Berisha Himara minoritet? Njesoj si te kerkosh eskimeze ne shkretetire

Berisha: Himara minoritet? Njesoj si te kerkosh eskimeze ne shkretetire

Analiza e ish-kryeministrit për Himarën, pas rikthimit të kësaj çështjeje në axhendë nga ndarja e re territoriale. “Çështja e Himarës duhet parë edhe në projektin antishqiptar të Vorio-Epirit”



Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dhënë një shpjegim interesant Himarës, duke u bazuar tek historia e kësaj zone të vendosur shpeshherë në qendër të debatit publik. “Të pretendosh se Himara është minoritet, është njësoj si të kërkosh eskimezë në shkretëtirë”, – tha Berisha në emisionin “Fakt” të Çim Pekës. “Fatkeqësia e Himarës është projektimi mbi këta njerëz, me një histori nga më interesantet, jo në Shqipëri, por të garantoj dhe në Europë dhe në botë, dhe të garantoj sepse unë lexoj vazhdimisht historinë e Himarës, është jashtëzakonisht interesante”, -tha ai. Berisha shtoi se mbi këtë zonë projektohen në mënyrë të pandershme dufe dhe verbëri nacionaliste.

 

“Ai është një territor që s’ka qenë kurrë minoritet. Kurrë. Dhe unë po ju them këtu miqtë e mi se ka jo një, por me dhjetëra dokumente në arkivat e DASH dhe të Europës, edhe të reja edhe të vjetra, që ajo nuk është zonë minoritare. Aty ka një popullatë, një pjesë e asaj popullate që është grekofone, bilinguale, por mund të jetë dhe grekofile. Por ata qëndrojnë dhe kanë paguar më shumë se kushdo tjetër për identitetin e tyre. Ata, për t’i shpëtuar Patrikanës kanë arritur që Vatikani të hapë një kolegj të veçantë për ta”,- tha Berisha. Ish-kryeministri shtoi më tej se himarjotët kanë bërë luftëra për të ruajtur një lloj autonomie, indipendence. “Në të gjitha kohërat betejat më të fuqishme i kanë bërë së bashku me lebërit, kanë pasur edhe problem me ta, por ama kanë bërë edhe beteja të përbashkëta shumë të rëndësishme. Nuk ka asgjë aty, përveç greqishtes që flasin më pak se gjysma e fshatrave”, -mendon Berisha. Ish-kryeministri shtoi më tej se çështja e Himarës duhet parë në projektin e Vorio-Epirit, të cilin ai e quajti antishqiptar dhe të frymëzuar nga grupe të verbra nacionaliste greke.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama