Bien te ardhurat e familjeve 1 ne 3 shqiptare me borxhe

Bien te ardhurat e familjeve, 1 ne 3 shqiptare me borxhe

Nga vrojtimi i familjeve rezulton një rënie me 4% e numrit të anëtarëve që sigurojnë të ardhura, krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe një vit më parë. Ndërsa numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit arrin në 29%. Banka e Shqipërisë vlerëson se në shpërndarjen e familjeve sipas nivelit të të ardhurave, ka vijuar tendenca e rënies së peshës së familjeve në nivelet ekstreme të të ardhurave (të sipërm ose të poshtëm) dhe përqendrimit rreth nivelit mesatar ose nënmesatar. Rreth 55% e familjeve huamarrëse i përkasin grupit me të ardhura mujore në kufijtë “17-50 mijë lekë”, në ulje nga 6-mujori i kaluar, duke rënë nën mesataren e deritanishme.

 

Në rreth 40% të rasteve të huamarrjes, familjet iu janë drejtuar burimeve formale, të tilla si banka dhe institucione financiare jobankare dhe në 60% të burimeve joformale, si persona fizikë dhe huamarrje nga dyqanet. Dy qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve janë “blerja/riparimi i një prone” në 34% të rasteve dhe “konsumi” në 32% të rasteve. Krahasuar me 6-mujorin e kaluar, pesha e huamarrjes me qëllim “blerje/riparim prone” nuk ka ndryshuar, ndërsa pesha e huamarrjes me qëllim “konsumin” ka shënuar rënie me 5 p.p, pas një tendence në rritje gjatë dy viteve të fundit. Aftësia paguese e familjeve gjatë periudhës ka rezultuar -12.5%, duke treguar përkeqësim të aftësisë paguese të familjeve, por me ritëm më të ulët se 6 muaj më parë. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese”, në 48% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore “rënien e të ardhurave familjare” dhe, në 38% të rasteve, “rritjen e shpenzimeve të jetesës”. Lidhur me pritjet mbi aftësinë paguese në 6 muajt e ardhshëm, balanca neto e përgjigjeve ka rezultuar 1% rritje, çka tregon një tendencë graduale në përmirësim.

 

Situata është përkeqësuar edhe për bizneset. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, ndërmarrjet aktive raportojnë një rënie të nivelit të shitjeve, duke u shoqëruar me ulje të rezultatit financiar, edhe pse më e moderuar në krahasim me një vit më parë. Pavarësisht raportimit për rënie të shitjeve, varësia e bizneseve nga shitjet për financimin e veprimtarisë vijon të mbetet e rëndësishme. Në krahasim me fundin e vitit 2013, ka një rritje të përdorimit të shitjeve si një burim i vetëm i financimit të veprimtarisë së bizneseve, veçanërisht nga sektori i industrisë. Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e ndërmarrjeve kanë përdorur shitjet në kombinim me huamarrjen bankare për financimin e veprimtarisë së tyre.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama