Bektashizmi ne kulturen shqiptare

Bektashizmi ne kulturen shqiptare

Ekspozita “Bektashizmi në kulturën shqiptare”çelet nesër, ora 11:00 në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. Një rrugëtim hulumtues mbi gjurmën historike dhe kulturore të traktatit Bektashian në jetën shpirtërore, shoqërore e kombëtare shqiptare vjen kësaj here nga BKSH-ja. Ky rrugëtim shpalos, prej zanafillës së tij historike te pamja e sotme moderne, një gjendje specifike besimi e të besuari, në kërkim të pandërprerë të kuptimit të thelbit të Zotit dhe njeriut, në sprovë të përhershme të lartësimit shpirtëror e tolerancës dhe në një harmonizim të rrallë, mes ndjeshmërisë atdhetare e universalitetit të qenies.

Është pikërisht kjo harmoni komplekse, që karakterizon edhe ekspozimin e veprave, studimeve e ilustrimeve të përzgjedhura, që nga frymëzimet mistike të shkrimtarëve më të njohur sufi botërorë, librat e dorëshkrimet e hijshme të të cilëve janë pjesë e fondit të BKSH-së, te “Lulet e verës” e “Qerbelaja” e Naimit, por edhe platforma ideologjike e Samiut, moderne e bashkëkohore në 165-vjetorin e tij të lindjes, nga misteret e kaligrafisë tek ornamentet dhe arkitektura e vendeve të kultit, nga recitativi ceremonial e muzika monodike te miti letraro-kulturor dhe spiritual i “Malit të Tomorrit”, nga etërit shpirtërorë te mitingjet e shkronjave shqipe dhe lufta për Pavarësi, nga sakrifica e persekutimi historik te mbijetesa dhe ringjallja. Joshja dhe frymëzimi që bektashizmi ka ushtruar ndër studiues balkano-albanologë për ta njohur atë më nga pranë dhe kërshëria shkencore për ta kuptuar më mirë, sikundërse nxiti dikur Faik Konicën për “Shënimet (e tij) mbi metafizikën e Bektashinjve”, na lejon sot të flasim për një korpus të mirëfilltë studimor, të cilit gjithnjë e më shumë i shtohen suksesshëm studiues të vjetër e të rinj shqiptarë.

Ndërsa konferenca “Bektashizmi në kulturën shqiptare” synon të hedhë dritë mbi kontributet e reja në çështje kryesisht letrare, historike dhe dokumentare të trashëgimisë kulturore bektashiane. Në shenjë nderimi, përkujtohet gjithashtu kontributi i një orientologu të heshtur, por të çmuar në studimet shqiptare, Zyber Bakiu, kaligrafia e të cilit gjendet në fondet e BKSH-së, dorëshkrimet më të çmuara bektashiane e jo vetëm, në gjuhën perse, arabe dhe osmane.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama