Beograd - Nuk ka paqe me shqiptaret

Beograd - Nuk ka paqe me shqiptaret
Ndërsa dimri ka afruar bashkë me të gjitha pasojat e krizës, serbët kanë gjetur një vend ku të shfryhen. Kuptohet është Kosova, paçka se këtë javë mes të dy vendeve ka pasur shumë negociata. Lirimi i Ramush Haradinaj dhe i bashkëluftëtarëve të tij, i ka bërë serbët të shikojnë të vërtetën në sy, ku s’ka më aq privilegje si më parë. Sikur të mos mjaftonin këto, frika është shtuar me parullat e ‘Shqipërisë së Madhe’ të kryeministrit Berisha, që i kanë bërë serbët të mendojnë realisht për të ardhmen. Gjithsesi, për serbët ka edhe alternativa të tjera: Afrim më tepër me rusët dhe përveshja e mëngëve në ekonomi. Po. Këtë të fundit po e bëjnë njëmendshëm duke menduar realisht për të ardhmen e tyre...

Të paktë ishin serbët, të cilët besonin se Ramush Haradinaj do të mbetej në burg. Gjithsesi, ata më të ngeshmit, u ulën mëngjesin e 29 nëntorit 2012 me një kafe për të parë se ç’do ndodhte në Hagë. Kur pas leximit të akt-akuzës, Gjykata fillon të lexojë arsyetimin e saj, dy serbë ngrihen vrikthi nga tavolina dhe shajnë papërcaktim. Dita është e vrenjtur dhe hiri i ndërtesave të “Kralj Milan” e thith gjithçka. “Dhe, ai k...shkon e thotë: Kosova është jotja ashtu si është edhe imja”. Fjala është për kryeministrin serb që më 19 Tetor i drejtohej kështu paqësisht kryeministrit Thaçi, për një zgjidhje të arsyeshme, sipas modelit sllav. Si për ironi, Daçiç ka lindur në qytetin e Prizrenit, kurse Thaçi në Burojn të Skënderajt. Kur ky i fundit ishte maleve me UÇK-në, Daçiç bënte fjalimet e ish-shefit të vet në Partinë Socialiste, Sllobodan Millosheviç. Epo të shkuara të harruara. Tashti janë kolegë dhe kanë në dorë respektivisht fatet e Serbisë dhe Kosovës.
...
Anipse qytetarët e dy vendeve nuk është se i kanë aq shumë qejf. Thaçin, për pasurimin e frikshëm të njerëzve të vet, kurse Daçiç, që e ka marrë vendin bash në kohë krize. Kosovarët dhe serbët i ka ngërthyer kriza frikshëm. Sa për të tjerat, serbët prej më shumë se një dekade u mësuan me shpullat. Këto të ditëve të fundit ishin bash të hidhura sepse erdhën nga lajmi i hidhur i lirimit të Gotovinës, legjendës së ushtrisë kroate dhe Haradinajt, simbolit të UÇK-së. Ndaj serbët nacionalistë e shikojnë tashmë Hagën si shkaktaren e të gjithë pezmit të tyre. Ndajmë biseda me disa syresh në një Kafe, e cila sot quhet ‘Vuk’ dhe ndodhet në një nga rruginat, direkt pas Galerisë së Akademisë së Arteve.

Klubi ka një mobilim klasik të interiorit të viteve ’70-‘80 të shkollës sllave me paretet e drurit deri sipër tavanit. 400 metra më tutje një grup i pakët njerëzish sapo kanë nisur protestën kundër lirimit të Haradinajt dhe dy ish luftëtarëve të UÇK-së. Protestuesit, pjesë nga Lëvizja Kombëtare Serbe “Nasi” dhe Asambleja Serbe ‘Zavetnici’, e ndjejnë indiferencën ndaj kalojnë në një sens tjetër. Pakkush ua vë veshin.

Në fund lexohet diçka, që do t’i përcillet Presidentit Tomislav Nikoliç, qeverisë serbe dhe parlamentit. “Ne do të shfuqizojmë bashkëpunimin me Hagën dhe do të ndalojmë këdo që do të ekstradojë gjeneralët serbë në Hagë”,bërtet një serb veshur tmerr keq. Protestave u shtohet Obraz, 1389, Lëvizja për Serbinë dhe të tjerat. Po kush do t’ja dijë për ta. Beogradasit e thjeshtë janë njësoj indiferentë edhe për familjet dhe miqtë e serbëve të vrarë dhe të kidnapuar, që rrinë ngjitur me njëri-tjetrin në qendër të qytetit. Protesta mbaron me bërtitjet “Qetësi kundër drejtësisë”?!!!

Por kur zgjat dhe pak, njerëzit ndahen pak nga pak. “Kjo është shpulla e fundit dhe tallje ndaj viktimave serbe. Ne jemi përballur me krimin më kot për 14 vitet duke ofruar dëshmi dhe dëshmitarë për Hagën dhe për organet tona po ashtu, por askush s’ka treguar asnjë interes”, i thotë Gordana Dikanovic, përfaqësuese e Shoqatës së të vrarëve dhe të kidnapuarëve në Kosovë, një gazetari patetik, që bën gjestikulacione. Ajo thekson se 3500 serbë dhe jo shqiptarë janë vrarë prej vitit 1998. Serbët ikin pasi vendosin fotot e të vrarëve të tyre te “Konj”.

Kështu e quajnë monumentin ekuestrial të Princit Mihailo Obrenoviq, që ka vdekur në shekullin e XIX, në ballë të Muzeut Kombëtar. Serbët janë të mençëm. E dinë se që kur është liruar nga Gjykata për gjykim të lirë Haradinaj, kjo do të thoshte se s’do kish më probleme për të. Në fakt, zjarrit i hedh pak benzinë Karla del Ponte ,e cila qetësisht kumton se nuk befasohet. “Haradinaj është liruar sepse nuk ka pasur dëshmi. Dëshmitarët ndërrojnë dëshmitë apo s’paraqiten nga frika”, shton ajo. Prokurori për krime të luftës Vladimir Vukçeviq në intervistën për “Politikën” shkon dhe më tej e thotë se: “Gjykata e Hagës s’po bën gjë dhe se bashkësia ndërkombëtare e sheh ende Serbinë si agresor. Megjithatë, drejtësia do të vendoset në vend?!”Kur? Këtë, vetëm ai e di.
 
Frika nga Shqipëria e Madhe

Ndërkohë, serbët e dinë mirë se konjuktura ndërkombëtare tashmë flet kundër tyre. Aqsa kur Medlin Ollbrajt flet në respekt të serbëve, nuk emocionon askënd . Madje përgjigja për ish-sekretaren e shtetit është e ashpër: Ajo po kthen faqen, shkruan Blic. “Serbët janë një popull i jashtëzakonshëm me një histori të madhe dhe kam nderimin më të madh për ta”, mbetet ironikisht në Hagë, atje ku ish-sekretarja e shtetit e kumton për publikun. Lajmet i mbulon katrahura e Tiranës dhe mënyra sesi po festojnë shqiptarët. “A më shpjegon diçka, më thotë një taksist me të cilin jam takuar tre herë në këto ditë? Ku ndryshon një shqiptar me një kosovar?” Jemi njësoj, i them. Por na kanë ndarë. S’ia mbush mendjen. Më pas i shtoj se shqiptarët e Shqipërisë janë më homogjenë, kurse atje ka pasur shumë turq e serbë. “Ah, e kuptova”. Por serbët që vinë në organizimin që bën Ambasada jonë, mbeten të sjellshëm.

Nëpër të flitet se mund të vi dhe presidenti Nikoliç, por të gjithë se besojnë. Shqiptarët, miqtë e tyre serbë dhe studentet serbë të shqipes më 28 Nëntor janë mbledhur të gjithë bashkë dhe kanë festuar në kafe “Air” afër Studenski Trg. Komentohen të thënat e Ivanoviçit, zyrtarit të Kosovës në Serbi: “E gjithë Shqipëria frikë dhe tmerr për serbët. Madje ka shkuar dhe më tej: “Shqipëria e Madhe nuk mund të krijohet pa luftë. Në të vërtetë, Greqia, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi duhet të reagojnë për ngjarjet e fundit. Këto ambicie të Shqipërisë gjithsesi mund të nisin një cikël të ri dhe të rrezikojnë shpejt ndonjë vend tjetër, ku shqiptarët duan të zgjerojnë territoret e veta dhe e gjitha kjo do përcjellë tensione”, ka thënë Ivanoviç…Deklarata e tij harrohet shpejt.
 
Kosova

Por, Kosova është prezente kudo te politikanët. Ish shefi i ekipit të qeverisë për negociata me Prishtinën dhe deputeti i PD në opozitë Borislav Stefanoviq insiston se partia e tij e konsideron se duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri më tashti në dialogun me Prishtinën.” Ne si shtet serioz duhet të zbatojmë të gjitha marrëveshjet, por është një e vërtetë e madhe se qeveria duhet domosdo t’i zbatojë edhe pse mundet që thjesht me një akt t’i heqë”, thotë Stefanoviq për gazetarë në Kuvendin e Serbisë. Sipas tij,marrëveshja duhet bërë jo thjesht se është ideale, por se vetëm kështu në terren do të rregullohet gjendja dhe mund të lehtësohet jeta e qytetarëve serbë në Kosovë. Sipas fjalëve të tij, të gjitha elementet e të ashtuquajturës shtetësi të Kosovës janë eliminuar në kalimet kufitare, pasi nuk do të ketë kufij, pavarësisht nga interpretimi i disa partive opozitare. Do të tërheqë pak vëmendjen se ndërkohë në Partinë e tij punët s’janë aq mbroth. Tadiç duket se po e lë betejën për të drejtuar në të ardhmen Demokratët. Gjërat janë bërë hapur tash në limitet e fushatës së partisë.

Me çfarë kuptohet, Tadiç ka parë se i ka rënë mbështetja në të gjithë Serbinë. Dragan Gjilas, kryebashkiaku i Beogradit dhe zëvendëspresidenti i Partisë, duket se do marrë drejtimin e partisë. Sa për Kosovën, serbët të thonë shumë gjëra, por me ç’kuptohet nga qëndrimi i i palës serbe, janë të qetë sepse Euleksi duhet të ketë rol ekzekutiv, -pretendon shefi i ekipit të ri serb Dejan Paviçeviq. Ashton ka bërë që dy vendet të mendojnë dhe hapjen e tri kalimeve të tjera dhe problemi mbetet se ku do shkojë mbledhja e taksave, përkatësisht kujt do ti shkojnë të ardhurat nga tatimet doganore. Serbët e Kosovës në takimin e zakonshëm në Beograd kanë kërkuar që ato tu shkojnë komunave serbe në veri ,e jo në Prishtinë. Ndaj, bisedohet e bisedohet pafund.
 
Ekonomia

Diskutohet sepse tek ekonomi dhëmb. Megjithatë, aty duket se po gjenden vërtet dhe e ardhmja. Serbët kanë shenja të mira në ekonomi dhe qeveria nacionaliste e tyre duket se po punon më mirë se paraardhësit në fillimet e saj. Ka rënë disi korrupsioni i frikshëm i demokratëve dhe duket se qeveria e Daçiç është më pragmatiste. Kështu Kuvendi i Serbisë ka aprovuar  buxhetin parimor republikan për vitin 2013,që parasheh defiçitin prej 121.9 miliardë dinarë, që është sa 3.3% e buxhetit të planifikuar bruto të prodhimit. Me këtë dokument, parashihet që të ardhurat e përgjithshme të buxhetit për periudhën ardhshme të jenë 956,4 miliardë, kurse shpenzimet të jenë 1.078.3 miliardë dinarë. Qeveria e Serbisë e planifikon buxhetin në bazë të prognozës se rritja e GDP për vitin 2013 do të jetë 2%, ndërsa inflacioni 5.5 % .

Në terren gjendja s’është aq premtuese. Janë lënë në mes procese privatizimesh, ndërsa punonjësit serbë kanë vërtetë probleme. Në këtë hulli, lajmet vlerësojnë se Telekomit serb, një aseti të mirë për privatizime, i bie vlefta dhe Qeveria e ka të pamundur ta shesë për 2.5 miliard Euro. Kjo kompani tash është 90 përqind më e dobët sesa më 2011. Ashtu si në buxhet s’ka më para për shumë uzina. Për uzinën e “Zelezaru Smederevo” apelohet se paratë janë deri më 1 mars.

Plot 5200 punëtorë të punësuar, presin  çfarë do bëjë Serbia në marrëveshje me një kompani ruse për të ardhmen e tyre. Që kur një firmë amerikane u tërhoq nga Smederevo sepse kish humbje 200 milion USD, qeveria serbe vendosi ta mbajë vetë këtë uzinë, që të mos vdiste qyteti me 115.000 banorë, ku të gjithë punojnë aty. Sot, vetëm 1000 punojnë sepse të tjerët janë në shtëpi. Ka edhe më keq. Beogradi, vetë, ka mbi 3000 njerëz pa shtëpi, endacakë, që t’i i has kudo, nga të cilët vetëm 1000 janë të regjistruar sipas kryqit të Kuq…87% e tyre janë meshkuj me mesataren e moshës rreth 55 vjeç, kurse femrat janë deri 40 vjeç. Një në pesë syresh ka madje diplomë universitare?! 70% e tyre janë nga Beogradi.

Por ka sërish keq. Të punësuarit e fabrikës “Bozho Tomic” që prej 20 muajsh s’kanë marrë rrogën dhe kjo i ka bërë të bllokojnë magjistralin e Ibarskit në Preljin. Ndërsa këta s’kanë rroga, Serbia s’ka më rentgenologë që të përdorin aparatet moderne të kohës. Madje, një gazetë pretendon se ekziston mundësia për t’i kthyer pas në Japoni 30 mamografë që Japonia i kish dhuruar Serbinë për këtë qëllim. Ama lulëzojnë mashtruesit. Së fundi, u zbulua një grup që kishin organizuar mashtrime për 163.000 njerëz televizive për 32 milionë Euro. Pronari dhe drejtori i “Fonlider”, zëvendësi i tij, drejtor i Tv “Duga sat” dhe “Astro”…ishin protagonistë të këtij mashtrimi që për tre vjet kanë organizuar lojra mashtrimi dhe kuitzë të gënjeshtërt për serbët e thjeshtë. E se mos vetëm këtu. Si në Shqipëri, problem ka edhe me reklamat dhe agjencitë e ndryshme që merrem me to.

 20 kompani serbe kanë shpenzuar 2.5 milion Euro për marketing dhe reklama dhe deri në vitin 2012 janë shtuar pesëfish edhe pse janë shpallur masa shtrënguese. Në këtë hulli Serbisë i duhet një politikë shumë bashkëkohore. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Mlaxhen Gjinkiç ka lajmëruar se qeveria e tij do të bëjë një reformë administrative taksash në dy vitet e ardhshme. Sipas kësaj, Serbia do ketë një informacion të vetëm më 2013 dhe formë elektronike taksash më 2014, që do e thjeshtojnë shumë procedurën e taksave…Kjo do zvogëlojë shumë rropatjet dhe fryrjen e organikave.

Pasi burokracia është e frikshme. Madje është kaq e madhe saqë duhet një vit për një student serb të homologojë diplomën e tij, qoftë edhe sikur të mbarojë në Oksford apo kudo. Janë 300.000 nxënës që ikin jashtë për shkollë dhe Serbisë kjo i kushton plot 12 miliard Euro humbje, pasi serbët e rinj po e braktisin masivisht vendin.

Megjithatë, Banka Evropiane për Rikonstruktim dhe Zhvillim (EBRD) parashikon 1.1 % rritje me trend ulje në fund viti dhe pak rritje më vonë.  EBRD ka shkruar se qeveria ka bërë një sfidë në zvogëlimin e defiçitit fiskal e 7% të GDP-së dhe uljen e borxhit publik që sot arrin me 60% të GDP…. Dhe në fund ka dhe lajme spektokulare, që këtë ma thotë në një si shpresë, një punëtor, që e has shpesh te kafja e zakonshme. FIAT 500L, që prodhohet në Serbi do mbulojë shpejt marketin evropian. “E pashë vetë në gazetë”, ma shton si me gjysmë zëri. Antonio Çezare Ferrara, drejtori i përgjithshëm i Fiat Serbija, ka lajmëruar se në fund të vitit: Fiat Serbija do shitet kudo në Evropë dhe në 2013 parashikohet të jetë në 100 vende deri në SHBA?!
....
Jashtë këtyre, ky qytet mbetet në lëvizje dhe tronditja e Kosovës nuk do të thotë se gjërat po mbeten në vend. Beogradi këtë javë u lidh me linjën ajrore me Dohan dhe Bazelin tre herë në javë, kurse punët e Gustav Klimit janë në Beograd te “Galeria Progress” bashkë me Kiss, Emily, Flagg, Adele Bloch-Bauer…Këto kujtoj për vendin tim dhe ndjehem vërtet xheloz në këto ditë të fundit të nëntorit, për varfërinë e tmerrshme kulturore që mbulon Tiranën.
*27-29 Nëntor

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama