Unë mendoj që fakti që bisedimet kanë shkuar në Parlament, fakti që Partia Socialiste është rikthyer në Parlament, fillimisht për të kryer betimin, së dyti për t'u futur në bisedime konkrete në një komision të posaçëm, ku po diskutohet pikërisht për atë çështje që e ka mbajtur Partinë Socialiste jashtë Kuvendit, besoj që është një element, i cili duhet inkurajuar për të vazhduar atje. Nuk besoj që është momenti për të bërë parashikime se si do të shkojë. Unë jam i prirur të besoj që arritja e frymës së konsensusit për të riinstaluar dialogun është pararendës i një klime për të vazhduar e për të bashkëpunuar, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
Partia Socialiste tashmë e ka bërë hapin e saj, i kanë dhënë fund bojkotit dhe ka hyrë në Parlament, të paktën kështu kanë dhënë të kuptohet. Nga ana tjetër, nga Partia Demokratike, çfarë duhet të ndodhë?
Duhen pyetur patjetër përfaqësuesit politikë të partive respektive. Kjo analizë dhe marrja e pozicionit që nuk më takon ta marr, natyrisht që do ishte e gabuar. Duhet të pyesni kur të keni intervistë me përfaqësuesit politikë të dy subjekteve politike, për të parë se si do të vazhdojnë ta zgjidhin problemin. Sot ky problem është ekskluzivisht problem në duart e dy partive kryesore, të cilat përbëjnë dhe mazhorancat e grupeve parlamentare në Parlament.
Transparenca si mund të kryhet? A mund të kryhet transparenca pa hapur kutitë e votimit?
Unë kam mbajtur një qëndrim të qartë, qëndrim që i takon këtij Institucioni. Duhet të dini që në momentin që kanë filluar bisedimet, para se të pyes, apo të jap fjalën për pozicionin e partive, kam përcaktuar pozicionin që imponon Kryetari i Shtetit, i cili më shumë se partitë politike, të cilat kanë shumë opsione për zgjidhje politike, ka një dokument themeltar që është Kushtetuta. Kam thënë që çdo zgjidhje për Presidentin është një zgjidhje brenda këtij dokumenti, ose janë opsionet e partive që gjejnë zgjidhjen dhe kjo u takon absolutisht partive politike, që ato të zgjidhin çështjet, për të cilat kanë debatuar prej kohësh.
Në fakt kur debatojnë, ose dialogojnë dy parti lidhur me interpretimin që i bëhet Kushtetutës, duket si një dialog shurdh-memecësh, duket sikur flitet për gjëra krejt të ndryshme. Socialistët thonë që Kushtetuta nuk na e pengon, madje na e lejon hapjen e kutive, ndërsa Partia Demokratike thotë të kundërtën. Kush duhet të jetë arbitri që të vendosë të thotë se cila është e vërteta?
Në të tilla raste mos mendoni që Presidenti të jetë arbitër i opsioneve, pra nëse do të jetë ky opsion, apo ai. Patjetër që kur ka çështje të karakterit kushtetues, ka edhe mekanizma. Unë nuk dëshiroj të jap receta. Në një botë demokratike, kur ka çështje të keqinterpretimit janë institucione të tjera. Për definicion, institucioni që është garant i Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Ju e dini që edhe në të kaluarën, edhe vendime apo dekrete të Presidentit të Republikës mund të kenë përfunduar në Gjykatë Kushtetuese dhe jo me të njëjtin përfundim që ka pasur dekreti i Presidentit. Presidenti ka qenë i detyruar si çdo Institucion tjetër të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Çështja e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, është një çështje tjetër pastaj, pasi i takon ekspertëve të partive politike që të gjykojnë me objektivizëm për mënyrën e interpretimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ka të bëjë me komisionet hetimore. Nuk është një çështje që i takon Presidentit.
Flasim për ligjin shumë të debatuar të SHIK-ut. Kemi një deklaratë shumë të ashpër, madje më e ashpra që mund të jetë bërë nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër projektligjit që po diskutohet në Parlament. Ju keni një mesazh tuajin lidhur me këtë?
Mesazhi i Presidentit vjen gjithmonë në momentin kur ka të depozituar zyrtarisht ligjin e miratuar në Parlament. Pra, Presidenti flet me dekret dhe do të ishte gabim që unë të merrja një pozicion paragjykues për cilindo ligj, qoftë dhe për një ligj që po debatohet në strukturat parlamentare, po debatohet në media, ka prononcime. Pozicioni i Presidentit është në funksion të gjykimit që Presidenti i Republikës do t'i bëjë lidhur me përputhshmërinë e ligjit në momentin kur depozitohet në Presidencë. Ju i dini tre opsionet, janë të njohura, janë kushtetuese: një opsion është që kur ligji është në përputhje me parimet kushtetuese miratohet; kur Presidenti është i sigurt që ka mospërputhje kushtetuese, ka opsionin e kthimit; ka edhe një opsion tjetër, atë të heshtjes, i cili presupozon që pas pesëmbëdhjetë ditësh ligji futet në veprim. Sa kohë ky ligj nuk ka kaluar, pra jemi në periudhën e diskutimeve dhe të debateve, natyrisht që unë nuk mund të shprehem. Do të shprehem, e kam detyrim kushtetues ligjor që të shprehem në momentin kur ligji do të vijë këtu, në Presidencë.
Rasti i gjykimit të Gërdecit, a mendoni se tregon se ka ardhur momenti që duhet të rishikohen përmasat e imunitetit të deputetëve?
Unë nuk dëshiroj që ta lidh thjesht me këtë moment, por për të folur dhe parimisht do të them atë që kam thënë dhe më përpara. Besoj që të gjithë njerëzit që janë me imunitet, përfshi edhe Presidentin e Republikës, janë njerëz, të cilët kanë ardhur nga shoqëria, janë ekstraktuar nga shoqëria, dhe për të dhënë shembullin e njerëzve, të cilët nuk fshihen pas imuniteteve besoj që qysh nga Presidenti i Republikës e të gjithë me radhë, nuk është e nevojshme që në këtë shoqëri, e cila ka kaluar trauma herë pas here, nuk është e nevojshme që njerëzit të fshihen pas imunitetit. Nuk kam parasysh askënd. Është një çështje që e diskutoj në një frymë shumë parimore dhe fakti që e nis me cilësinë time, me cilësinë e Presidentit, i cili nuk duhet të ketë imunitet, e rishpreh që imuniteti është i tepërt.
Gjatë kësaj periudhe, gjatë dy tre muajve të ardhshëm ju do të duhet të propozoni, në mos gabohem, nëntë anëtarë për dy gjykatat më të larta, me nëntë vjet mandati ...
Ekzaktësisht dhjetë. Dy prej të cilëve u ka skaduar afati që prej më shumë se katër muaj.
Përse nuk i keni çuar zoti President emrat për t'i zëvendësuar?
Nuk është e vështirë për mua që të dërgoj dy njerëz në Parlament, por është një çështje, të cilën unë e kam bërë prezent dhe para aktorëve kryesorë politikë, e kam bërë prezent dhe para partnerëve ndërkombëtarë. Kam dashur që anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe ata që do të vijnë më prapa, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që nga nëntë, janë gjashtë, kanë një kohëzgjatje nëntëvjeçare, është një ndërmarrje shumë e rëndësishme, do të doja të zgjidhen nga një Parlament ku të jenë të pranishëm të gjithë. Kam shpresuar që ata që do të dërgojmë, të jenë në një vendimmarrje të gjerë parlamentare, por ju siguroj që ata që kanë kaluar në afat, jam i detyruar që mbas një periudhe të gjatë pritjeje, jam i detyruar t'i dërgoj, ndërsa për pjesën tjetër unë uroj që të ketë një pjesëmarrje të gjerë parlamentare, për një vendimmarrje shumë të rëndësishme, për institucione kaq të rëndësishme, ku politika në mjaft raste është e detyruar që të orientohet, ta ketë si pikë referimi sistemin e drejtësisë.
E keni gati listën e këtyre dhjetë gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese?
Ashtu siç e kam paralajmëruar, do të ketë patjetër një konsultim të gjerë. Këto janë vërtetë përgjegjësi kushtetuese që i njihen Presidentit, por asnjëherë zgjidhjet dhe përzgjedhjet nuk duhet të jenë personale. Dëshiroj t'i jap një sfond më të gjerë. Asnjëherë njeriu nuk duhet të mendojë që di gjithçka edhe kur informacionin e ka të brendshëm, por duhet ta bëjë objekt të një diskutimi. Është shumë e rëndësishme që të jenë zgjedhje shumë cilësore, mundësisht të pakontestuara, dhe të japin shansin dhe sigurinë që do të drejtojnë dy institucione shumë të rëndësishme që do të japin drejtësi për një kohë relativisht të gjatë. Janë nëntë vjet. Nëntë vjet nuk janë pak. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë kanë një kohëzgjatje prej nëntë vjetësh, ndërkohë që cikli i një mazhorance është katërvjeçar, cikli i një Presidenti është pesëvjeçar, ndërsa këto gjykata të rëndësishme kanë një cikël nëntëvjeçar. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm, duhet të arrijmë në finalen e një procesi që nuk duhet të ketë kontestime.
Me kë do të konsultoheni?
Fryma e konsultimeve është e gjerë, me njerëz që kanë eksperiencë në jurisprudencë, pse jo dhe me faktorë të jetës institucionale për ta kaluar pastaj në një vendimmarrje politike, e cila realizohet në Kuvend.
Para se t'i çoni në Kuvend, duke pasur parasysh dhe precedentin kur ju rrëzuan gjashtë propozimet tuaja, të cilat ju i quajtët një pushkatim politik që ju bë atyre gjashtë pretendentëve për Gjykatën e Lartë, a mendoni se duhet të konsultoheni dhe me Kryeministrin dhe pse jo dhe me shefin e opozitës?
Nuk besoj që në këto momente është mirë të rikthenim disa eksperienca, të cilat konsiderohen të tejkaluara. Unë besoj që ajo që po them ofron të gjithë mundësinë ku njerëzit, të cilët do të konsultohen, të kenë shansin të shprehin pikërisht atë që konsiderohet objektive dhe pastaj dihet që në finale është vendimmarrja politike, që realizohet në Parlament. Askush nuk mund të dalë jashtë këtij vullneti sipas frymës së Kushtetutës. Të gjitha gjërat janë të sanksionuara në ligje dhe në Kushtetutë, por është shumë e rëndësishme që fryma e konsultimit të jetë në sensin profesional dhe në çështje integriteti të këtyre personave, pastaj vendimmarrja politike është një çështje që u takon partive politike.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë dhe qeveria bëri të ditur se do ta rinegociojë këtë marrëveshje. Ju keni dijeni, kanë rinisur negociatat, apo gjithçka ka ngelur pezull?
Mua më vjen mirë që institucionet e Shqipërisë respektojnë vendime e Gjykatës Kushtetuese, por deri në këto momente, përderisa është marrëveshje shtetërore, që parakupton edhe marrjen e pëlqimit, deri tani në Institucionin e Presidentit nuk ka mbërritur një kërkesë për dhënien e pëlqimit për të filluar negociatat.
Një moment i rëndësishëm mbetet ai i liberalizimit të vizave për qytetarët dhe pak ditë më parë Drejtori i Divizionit të Zgjerimit, zoti Pier Mirel, në një vizitë që bëri në Tiranë, u shpreh se duhet gjetur një zgjidhje, duhet gjetur një zgjidhje para datës tetëmbëdhjetë dhe i sugjeroi Kryetares së Parlamentit që duhet të luaj një rol konstruktiv që zgjidhja të gjendet në Parlament. Ju çfarë keni për të shtuar në këtë çështje? Presidenti Topi: - Por besoj që shprehja e zotit Pier Mirel ka qenë e qartë dhe unë nuk kam çfarë t'i shtoj. Është bërë në një kontekst të caktuar, në një pozicion të caktuar, për një institucion të caktuar. Nuk e shoh të arsyeshme që të bëj një mbivendosje në shprehjen e zotit Mirel. Ata e ndjekin situatën, dinë ku është problemi. Problemi tani realisht është në debatin parlamentar dhe është e natyrshme që edhe zgjidhja duhet të jetë atje, në Parlament. Unë uroj që zgjidhja të vijë nëpërmjet dialogut dhe një vendimmarrjeje parlamentare.
Marrë me shkurtime nga emisioni "5 pyetje nga Babaramo"
Gazeta Shekulli











