Bota e madhe e baktereve zotet dhe padronet tane

Bota e madhe e baktereve, 'zotet' dhe padronet tane
Pjesa më e madhe e mikroorganizmave që jetojnë në trupin tonë mund të quhen “bashkëpunëtorë të dobishëm” ose parazitë të padëmshëm. Na ndihmojnë të tresim ushqimet dhe të marrim vlerat ushqyese prej këtyre të fundit. Sintetizojnë vitaminat e rëndësishme dhe proteinat antiinflamatore, proces të cilin gjenet tona nuk dinë ta kodifikojnë; gjithashtu stërvitin sistemin imunitar për të luftuar “ndërhyrësit” që mund të na infektojnë. Bakteret që jetojnë në lëkurë sekretojnë një lloj lagështie natyrore që parandalon formimin e çarjeve nga ku mund të futeshin mikrobet patogjene.

Streptokoku

Pamja e qelizave të streptokokut në mikroskop elektronik, marrë prej një kampioni laboratorik. Ky bakter mund të shkaktojë infeksione vdekjeprurëse, por shumë prej pjesëve të tij janë të padëmshme, ashtu si mijëra mikroorganizma të tjerë beninj që gjenden në trupin tonë. Në përgjithësi, numri i mikroorganizmave që jetojnë te ne është dhjetë herë më i lartë se qelizat tona dhe peshojnë sa truri ynë: rreth 1,350 gramë mesatarisht (në moshë të pjekur). Kjo është edhe arsyeja që secili prej nesh konsiderohet si një organizëm ose ekosistem me popullsi të dendur; habitate ku jetojnë mikrogjallesa të ndryshme, njësoj si xhungla me kafshët e saj.

Bakteriofagu

Të quajtur ndryshe fage, këto viruse që infektojnë bakteret janë me bollëk në planet (më shumë se yjet e universit). Në trupin tonë numri i tyre është aq i madh sa nuk mund të përcaktohet.

“Caulobacter Crescentus”

Ky bakter i zakonshëm ujor riprodhohet në mënyrë asimetrike. Kur një qelizë ndahet, njëra nga qelizat bija (e pajisur me një zgjatim të hollë) mund të notojë lirisht. Qeliza tjetër bijë, që i ngjan më shumë një bishti, qëndron palëvizur duke u ankoruar mbi çdo lloj sipërfaqe përmes një “ngjitëseje” që cilësohet si më e fuqishmja në botën shtazore. Ajo mund t’i rezistojë një force jashtëzakonisht të madhe: një tonelatë për centimetër katror.

Bakteriofage në veprim

Bakteriofage teksa largohen nga një streptokok thuajse pajetë. Tashmë këto mikroorganizma janë gati që të gjejnë viktimën e radhës. Duke qenë se kanë aftësi të infektojnë dhe të vrasin pjesë të veçanta, kjo cilësi në të ardhmen mund të shfrytëzohet për të zbuluar kurat e reja kundër baktereve rezistente ndaj antibiotikëve.

Bakteret e zorrëve

Zorrë njeriu të pushtuara nga baktere, shumë prej të cilave akoma nuk janë identifikuar. Këto mikroorganizma na ndihmojnë të tresim ushqimet, të thithim substancat ushqyese, na mbrojnë murin intestinal. Gjithashtu ndikojnë në rregullimin e peshës trupore dhe na mbrojnë nga sëmundjet autoimune.

Helikobakter Pylori

Prania e “Helikobakter Pylori” (me ngjyrë të hapur), një bakter i zakonshëm që jeton në muret e stomakut, rrit rrezikun e ulcerës gastrite dhe kancerit (në foto, qelizat me ngjyrë të errët). Me kalimin e kohës është zbuluar se ky bakter mund të reduktojë aciditetin e stomakut dhe refluksin gastrit, duke kontribuar në parandalimin e kancerit të ezofagut. Duket sikur ka funksion mbrojtës edhe ndaj alergjive e astmës. Sipas disa shkencëtarëve, shtimi i këtyre patologjive në botën e industrializuar mund të lidhet me mungesën e “Helikobakter Pylori” në stomak, ose me marrjen e dozave të larta të antibiotikëve gjatë fëmijërisë.

Penibacilus

Një koloni e rritur në laborator shkencor. Në këtë pamje mikroorganizmat janë në kërkim të ushqimit. Këto baktere mund të veprojnë kolektivisht, duke komunikuar përmes sinjaleve kimike.

Cianobaktere

Cianobakteret e vogla kanë pasur një rëndësi të madhe në historinë e Tokës: kanë qenë ato që përmes fotosintezës kanë krijuar atmosferën e pasur me oksigjen të planetit tonë. Forma të vjetra të këtyre mikroorganizmave janë zhvilluar te kloroplastet, që janë përgjegjëse për procesin e fotosintezës së bimëve.

Flora bakteriale e gojës

Në gojën e njeriut jetojnë një gamë e gjerë mikroorganizmash. Disa prej tyre ngjiten në mukozë (në foto ato me ngjyre të errët) pak ditë pas lindjes. Gjallesat e dëmshme krijojnë pllakën bakteriale që favorizon prishjen e dhëmbëve; ose kolonizojnë hapësirat mes dhëmbëve dhe mishrave, duke shkaktuar patologji si paradontiti.

Stapfilokockus Aureus

Ky bakter jeton në hundën e një të tretës së popullsisë së botës pa shkaktuar dëme. Por mund të bëhet edhe “i keq”, duke shkaktuar infeksione të lëkurës ose dëme akoma më të mëdha. Përdorimi masiv i antibiotikëve duke filluar nga mesi i shekullit të kaluar, ka shkaktuar zhvillimin e pjesëve rezistente dhe vdekjeprurëse.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama