TIRANË, 19 Tetor / ASTH / - Bujar Luca, artisti i njohur shqiptar, krijimtaria e të cilit është e mirënjohur në vende të ndryshme të botës, ditën e merkure do të prezantojë për publikun dhe miqtë e Galerisë Kombëtare të Arteve, ekspozitën e parë vetjake "Black Box".
Artisti që numëron rreth 20 ekspozita vetjake dhe në grup, pasi ka koleksionuar dhe çmime si, "Ambasador i kombit", Medalje nga Presidenti Bamir Topi në vitin 2008, "Medalje argjendi" nga Fondacioni Richard Lounsbery në vitin 2006, tre herë çmimin e parë në festivalin e filmit shqiptar si "Kostum Krijues" në vitet 1979 - 1981 - 1985, rikthehet në kryeqytet pas 11 vitesh mungesë.
Për të "riatdhesuar" artin e tij, Bujar Luca do të ndajë me anën e kësaj ekspozite, atë qe ka krijuar si një artist, i cili ka jetuar nën diktaturën komuniste.
Ndërkohë që veprat e artistit Bujar Luca janë koleksionuar në qytete të mëdha si, Parisi, Nju Jorku, Londra, Moska, Brukseli, ai sjell në Tiranë ekspozitën e tij nëpërmjet së cilë ai do të tregojë atë çka mund të arrijë artisti i një vendi të Lindjes, kur krijon me kurajo dhe guxim, kur emocionalisht e udhëheq imagjinata, dija dhe talenti.
"Black Box" i Lucës dhe veprat e tij do të sjellin nëpërmjet kësaj ekspozite teknika si miks në letër dhe miks në telajo.
Bujar Luca është ndër artistët bashkëkohor shqiptar, i cili me artin e tij lartëson cilësinë e prezantimeve tona ndaj një publiku të mirëinformuar dhe të edukuar me artin bashkëkohor.
Bujar Luca ka punuar në Kinostudio "Shqipëria e Re", deri në vitin 1990, vit që shënon largimin e tij nga Shqipëria.
Nga ajo kohë punon, krijon dhe jeton në Paris, vend të cilit i ka kushtuar me pasion energjitë më të mira krijuese.
Luca ka përfunduar studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë nga fundi i viteve 70.
Ka punuar mbi 20 filma si krijues kostumesh dhe skenograf gjatë 13 vitesh.
Kjo eksperiencë dhe ajo e grumbulluar gjatë 25 viteve në Paris kanë formuar personalitetin e tij artistik.
Ekspozita "Black Box" do të çelet në 21 tetor ora 19:00 e do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 15 nëntor.
/k.m/