Ben Blushi Parlamenti plot me kriminele ndihem si paraburgim

Ben Blushi: Parlamenti plot me kriminele, ndihem si paraburgim

 "Ne jemi e vetmja klasë politike në Evropë të cilës po i ikin zgjedhësit e vet. Ka ardhur koha të ikim ne jo ata, o t'i dorëzohemi papunësisë, ose drejtësisë, rrugë të tretë nuk ka për ne" - Këto janë fjalët me të cilat deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi mbylli fjalimin e tij para kolegëve deputetë në sallën e Parlamentit.

Fjala ne parlament e Ben Blushit
Evropa kërkon të na integrojë por ne nuk duam. Edhe progres raporti i fundit ishte shkruar më mirë seç do shkruante çdo shqiptarë. Evropa ka vendosur të na integrojë kështu siç jemi, pa e humbur durimin e vet. Është më mirë që të integrohet një popull me probleme si ne, sesa të zvogëlohemi kaq shumë, ne nuk qeverisemi dot më mbas disa kohësh. Në parlament ka gjithmonë dy palë, njëra që do të bashkohet me Evropën dhe tjetra që do ta pengojë, por humbësit janë vetëm shqiptarët. Integrimi veçse është shtyrë dhe nuk mbaron por vetëm rifillon. Ky është ping-pong absurd se kush e kalon integrimin më shumë, e kam fjalën për dekriminalizimin.
 
Kur na dëgjojnë europarlamentarët bëjnë pyetjen: Duan këta të integrohen në Evropë apo jo?! Unë besoj se të dyja palët duan. Opozita e kushtëzon integrimin me ligjin për dekriminalizimin, se ky parlament sipas tyre i mbushur me kriminelë nuk ka të drejtë të bëjë reformën në drejtësi se kriminelët nuk mund të votojnë për gjyqësorin. Është e drejtë përsa kohë dhe unë mendoj se kriminelët nuk kanë të drejtë të zgjedhin gjyqtarët dhe prokurorët. Ky parlament nuk i ngjan asnjë parlamenti Evropian, ka aq shumë me elementë kriminalë sa më duket vetja sikur jam në paraburgim, është në turpin e atyre që i zgjodhën, i përdorën për vota dhe i sollën këtu, duke na bërë parlamentin më qesharak dhe të turpshëm që kemi pasur ndonjëherë. Por ata janë legjitim.
 
A do ishte ky parlament kaq i ndotur nëse në Shqipëri do të kishte drejtësi të pavarur? Për mendimin tim jo. Drejtësia është e vetmja mundësi për të pastruar këtë parlament. Nëse drejtësia funksionon një pjesë e madhe e parlamentarëve nuk mund të shkelin dot më këtu. Nëse ka një punë që nuk mund t'i ikim dot është reformimi i drejtësisë, se ky parlament ka vetëm një shans që të lajë llogaritë me popullin, duke ju dorëzuar drejtësisë.
 
Kushtëzimi i reformës në drejtësi me dekriminalizimin është i pagjetur dhe i pavend si truk, nëse është truk.
 
Kush meriton të shkojë në burg? Shkon në burg si student se proteston, si klient se s'ke kupon, si fukara se ndërton pa leje, si shofer, berber, konsumator dhe si gazetarë, pyetja është po si politikan a shkon në burg? Deri tani nuk ka ndodhur. Pse zgjedhësit shkokan në burg dhe të zgjedhurit nuk shkojnë asnjëherë? Sepse ne nuk kemi bërë asnjë ligj apo reformë që na dënon ne. Ne përdorim procedurat për të shmangur drejtësinë. Nuk ka asnjë vend që e edukon më keq rininë se ne. 200 mijë shqiptarë kanë aplikuar për lotari amerikane. Ata që i bëjnë më shumë dëm këtij vendi që jemi ne, dhe nuk ndëshkohemi. Ne jemi e vetmja klasë politike në Evropë të cilës po i ikin zgjedhësit e vet. Ka ardhur koha të ikim ne jo ata, o t'i dorëzohemi papunësisë, ose drejtësisë, rrugë të tretë nuk ka për ne.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama