Bashkim Hoxha Dramat e konkursit era vjetersire

Bashkim Hoxha: Dramat e konkursit, era vjetersire
Anëtari i jurisë për dramën shqipe Bashkim Hoxha nuk ishte i pranishëm në shpalljen e fituesve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Me një qëndrim krejt ndryshe nga anëtarët e tjerë të jurisë, Hoxha evidenton në një intervistë për “Shekullin”,  problematikat kryesore të veprave pjesëmarrëse në konkurrim. Problematika që është për t’u theksuar sipas tij, qëndron te komunikimi me publikun në sallën e teatrit që këto drama shqipe të konkursit mbarëkombëtarë nuk e marrin parasysh. Pjesëmarrësit nuk i bashkonte vetëm ideja për të krijuar një dramë për 100-vjetorin e Pavarësisë, por edhe mosnjohja e teknikës dramaturgjike qoftë tradicionale qoftë bashkëkohore. Hoxha del në përfundimin që prurjet e këtij konkursi dëshmojnë boshllëkun e madh që ka krijuar mungesa e klimës bashkëpunuese dhe e “laboratorit të dramës shqipe”.

Mund të përshkruanit një panoramë të situatës që ndeshët në konkursin mbarëkombëtar të dramës shqipe?

Konkursi i shpallur në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë më krijoi përshtypjen sikur autorët kishin zbrazur sirtarët. Mendimi im personal është se një konkurs në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë nuk duhej të konfondohej me konkursin për dramën shqipe në përgjithësi. Megjithatë duhet thënë, mirë që ishte ky përvjetor se ndoshta nuk do të kujtohej kush për të bërë një konkurs për dramën shqipe që është i domosdoshëm të bëhet të paktën çdo 2 vjet.

Çfarë tendencash vini re?

Në një prurje prej 31 dramash është e mjaftueshme, besoj, të vëresh disa tendenca. Tani dita e festës kaloi përmes ndarjes së çmimeve dhe më e dobishme është të ndalemi te problematikat. Prurjet janë nën nivelin mesatar. Çmimet dolën në mënyrë relative nga këto prurje që dëshmojnë se gjinia e dramës është më pak e kultivuara dhe më pak e azhornuara në specifikat e zhanrit, por edhe në zhvillimet bashkëkohore të teatrit. Në disa drama vihej re që idetë nuk arrinin të kishin zhvillimin e duhur dramaturgjik, disa të tjera përfundonin që në faqen e dytë a të tretë e më tej vazhdonin me një inflacion fjalësh dhe monotoni të mërzitshme. Harrohet se drama ka të domosdoshëm veprimin, idetë vijnë përmes ngjarjes, dialogut, karaktereve, përplasjeve e të tjera si këto. Një dëshirë e mirë letrare e pakthyer plotësisht në dramë nuk siguron komunikimin e duhur me spektatorin në sallën e teatrit, por në të njëjtën kohë nuk cilësohet dot as si letërsi e mirë, duke qëndruar e pazhvilluar midis dy gjinive.

Megjithatë, problemi më shqetësues në këto prurje është era vjetërsirës. Një pjesë e teksteve më krijuan përshtypjen se koha për disa njerëz nuk lëviz, jeta nuk lëviz, arti nuk lëviz. Ka një reminishencë të theksuar të dramave që janë shkruar tek ne sipas parimeve të realizmit socialist, vetëm se ka një ndryshim: i miri i atëhershëm është në krijimet e sotme i keq, ndërsa i keqi është bërë i mirë. Janë të njëjtat këndvështrime të ideologjizuara, e njëjta klishe, i njëjti mosçlirim në gjykimin artistik të realiteteve me gjuhën e dramaturgjisë. Prandaj thashë pak më parë, se duket sikur një pjesë autorësh kanë zbrazur sirtarët. Kanë zbrazur sirtarët e koncepteve estetike të kapërcyera dhe i kanë sjellë remake në kushtet e realiteteve të reja sociale, por gjithmonë të prangosur nga ideologjia.

Ç’mund të thoni për dramat fituese?

Kemi tri drama fituese, dy nga të cilat janë në tonalitetin e këtij jubileu drama e Bashkim Kozelit “Ëndrra e Ismail Qemalit” si një kronikë historike dhe drama e Stefan Çapalikut “Prova gjenerale e Pavarësisë” si një simbolikë domethënëse. Pati edhe drama të tjera si “Testamenti” i Ferdinand Hysit, “Dhimbjet e lirisë” nga Agim Shehu, etj., që janë në frymën e jubileut. Edhe një herë e them që kemi dy gjëra që mund të mos konfondoheshin: dramat që shkruhen sot dhe dramat tematike të 100-vjetorit të Pavarësisë. Të parat janë një gjë e natyrshme në çdo kohë. Për të dytën unë vet do të ta shtroja ndryshe problemin: një vit përpara këtij përvjetori, duhej të ishte krijuar klima dhe mundësitë që teatrot e vendit dhe të trevave shqiptare të rishihnin historinë e dramaturgjisë shqipe në vite, që nga drama e parë shqipe (e pavënë akoma nga ndonjë teatër), te Çajupi, te gjetja e këndvështrimeve bashkëkohore regjisoriale për drama të Haxhiademit, Floqit, Minush Jeros, Shpëtim Ginës etj., autorë të tjerë të cilët janë dëbuar nga historia zyrtare e teatrit sepse i ka dëbuar “shtrati i Prokustit” që quhej Realizëm Socialist. Do të ishte e dobishme të ishte bërë ky rishikim në dramaturgjinë shqiptare përmes vënieve në skenë të veprave, në një dritë të re, e kështu do të plotësonim jo vetëm repertorin kombëtar por edhe historinë e cunguar të dramës shqipe. Atëhere do të kuptonim që tradita e kësaj drame nuk mungon.

Nga emrat e publikuar vihet re një pjesëmarrje e gjerë autorëve që kanë lëvruar letërsi dhe dramë të realizmit socialist. Mund të bëhet një lloj krahasimi mes tyre dhe autorëve të 20-vjeçarit të fundit?

Qëndrojnë në ekstreme të njëri-tjetrit. Me pak përjashtime, ajo që i bashkon dy ekstremet është fakti i mosrespektimit të teknikës së dramaturgjisë tradicionale dhe bashkëkohore. Pikërisht për këtë arsye, unë mund të them se këto prurje dëshmojnë boshllëkun e madh që ka krijuar mungesa e klimës së bashkëpunimit dhe e laboratorit të dramës shqipe. Ka një shprehje të vjetër që thotë se “drama e mirë shkruhet në teatër”. Mungesa e dashamirësisë ndaj dramës shqipe ka bërë që, përgjithësisht, drama të shkruhet në vetminë e autorit, pa raportin e domosdoshëm që duhet të ketë autori i një vepre dramaturgjike me teatrin. Unë mendoj se një ndër prioritet që duhet të ketë ministria, nëse vërtetë e do dramën shqipe, është pa vonesë të inkurajojë të gjithë infrastrukturën që do të kërkonte ngritja e laboratorit të dramës shqipe pranë Teatrit Kombëtar. Nëse ky teatër nuk e merr përsipër, atëherë të inkurajohen iniciativa të tjera, por laboratori i dramës shqipe është i domosdoshëm. Edhe ky konkurs është thjesht një hallkë e këtij laboratori. Nëse dramat do të vihen në skenë, ato patjetër kanë nevojë t’i nënshtrohen kërkimeve të tjera për të mbërritur tek produkti final përballë spektatorit në teatër.

A kanë evoluar autorët e “grupit të parë”?

Pak.

Sa bashkëkohorë janë këta të dytët?

Duhet të biem dakord se çfarë nënkuptojmë me bashkëkohore. Për fat të keq ne provincializmin tonë e kemi me çmime, lavdërime, panegjerizma, por na mungon kritika profesionale dhe në këto rrethana është krijuar një konfuzion ku secili krijon “kulturë” apo “vlera” nga vetja. Ne nuk diskutojmë, nuk analizojmë, nuk përballim koncepte dhe kjo është e dëmshme.

Mund të ofroni një version krahasues për dramën në Shqipëri me atë të trevave të tjera shqiptare?

Përgjithësisht ne vuajmë të njëjtën krizë, provincializmin. Të vjetrit janë peng i klisheve të viteve të tyre të suksesshme, të rinjtë ende vërtiten në një hapësirë konfuze pa koordinata. Kemi teatër në krize dhe kriza e teatrit thellohet akoma më shumë nga mungesa e kërkimeve dhe e nxitjes së krijimtarisë për dramaturgjinë shqipe. Po të shikosh repertorin e teatrove tona, rrallë herë i kalojnë vitet tetëdhjetë apo nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Nga kjo  frymë kufizuese janë kapur edhe të rinjtë që studiojnë në Akademinë tonë të Arteve. Vihet re se, me ndonjë përjashtim të vogël, ata nuk e njohin dhe nuk e duan dramën shqipe, por edhe tek ajo botërorja kanë mbetur kryesisht tek farsat e viteve ‘60-‘80 të shekullit të kaluar.

Po prurjet nga Kosova, Maqedonia apo nga autorë të diasporës?

Në këtë konkurs prurjet nga Kosova e Maqedonia kishin të njëjtat probleme si edhe prurjet nga Republika e Shqipërisë.

Përtej këtij konkursi, a ka aftësi për t’u ballafaquar dramaturgjia jonë në skenat ndërkombëtare?

Me sa di unë, ne nuk kemi asnjë dramë që të jetë vënë në ndonjë teatër të huaj të nivelit të parë, të dytë apo të tretë. Kam përshtypjen se ne vuajmë një krizë konceptesh. Duke dalë nga koraca e realizmit socialist, u konsiderua me vlerë çdo gjë që krijonte idenë se ishte diçka ndryshe. U harrua se dramaturgjia, që nga antikiteti e deri në ditët tona ka disa parime bazë në thelbin e vet që e mbajnë në këmbë si gjini të veçantë të letërsisë dhe si komponent të rëndësishëm të teatrit. Edhe për të nënvizuar këto elemente laboratori i dramës shqipe është i domosdoshëm.

Kur keni parë për herë të fundit në skenë një vepër shqiptare?


Ka qenë “Familja në shi” në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë.

Së fundi keni tentuar edhe regjinë. Si ju rezultoi?

Unë nuk jam regjisor. E para dhe e fundit vepër që vura në skenë ishte një pjesë e imja “Heronjtë e Viagrës”. Më tepër si një peng krijues. Kisha dëshira të nisja e të përfundoja vet një prej krijimeve të mia. Fatmirësisht, me ndihmën e trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu”, gjithshka na rezultoi mirë dhe do të paraqitemi me të në festivalin e dramës shqipe në fund të tetorit në Tiranë. Por edhe kjo punë që bëra, ishte një laborator për të çuar tek spektatori mes shumë kërkimesh një dramë shqipe. Madje jemi duke diskutuar me kolegët për ngritjen e një laboratori të dramës shqipe pranë teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, pavarësisht nga iniciativat e të tjerëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama