2015-a do të jetë viti i dhurimeve. Nisur nga shembulli i albanologut Gustav Weigand, biblioteka fton albanologët, studiuesit apo shkrimtarët t’i bashkojnë fondin e tyre personal këtij institucioni
Biblioteka Kombëtare do të zgjerohet. Nisur nga gjendja e vështirë në të cilën janë librat në fondin e këtij institucioni, prej vitesh është menduar zgjerimi i saj. Dje, në një takim me median, drejtoresha Persida Asllani tha se gjithë pjesa jugore e godinës ku ndodhet aktualisht Instituti Italian i Kulturës do t’i kthehet Bibliotekës. Kjo do t’i japë më shumë frymëmarrje jo vetëm librit, por dhe do të krijojë hapësira të reja për salla leximi apo zyra pune për punonjësit. Kushtet në të cilat punojnë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare janë shumë larg standardeve që duhet të ketë një institucion që merret me librin. Megjithëse nuk dha një afat se kur do të nisë puna, Asllani tha se zgjerimi i hapësirës është i domosdoshëm për librin, sidomos fondin. Në pak muaj, në krye të këtij institucioni, drejtoresha foli dhe për vizionin e saj për vitin 2015, një vit që sipas saj do të donte t’ia kushtonte dhurimit. Janë të pafundme koleksionet e bibliotekave private të albanologëve, studiuesve apo shkrimtarëve që pas vdekjes përfundojnë në duart e të afërmve që shpesh nuk dinë t’i administrojnë. Bërja pjesë e këtyre koleksioneve që mund të jenë të çmuar për kulturën dhe historinë tonë duket se është një sfidë që do ta pasuronte bibliotekën. Kjo ide ka nisur nga rasti i studiuesit të njohur gjerman Gustav Weigand, i cili, në vitin 1930, i dhuroi 81 tituj të koleksionit personal albano-balkanologjik Bibliotekës Kombëtare. Këtë vit, Biblioteka do të kujtojë dhe me një ekspozitë dhe referim shkencor 115-vjetorin e lindjes së Weigand. “Përmes këtij përkujtimi, Biblioteka e shpall dhe vitin e 95-vjetorit të themelimit të saj si vit i dhurimeve për pasurimin e fondeve albano-balkanologjike”, tha Asllani. Duke treguar rastet e dhurimeve në Bibliotekë, Asllani iu referua gjestit të albanologut dhe përkthyesit Robert Elsie, që të gjitha librat që blen në vende të ndryshme për studime të ndryshme mbi shqipen, pasi përfundon, studimin ia dhuron Bibliotekës. Për sa i përket restaurimit të librave, Asllani tha se ky proces vazhdon të kryhet normalisht në Bibliotekë nga ekipet e specializuara për këtë proces. Nuk do të mungojnë këtë vit dhe përkujtimi i lindjes apo vdekjes së personazheve të njohur të letrave, siç është dhe rasti i dy emrave të njohur të historisë, Fan Noli dhe Faik Konica.
Këtë vit, Asllani do t’i kushtojë vëmendje dhe përvjetorëve të librave. “Çeta e profetëve”, këtë vit, ka 330-vjetorin e krijimit. “Çeta e profetëve” është një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Fakti që është e para vepër origjinale në gjuhën shqipe, në krahasim me veprat e autorëve paraardhës që ishin kryesisht përkthime, e bën tepër të rëndësishëm këtë libër. Karakteri origjinal i veprës duhet marrë në mënyrë relative për karakterin fetar që kishte, por duhet thënë që nuk është mbështetur në ndonjë autor të caktuar në formë përkthimi. Tematika e larmishme i shton rëndësinë veprës. Aty gjejmë që nga tematika fetare, historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike, poezi. Kjo larmishmëri temash çon edhe në larmishmëri stilesh, që është një tregues i shkallës së lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë. Dhe padyshim ky është një gur i rëndësishëm në themelin e gjuhës së sotshme shqipe.
Drejtorja Persida Asllani thotë se Biblioteka Kombëtare do të zgjerohet. Sipas saj, e gjithë pjesa jugore e godinës, ku sot është Instituti Italian i Kulturës, do t’i kthehet Bibliotekës. Asllani flet edhe për restaurim dhe salla të reja leximi bashkëkohore, por nuk jep një afat se kur do të nisë puna konkretisht. Këtë vit, Biblioteka shënjon dhe 95-vjetorin e krijimit, çka do t’i japë më shumë ritëm aktiviteteve të saj. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSH), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10-korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore. Më 1920, ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Pas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit si BKSH, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti BKSH me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Ngjarje me rëndësi për BKSH, por dhe për kulturën kombëtare, ishte dalja më 31.05.1948 e dekretit “Mbi dërgimin e detyrueshëm të shtypshkrimeve Bibliotekës Kombëtare”, sipas të cilit asaj i dërgoheshin falas një numër ekzemplarësh të çdo shtypshkrimi të vendit. Ndryshimet demokratike të viteve ’90 sollën mundësi ndryshimi edhe në politikat e Bibliotekës Kombëtare.