Deri më sot e njihnim jo vetëm si një nga muzikantët më mitikë në botë, por edhe për dhuntitë e tij prej shkrimtari, poeti dhe aktori filmash. Por duket se Robert Allen Zimmerman, i njohur me emrin e artit Bob Dylan nuk ndalet këtu.
Këto ditë u hap një ekspozitë, që do të zgjasë deri në datën 3 shkurt 2008, në muzeun "Chemnitz" në Gjermani, dedikuar ekskluzivisht vizatimeve dhe pikturave të yllit të rock'n rollit. Ekspozita titullohet "Drawn Blank Series", ku përfshihen 170 krijime të Dylan kryesisht në vitet 1989-1992. Deri më sot muzikanti nuk kishte menduar asnjëherë të ekspozonte punët e tij artistike në një ekspozitë. Duket se për ta bindur ka ngulmuar kuratorja e muzeut gjerman Ingrid Mössinger. Gjatë një vizite në New York kuratorja pa vizatimet me laps të Dylan për një libër të titulluar "Drawn Blank". Mbeti e befasuar dhe menjëherë i bën një ftesë këngëtarit, për të paraqitur punët e tij në muzeun e ish-Gjermanisë Lindore. Dylan e pranoi ftesën dhe gjatë 8 muajve ka realizuar 320 vizatime, mes të cilëve vlerësohen më së shumti peizazhet, imazhe nudo femërore dhe portrete. Një prej punëve më të pëlqyera dhe të frymëzuara është imazhi i një gruaje, të cilën këngëtari e ka ndeshur në një pub në Blackpool në Angli, në vitin 1992. Mes një numri të madh vizatimesh u bë një seleksionim.
Dylan iu qas artit, pas një aksidenti me motor në vitin 1966 dhe që e mbajti larg skenës për një periudhë të gjatë kohore. Gjatë viteve '70 lidhi një miqësi të fortë me piktorin ekstravagant Norman Raeben, i cili i zbuloi sekretet e pikturës. Në intervistat e tij të shumta, Dylan gjithnjë ka folur për pushtetin e artit. "Pikturat e mëdha duhet të ekspozohen në vende të frekuentuara shumë nga njerëzit", - do të thoshte në vitin 1966. "Njerëzit do të ndiheshin më mirë nëse do të shihnin dhe admironin çdo ditë një pikturë të Picassos në vendet që frekuentojnë për të ngrënë". Bob Dylan lindi në vitin 1941 në Minnesota. Gjatë 40 viteve të karrierës numëron një numër shumë të madh albumesh, singëllash, kolonash zanore, koncertesh, etj. Etj. Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Dylan iu rikthye skenës në vitin 2004, më i ri se më parë.
Marre nga : Gazeta Shekulli











