Besimtaret myslimane festojne sot Fiter Bajramin

Besimtaret myslimane festojne sot Fiter Bajramin

Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë sot festën më të rëndësishme në kalendarin islamik, Fiter Bajramin. Bajrami i Madh vjen pas Muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë, gjatë së cilës myslimanët e devotshëm anembanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar dhe duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore.

Mëngjesi i së premtes nisi herët për besimtarët myslimanë, të cilët si çdo vit falën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” namazin e Bajramit. Falja nisi në orën 06:06, të cilën e parapriu leximi i Kuranit dhe ligjërata.

Me këtë rast kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani përcolli dje mesazhin e urimit me rastin e festës së Fiter Bajramit për të gjithë besimtarët myslimane.

Muaji i begatë i Ramazanit filloi më 18 qershor dhe përmbyllet me shtrimin e drekës së Bajramit.

Urimi i kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Të nderuar besimtarë shqiptarë, kudo që ndodheni!

Më lejoni që në këto çaste të gëzuara të festës se Fitër Bajramit, këtij momenti të gëzimit dhe të lehtësimit shpirtëror, t'ju përcjell urimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta, për një jetë sa më të lumtur, për shëndet dhe mirësi, për sukses në çdo sferë të jetës; me shpresën e madhe, që Zoti të na ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar adhurimet dhe sakrificën tonë.

Ne përcollëm me përmallim Muajin e Bekuar të Ramazanit, një mysafir i shtrenjtë, por që vetëm një herë në vit vjen. Na zbukuron me ngjyrat e tij të bukura dhe pastaj largohet pasi të ketë zbatuar detyrën. Kështu sot me gëzim të natyrshëm po i urojmë mirëseardhjen Fitër Bajramit.

Të gjithë besimtaret myslimanë mbartin në zemrat e tyre shpresën se Zoti i Madhëruar na ka pranuar agjërimin, namazet, lutjet dhe duatë, leximet e Kur’anit, si dhe netët e kaluara me adhurim e përkushtim vetëm për hir të Tij.

Bajrami është simbol i paqes, i gëzimit, i harmonisë, i qetësisë shpirtërore, moment i lartësimit të Allahut dhe koha e shpresës së arritjes së kënaqësisë së Krijuesit, që është edhe qëllimi final për çdo besimtar.

Duke përfituar nga përkujdesja e veçantë hyjnore, që Zoti i madh ka ndaj nesh në ditët e Bajramit, unë i lutem Atij dhe ju ftoj edhe ju t'i lutemi së bashku për më shumë paqe, begati gëzim e harmoni, për shuarjen e luftërave dhe konflikteve anë e mbanë globit.

I lutem gjithashtu Allahut t’i mbushë zemrat tona me ndjenja të dashurisë, dhembshurisë, respektit dhe mirënjohjes.

O Zoti ynë! Jepi begati, mirësi, paqe e qetësi shoqërisë sonë dhe atdheut tonë Shqipërisë, e bashkë me të mbarë njerëzisë.

Gëzuar e përshumvjet Fitër Bajramin.

Zoti e begatoftë çdo ditë tuajën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama