Banoret e ULZES - Me mire me na varros se me na privatizu HC

Banoret e ULZES - 'Me mire me na varros se me na privatizu HC'
Janë 2000 banorë që ushqehen me rrogën e marrë prej Hidrocentralit të Ulzës. Lajmi për privatizimin e hidrocentralit i ka shokuar dhe të ardhmen e shikojnë gjithnjë e më shumë të pamundur në qytezën e vogël. Mezi flasin apo kurrë të ankohen, sepse nëse merret vesh nga ‘dikush’ që po ankohen, atëherë mund t’i largojnë që tani nga puna dhe kjo do të thotë...një katastrofë. Qyteti vuan varfërinë dhe shtimin e listave në dyqane, por mbi të gjitha këtë lajm të paimagjinueshëm për ta. I vetmi ngushëllim mbetet qetësia dhe klima e mrekullueshme... që tashmë s’mjafton më...

“Ej, a po e di? Si ta shpjegoj? Me hap një varr të madh e me na fut të gjithëve brenda. Nga mu e me radhë”. Po e tepron, i themi zonjës, që punon në Hidrocentralin e Ulzës dhe që e takojmë diku afër një pike të vogël interneti, ku djem të ngeshëm bërtasin dhe hanë ritmikisht fara luledielli. “Jo vetëm që se teproj, por nëse të thotë dikush tjetër ndryshe, atëherë, hajdeni dhe më kapni për flokësh”, na thotë L.B. Ky ritual mesjetar kodi zakonor do të thotë fundi i diskutimit tonë sepse është një lloj betimi i saj. Sakaq i hedhim një vështrim të fundit Nikollës por më kot.

Përmbledhim me një vështrim të gjithë atë ç’mund të kapet në fushëpamje në qytezën e Ulzës. Pak njerëz në hijen e pallateve të vjetra të sapo lyera. Ndonjë grua me veshjen e modifikuar të Mirditës dhe fëmijë. Nikolla mbledh buzët me atë që përkthehet se s’di çfarë të thotë me. “Na thuaj emrin, - i themi. Gruaja mohon me kokë. E ke kot, më shton nga pas, Nikolla Shpani, nëse do të flasë atëherë ka probleme me punën. Për hir të së vërtetës, gjërat kanë ditë që kanë marrë rrjedhë këtu 62 kilometra nga Tirana, që kur pak ditë më parë u miratua planin për privatizimin e katër HC-ve e mes tyre dhe atë të Ulzës.

Lajmi

Lajmi për privatizimin e hidrocentraleve kishte ditë që përflitej. Gjithsesi vendimi ka kaluar në parlament. Katër hidrocentralet e para që do ndërrojnë pronësi nga shteti te privati janë: Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Në vazhdën e sherreve politike, opozita, megjithë rezistencën s’mundi të tregojë potencialin e saj edhe pse ato ishin futur në procesin e pakthyeshëm të tjetërsimit. Fillimisht, hidrocentralet mendohet të ndahen nga kapitali dhe administrimi i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, që media ka thënë se me këtë rast ato do funksionojnë si shoqëria anonime me kapital 100 për qind shtetëror dhe nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë. Hapi i dytë, që do t’i ndjekë është privatizimi. Ajo ka lidhje me dy mënyra: e para, ajo e shitjes përfundimtare dhe e dyta, ajo e koncesionit. Nikolla Shpani, që na shoqëron, është punëtor në një firmë ndërtimi dhe trupi i bëshëm dhe i rrumbullakosur, tregon se i ka punët disi mirë. Të kuptohemi se nëse s’do të ishte aty, s’do e kish kaq të lehtë të ishte me ne.

51 vjeçari është shumë i sajdisur, por qytetin mund ta përshkosh për jo më shumë se 30 minuta. Ai u shndërrua në qytet aty nga mesi i viteve ’50, kur vullnetarë që më vonë do të ishin banorët e saj nga Korça, Lushnja, Elbasani, Vlora, Skrapari e kudo erdhën të ndërtonin nën drejtimin e specialistëve rusë Hidrocentralin që mbante emrin e “Karl Marksit” babait të Marksizmit. Mjafton emri i tij për të kuptuar rëndësinë e punës. Ndërsa, ndërrojmë muhabetet e zakonshme, nga përtej, një benc a-class, që duket më shumë i tipit femëror, bën një dalje spektakulare dhe në pak qindra metrat e vendit parkohet diku. Kjo shfaqje s’ka spektatorë, ndaj dhe dy pilotët qetësohen. Ka pas shallin e Romës dhe kuptohet një targë italiane.

Nikolin Malçi me të vëllain Tanin parkojnë të qetë. Janë të dy në hidrocentral dhe e kanë jetën të lidhur me të. Ndërrojmë pak fjalë dhe duan edhe ata të na presin në shtëpi. Kohë më parë u bënë të njohur në një keqkuptim me shtetin që mori dhe faqe gazetash me ditë të tëra. Në një shpjegim të gjatë që do të na bëjë Tani, pak më vonë, disa punonjës të shtetit u kanë rënë bajagi në qafë. U kanë goditur nënën dhe babanë dhe ata vetë...Dhe, asgjë s’u zgjidh.

Drita

Të vetmen pikë, që kam lidhje në Ulëz është Drita Lala. Ekonomistja e lartë, punonjëse e komunës, ka 16 vjet që ka ardhur. I shoqi punon në Central. Për fat të keq ngutet. Është e veshur mirë sepse do të jetë në një mbledhje. E pyesim për gjërat që kanë ndodhur dhe ndajmë të rejat e fundit: “Familja këtu mbahet prej centralit por sot prej privatizimit që u miratua, të gjithë janë të frikësuar. Unë s’jam specialiste këtu vetëm se di që nuk privatizohet vetëm diga dhe bazeni, por diga dhe bazeni s’punëson njeri, se të gjitha janë brenda dhe hidrocentrali do privatizohet dhe të gjithë ata që janë aty brenda mbesin pa punë. Pa llogaritur faktin që 90% e tyre kanë tokë të përmbytur, por është problem i pakompesuar dhe asnjë njeri s’është kompensuar.

Ata do privatizojnë dhe këtu mbaron çdo gjë...”. Qytetarët dhe fshatarët e Ulzës e kanë marrë vesh gjithçka nga media dhe përplasjet e oratorëve të ndryshëm, që i shikojnë për çdo problem, ndaj privatizimi u duket dyfish i ngatërruar. Gruaja hedh vështrimin nga liqeni, sikur atje do të gjejë paqen. Kap rrjedhën e mendimit, sepse të dy po mendojmë të njëjtën gjë. I bukur?-e pyes. “Është një komunë me 2000 banorë të privilegjuar nga Zoti. Hapësira gjeografike e privilegjuar, ujë, male, me popullsi të vogël dhe shumë mundësi. Jemi ne ata që nuk e e bëjmë atë që duhet.

Duke filluar nga liqeni që peshkun që ka Ulza se ka asnjë liqen tjetër ne s’mirëmbajmë, e gjuajmë pa kriter”. Peshku i Ulzës dikur përveç se furnizonte qytezën shkonte dhe në qytetet bregdetare. Sot, gjuhet me dinamit dhe më tepër akoma kapja e tij ka rënë në nivele fare të ulëta. Burimi i dytë pas HC, tani është harruar. Kryetari i ri ka premtuar që do të luftojë peshkimin e dëmshëm dhe do të shpërndajë rasat, që ta rivitalizojë. Megjithatë, duket gjithçka pa shpresë dhe madje entuziazmi i hershëm i gruas, tashmë ka rënë. Pak pas minutash me shumë sjellje na kërkon leje dhe largohet...Një orë më parë, kur jemi ndarë nga kryetari i ri që sapo ka fituar, përfaqësues i koalicionit të Aleancës për të Ardhmen Adrijet Gjeçi jemi sqaruar se në momentin kur të fillojë punën, një nga punët e para, do të jetë një kërkesë mirëkuptimi për të ardhmen e punësimit të këtyre banorëve. “Është kaq varfër në disa zona të saj saqë është e pamundur që t’i lesh pa punë dhe të privosh kështu një nga vendet më të bukura të Shqipërisë”, thotë. “Më trishton aq shumë fati i këtyre banorëve sepse kam parë një varfëri, që e kam parë vetëm në dokumentarët e vendeve të varfra”.

Dikur

Duket sikur do kthehet në origjinë. Sepse ishte bash vend i varfër, kur plot 3000 vetë zbarkuan nga e gjithë Shqipëria, për të ndërtuar HC, me fuqi të instaluar prej 25.000 Kë. Kësaj mase iu bashkuan me shumë entuziazëm edhe banorët e gjashtë fshatrave përreth Stojani, Kokërdhoku, Bushkashi, Rrenaz, Madhesh, që panë të ardhmen aty. Ndërsa vendi kalonte problemet e tij, këtu dukej qetë. Kishte një pallat kulture, kishte pak jetë artistike, vinte ndonjë film dhe ishte bukur...Demokracia, që ata e panë nga televizori, këtu erdhi me njerëzit e rinj, që donin të bënin rrëmuja dhe të ngatërronin. Nikolini me Tanin do të më kujtojnë se e kanë ruajtur vetë HC-në, bashkë me bashkëqytetarët e tyre. Nga hordhi legenësh, më shton kur e pyes-që vinin ngado. I vetmi ndryshim, që ndodhi ishte se Shtëpia e Kulturës u kthye në kishën, që atyre u mungonte dhe qyteti filloi pak nga pak të vjetrohej dhe t’i binte bashkë me suvanë e pallateve të stilit të vjetër rus dhe kujtimet e dikurshme të mirëqenies.

U shtuan të papunët, të ritë filluan të iknin jashtë dhe ditën e Shën Markut më 25 Prill, e festonin duke bërë bilancin e trishtë të jetës së tyre në vitin kalendarik. Por, ajo që ndodhi më shumë ishte ardhja e politikanëve të rinj. Nga të gjitha partitë, ata vinin kur duhej të merrnin vota dhe largoheshin për të mos ardhur më. Gjithsesi banorët kujtojnë ende me respekt deputetin Shpani dhe kryetarin e fundit të komunës Pal Qoku. Ky i fundit më ka bërë një guidë shumë optimiste pak vite më parë në të njëjtin vend ku më rrëfeu me patos planet e tij. Më tregoi sesi do manovronte në këtë sipërfaqe urbane prej 2.2 km2 dhe sipërfaqe administrative 200 km2 , e cila përbën edhe 6.26 % të sipërfaqes së përgjithshme të rrethit Mat prej 728 Km2 . Sesi mund të jetonin 2200 banorët e komunës. Dhe, si do të kishte jetë në këtë vend, ku 83% ishin pyje, 7% ujë, 5% tokë bujqësore dhe 5% tokë kullotë. Paradoksalisht Pali, megjithë punën e mirë, s’është rikandiduar nga Partia e tij?!

Banorët

Ndërsa kërkoj një lidhje me Palin, ish-kryetarin, burri i njërit prej klubeve mbi liqen, që ka dëgjuar bisedën e mëparshme me Dritën futet vetë në rrjedhë: “Sensi i privatizimit s’pritet mirë dhe janë prej kohësh këtu. Tokën e kanë të përmbytur s’janë kompensuar. Banorët e shprehin trishtimin dhe që s’janë dakord dhe kanë treguar se kanë bërë protesta më parë për kompensime”. Nikolla, ndërkohë ka riardhur dhe na merr me vete. Banon rreth 200 metra larg në një shtëpi që i ngjan atyre të bëra me ngut për punëtorët. Historia e familjes së tij fillon nga larg. I ati s’ka pranuar të jetë në kooperativë dhe më 1953 përfundon në fshatin Patil në Klos. Liqeni u mori 74 dynym tokë dhe përpos kësaj askush s’i afronte në punë. “Unë u riktheva në vitin 2000 dhe punoj në një firmë ndërtimi dhe vetëm një kushëri punon me brigadën e linjave të tjerët. Nga ajo kohë shteti s’na ka bërë asnjë përkrahje që na ka zënë tokën. U detyruam të shpërndaheshim gjithë fisi nga Tirana deri në kufi me Dibrën sepse na zuri tokën liqeni.

Ka banorë, që u ka marrë edhe më shumë se ne”...E heq nga rrjedha e mendimit dhe rrjedha e persekutimit. Si i bëhet nëse realizohet ky lloj privatizimi, ku banorët të mos jenë pjesë?, e pyesim. “Kjo zonë që është një zonë turistike shkrihet dhe njerëzit do largohen sepse s’do kenë më të ardhura dhe populli jam i sigurt që do ketë greva dhe protesta sepse do mobilizohet i gjithë populli”. Si e shpreh populli këtë tension?-e pyesim sërish “Këta nuk i lë frika tani për tani se i nxjerrin nga puna. Por kemi bërë disa protesta. Kanë hequr rreth 10 veta në kohën e zgjedhjeve se ishin në opozitë dhe u larguan Por nëse do të privatizohet s’kemi më bukë goje, as punë dhe s’do mbahen më”. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Ata që ka sjellë politika këtu duket se kanë përçarë dhe më shumë.

Funksionarët kanë ardhur nga vende të tjera dhe ka ndodhur që mësuesi militant ka ardhur drejtor në elektrik dhe inxhinieri elektrik ka shkuar diku tjetër, do më thonë banorët, shumica e të cilëve nuk flet. Do flisje kështu po të punoje në hidrocentral, e pyes Nikollën. “Jo. Asnjëherë. Megjithëse më kanë pushkatu gjyshin s’jam me këtë qeveri. Sun e jap votën për të se s’kam mbështetje. Vetëm terror”. Në Ulzë është votuar për të Majtën dhe paradoksi ka qenë se një mandat ka fituar dhe PBDNJ-ja. Gjithsesi mandatin e fundit e ka pasur një burrë i mirë i PD-së, që po zëvendësohet nga një mik i tij demokristian, por i Alternativës së Majtë. Adrijet Gjeçi ka premtuar se do të jetë deri në fshatrat më të thella për të zbutur varfërinë. E besoj kur gruaja e Nikollës më sqaron sesa e vështirë është për banorët të jetojnë në këtë vend dhe sesi e përballojnë ata që kanë një asistencë modeste. “Ne shohim njerëz që s’kanë asistencë. Sa herë ti takosh do të thotë se jam e sëmurë dhe s’kam me çfarë të blej. Futen me ble listat. Ai që ka s’ia qan hallin atij që s’ka. Ka shumë lista në dyqane”.

Vëllezërit Malçi

Ndërsa ne futemi me vëllain e madh në shtëpi, Tani i vogli ka rendur drejt dyqanit. Vjen me shishe birre dhe kanoçe me një frymë. Nikolini, pak i ngjallur me kalimin e kohës, dhe që ka kaluar disa kohë në Itali, më sqaron kompetent për jetën por edhe këtë të papritur. “Kemi qenë mirë në punë dhe kemi pasur të ardhura. Por, të gjithëve ky hidrocentral u jep jetën, bukën e gojës. Kështu i themi ne. Kemi dëgjuar se do të privatizohet! Këtë kushdo që e ka bërë si Sali Berisha apo Edi Rama s’jemi dakord se jetojnë vetëm me atë. Ulza ka 800 banorë dhe janë 110 gati, që punojnë atje. Janë 120 familje këtu në Ulzë brenda, që mbahen me të. I nxore nga puna atëherë janë të vdekur të mbytur në ujë. Shteti na mbyt të gjithëve. Unë e kam shtëpinë në Shkopet. Aty e ka të vështirë me ne, se HC-i atje është në tokën time dhe ata që do ta blejnë, të kenë parasysh se nuk do t’i lemë rehat se jemi vendalinj. Kurse në Ulzë është popull i përzier. Por edhe Shteti s’duhet ta mendojë një gjë të tillë. Ne s’na intereson. S’duhet të privatizohen. Është bërë nga populli. A është çdo objekt pronë e shtetit? Po. Ka një ligj që te prona e shtetit s’vihet dorë”.

Dhe, nëse do bëhet fakt e pyes, ndërsa biseda zhvillohet në disa drejtime. Atëherë do ketë protesta dhe të gjithë punëtorët do të kundërshtojnë. Por ju s’keni çfarë bllokoni, e pyes, se jeni xhep. “Të thuash të bllokosh do të thotë luftë. Por, di të them se që të gjithë punëtorët do dalin dhe do kundërshtojnë. Ne s’jemi në forcë me shtetin por do qëndrojmë sa të mundemi. Ne e kemi mbrojtur vetë më ‘97. Ulzën se lë rehat politika”,e mbyll pastaj. Një histori e gjatë është historia e pretenduar e persekutimit të tyre në lidhje me këtë hidrocentral, në kohën kur KESH-i drejtohej nga z. Harasani. Janë rrahur dhe madje janë prekur deri prindërit e tyre, ndërsa autoritetet pretendonin se ata mbanin të uzurpuar dy vende pune. Artani rrëmbehet dhe do të tregojë me patos. Harron që ne jemi larg këtij problemi...

Sefgjini

Ndahemi me vëllezërit, për të shkuar diku tjetër. Na duket vetja si të jemi një grup regjistrimi. Sefgjini, një banor pak matanë, është një nga të persekutuarit e hershëm, por që edhe në këtë kohë e ndjen veten njësoj të lënë mënjanë. Është i këndshëm dhe ajo që e dallon është shpotia e lehtë. Më thotë se ata që e spiunonin dhe se pranonin në punë, tash janë demokratë. Nga përtej, gruaja, që dikur ka pasur të atin në burg, se lë rehat. 57 vjeçari ka katër fëmijë dhe dikur në fund të viteve ’80 i pëlqente qe me pak shokë të flisnin për lirinë ashtu si e konceptonin ata: makinë private dhe muzikë si të donin. Në kohën e socializmit, se pranuan si shofer sepse ishte i deklasuar dhe përfundoi në Martanesh në minierë. Biseda rreshket shumë. E pyes për hidrocentralin dhe privatizimin “Ky HC ka mbaruar më ’58. Duhet me thënë se ka qenë një punësim i rregullt i mirë. Jetonim. Dhe unë kam punuar një kohë. Ndihmonim. Tani...nëse privatizohet, s’është e mirë se të gjithë këta njerëz, kanë toka të përmbytura.

Kam një pjesë të mbytur dhe mund të kem 5 dynym. Dikush ka 10, por dikush ka deri 5 ha”. Gruaja e tij flet pareshtur. Presim Berishën, më thotë me tallje. “Na premtojnë dhe ikin”.- “Grua flitet me radhë...”, ia pret burri që i pëlqen rregulli. Gruaja s’pitëtin më. Burri ka ende të ëmën përballë nesh dhe të atin, që dergjet i sëmurë matanë. Duket punëtor dhe i qetë. S’ka ujë të bollshëm për të ujitur bahçen, por me mundësitë, që ka, arrin të marr rreth 20 kv grurë. “50.000 Lek (të reja) ureja, 60-80 plehrat. Tani me kal e kam punuar. Por tani është më mirë me zetorët e vegjël. Dynymi është 22.000 lek, 12 freza dhe 10 me mbjell. E kupton se ku ka shkuar?”.

Më flet sesa pa ndihmë është bujqësia dhe sesi fara që e marrin me maturim pesëvjeçar del vetëm tre vjeçare. Duam të ndërrojmë muhabet. Më thotë se meqë gruaja ka dy vëllezër në Greqi kanë bërë pasaportat. Ku i dihet? Ka ikur njëherë me një grupim me priftin deri në Budva dhe në Kotorr dhe ruan përshtypjet më të mira. Është fetar dhe shkon në meshë për çdo të diel. Dhe, nëse shteti e privatizon e do të sjellë njerëzit e vet?-e pyes .”Do ketë pakënaqësi dhe për mua që s’punoj do jetë keq dhe s’ka lëvizje më. Bie çdo gjë. Të zonës sonë vërtetë s’janë punësuar shumë, sepse gjithnjë kuadrot i marrin nga Burreli...”. Hedh një sy nga fëmijët, por ata të përhapur në një si përhumbje thjesht na dëgjojnë. Burri i shikon edhe ai dhe nuk ka çfarë të thotë më. Ndahemi.
...
Pak kohë më vonë përcjellim Nikollën në qytezë. S’kanë kaluar pak minuta, kur vjen vrulltaz me një arsyetim pa shumë lidhje, Nikolini. Do të vendosë një kontakt. Që përtej pak para digës së hidrocentralit, një burrë ka mbledhur disa njerëz të hidrocentralit, që rrinë e dëgjojnë pa folur. Unë pres një telefon nga KESH-i për një konfirmim që të futem në hidrocentral, por ai nuk vjen. Kuptohet. S’ka leje, sipas llogjikës së zëdhënësve të institucioneve shqiptare. Gruaja, që ‘hapi’ me dorë varrin, më shikon nga përtej me indiferentizëm, në këtë ditë mesqershori të vitit 2011. Disa vetëtima përshkojnë qiellin.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama