Blushi Jam me pronaret jo me qeverine obeze

Blushi: Jam me pronaret, jo me qeverine obeze

Ligji “për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” shkaktoi debate të forta deri pas mesnate në parlament.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se drafti nuk është perfekt, por më i miri i mundshëm.

PD paralajmëroi se do ta shfuqizojë sapo të vijë në pushtet. Kundër ligjit u shpreh dhe deputeti socialist, Ben Blushi, i cili tha se është me pronarët dhe jo me qeverinë obeze.

“Duhet të pranoj që në fillim me sinqeritet se kam qenë skeptik për titullin e këtij ligji, sepse po të lexosh një titull ligji që ka në përbërjen e tij fjalën trajtim, sigurisht që të lë diçka për të dyshuar. Por më duhet të pranoj që në situatën ku jemi, e vetmja gjë që na duhet të bëjmë me shumë përgjegjshmëri është trajtimi i kësaj çështje, sepse për hir të së vërtetës ka qenë dhe mbetet e patrajtuar ose e trajtuar keq ose shumë keq. Kemi sot një faturë të kripur financiare që buron vetëm nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut. Rreth 106 vendime janë sot në pritje për t’u zbardhur, që kushtojnë gjithsej 560 milionë euro,” tha Manjani.

“Ne po ua marrim pronën për herë të dytë pronarëve, kur ne kemi mundësi t’ua kthejmë sot. Dhe prapë unë pyes qeverinë: Ku e çon qeveria tepricën, ligji nuk e saktëson, ku do ta çojë këtë tepricë, të cilën nuk ia kthen pronarit? Unë jam kundër që shteti të marrë pronat e tepërta, sepse nëse shteti merr pronat e tepërta, ato që nuk i takojnë në fakt, shteti bëhet obez. Ne nuk jemi një shtet obez. Unë jam i majtë dhe shteti duhet të ketë më shumë përgjegjësi. Por shteti duhet të ketë përgjegjësi aq sa mund të mbajë mbi kurriz dhe ai nuk ka pse u merr njerëzve prona, të cilat nuk i takojnë, dhe nuk ka pse të jenë të vetat. Ky ligj këtë përgjigje nuk e jep për fat të keq. Kjo e zhyt shtetin në obezitet, në korrupsion, sepse dikush do i shesë ato prona, ato teprica që pronarëve nuk i kthehen”, tha Ben Blushi.

“Këtë lloj turpi dhe këtë lloj palaçollëku, nuk mund ta inxhinieronte, arkitekturonte askush tjetër përveçse dikush që del direkt nga filizi i komunizmit. Është e pamundur ndryshe dhe nuk ka shans ta mendosh ndryshe. Ky është rishpronësim pa pikën e dyshimit dhe sigurisht që pronarët nuk kanë se si të presin ndonjë gjë prej jush, sepse ju ngrini në piedestal edhe sot në këtë foltore ata që ishin xhahilët e kohës së komunizmit. Sigurisht pra, ata nuk mund të presin ndonjë gjë të madhe, por kjo është paturpësia më e madhe kur thoni që kjo është ajo që kërkon Strasburgu. Por Strasburgu e ka thënë me të drejtë që mekanizmi i kompensimit nuk është efikas, por nuk i ka shkuar as në ëndrrën më të keqe ndërmend që të zhduket e drejta e kthimit. Në borxhin e kemi të atillë, që kur me mendje të freskët të kthehemi në pushtet, ky ligj nëse miratohet, do të shfuqizohet”, tha deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama