën e kësaj familjeje është një shembull, që mund të kujtojë këtë rendje të frikshme protagonizmi ndaj saj. Ndaj dhe askush prej tyre s’është interesuar për të bërë Pazar me orenditë e saj. Pak javë më parë në Shkup, kam parë një shtrat, një llampë dhe shumë më tepër orendi të familjes së saj, që maqedonët në Shkup i kanë kuruar këndshëm. Ia them Bashkimit, që s’ka rastisur t’i shohë. Por në fakt ç’t’i duhen? Ai i ka vetë. Befas na flet për familjen e tij, që gjatë ditëve të punës dhe kontrollit dhe fotove i kemi njohur nga afër...S’kemi shumë kohë.

...Duhet të kishte diçka shenjti, na thotë në ikje. Askush si kish lajmëruar fqinjët atë ditë në rrugicë dhe të gjithë dolën jashtë për ta parë. Më pas me ardhjen e demokracisë do të flisnim dhe do të na pyesnin nëmos kishim lidhje gjaku, por kur kujtoheshin se ata ishin katolikë dhe ne të besimit mysliman, tërhiqeshin, kujton burri. “Ajo donte ta blinte shtëpinë dhe bisedoi me babain. Babai u tregua xhentil, por nuk ndanë fjalë. Nuk mori asgjë me vete. Vetëm në fund kërkoi një çentro. Ta marr një,- i tha gruas. Do t’ia çoj motrave ta kenë kujtim nga Shqipëria. Asgjë nuk futi në gojë. Mori një amaretë e mbështolli me atë. E thjeshtë , me pantofla, zbathur, ashtu u largua...”.
...
Në fakt s’erdhi më. Me kohë ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve u morën me shenjtërimin e saj, një pjesë e tërë u mor me letrat e saj, ku tregohej një periudhe krizë besimi e saj. Pader Brian Kolodiejchuk, zëdhënësi i Misionareve te Karitasit, dhe themelues i urdhërit “Nënë Tereza e Kalkutës”, botoi librin me letrat intime të Nënës Terezë, “Come be my light” (Eja, bëhu drita ime) . Në letrën e 26 dhjetor 1959, At Picachy-t , ajo i shkruan: “Në zemrën time nuk ka fe... s’ka dashuri... s’ka besim...

Ka shumë dhembje... Unë nuk falem më... Unë nuk kam fe... Unë nuk besoj... ” Gjithsesi përkrahësit e denjë të Nënë Terezes, këtë mosbesim ose dyshim në besimin e vet, e krahasojnë me fjalët e fundit të Jezusit, për të cilat dëshmon Mateu: ““Eli, Eli lema Sabakthani (Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje) ”
...

Por kjo s’është tema jonë me Bashkimin, që prej tre ditësh na përcjell me mirësjellje në atë rrugicën e thjeshtë në rrugën “Hajdar Hidri”. Qëndrojmë pak minuta para pllakatës së shkruar gabim, ndërsa burri na heq udhë. Mikpritja e tij është çmim më i madh për atë që ne duam të identifikojmë me Nënë Terezën. Ah, harroj të pyes dhe ia kërkoj në fund: A janë ftuar në festimet për Nënë Terezën. Ngrenë supet. Ne ikim.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama