Baleti shqiptar si kenga e fundit e mjellmes

Baleti shqiptar si kënga e fundit e mjellmës

Nga kjo pikëpamje ky ishte një avantazh, por me një çmim - që arti të ishte i lidhur me politikën dhe në shërbim të regjimit. Këtu nuk dua të analizoj historinë e baletit gjatë kësaj kohe, por është e rëndësishme të thuhet se u krijuan institucione kulturore dhe shumë ansamble të vogla në të gjithë vendin. Gjatë kësaj kohe u krijua Teatri i Operas dhe Baletit, si dhe Shkolla e Baletit Shqiptar. Baleti shqiptar ishte i tëri nën influencën e shkollës ruse. Shumë pedagogë rusë dhanë mësim në Shqipëri dhe shumë nga kërcimtarët tanë studiuan në Rusi duke sjellë sistemin rus të baletit me kthimin e tyre. Kërcimtarët shqiptarë që mbaruan këtë shkollë kishin një teknikë të lartë.

Në vitin 1990 situata politike ndryshoi. Shqipëria nuk ishte më vend i izoluar. Këto ndryshime ishin të mirëpritura dhe shpresohej për një periudhë të re në baletin shqiptar. Por, në këtë entuziazëm, artistët u harruan në problemet ekonomike të tranzicionit. Mbështetja e shtetit për institucionet kulturore nuk ishte në nivelet e duhura, ose ndonjëherë mungoi fare. Ato ishin të diktuara nga situata ekonomike e vendit, e cila ishte tejet e vështirë. Dhe pa dyshim, arti ishte viktima e parë e këtij tranzicioni. Shumë drejtues nuk mundën të kuptonin specifikën dhe nevojat e baletit, shumë prej tyre e trajtuan trupën e baletit si një shtesë të tepërt të Operas dhe jo si një pjesë të rëndësishme të saj. Për rrjedhojë, shumë kërcimtarë, mësues baleti e koreografë, në vend që të shihnin që situata të përmirësohej, u ndeshën me vështirësi të shumta. Gjatë kësaj kohe u dekretua dhe një ligj që kërcimtarët të dalin rreth moshës 60 vjeç në pension - një absurd. Me gjithë kërkesën e vazhdueshme të kërcimtarëve, askush nuk e dëgjoi zërin e tyre, kur dihet që në tërë botën mbas njëzet vitesh punë si kërcimtar, ke një pension, si në Perëndim, ashtu dhe në Lindje. Si pasojë e kësaj gjendjeje kaotike e të pashpresë, shumë kërcimtarë e mësues emigruan në vende të ndryshme të botës. Duke hedhur një vështrim sot, në baletin shqiptar mbizotëron një situatë kaotike.

Kemi shumë artistë nëpër botë, si në: SHBA, Francë, Spanjë, Gjermani, Austri, Greqi, Kanada etj. Askush nga kërcimtarët shqiptarë apo mësuesit që kanë emigruar nuk janë rikthyer të vazhdojnë karrierën në vend (Ilir Kerni, Astrit Zejnati, Altin Kasftira, Esida Meçani etj.) Vetëm në trupën shtetërore të Greqisë shumica dërrmuese e kërcimtarëve janë shqiptarë (Altin Korruti, Ilir Sipri etj.) Askush nga këta kërcimtarë të talentuar, që janë, pa dyshim, ambasadorët më të mirë të kulturës shqiptare në botë e përfaqësuesit e denjë të vendit, nuk është ftuar për t’u kthyer në Shqipëri. Shumë mësues vazhdojnë të japin mësim nëpër vende të ndryshme të botës, por edhe këta, askush nuk kujtohet që t`i ftojë. Shumë kërcimtarë të talentuar, sapo diplomohen, parapëlqejnë që të largohen dhe të kenë një karrierë në Perëndim, - sigurisht, është e drejta e tyre të largohen.

Pyetja që mund të bëjmë këtu është: “Çfarë kushtesh dhe çfarë stimujsh u japim ne këtyre të rinjve që të qëndrojnë e të kenë karrierë në Shqipëri?!” Ata as që mendojnë të kthehen një ditë në këtë vend, madje dhe kur vijnë me ndonjë ftesë, largohen sërish me përshtypje jo të mira. Trupa e Baletit jep shumë pak shfaqje në vit, që numërohen me gishtat e dorës, me një nivel që lë shumë për të dëshiruar dhe me një disiplinë aspak të denjë për një trupë baleti, ku celularët, kafetë e cigaret janë të pranishme në çdo kohë. Në Perëndim, një kompani baleti jep rreth 80 shfaqje në vit minimumi, pa folur për Trupat Qendrore që japin rreth 150 deri në 200 shfaqje në vit dhe sigurisht, pa përfshirë këtu turnetë. Nuk ka një kalendar vjetor, nuk ka vazhdimësi dhe me këtë “strategji-anarshi” dihet që niveli i kërcimtarëve do të bjerë. Mungon strategjia për të afruar sponsorë që mund të jenë në gjendje të financojnë një vepër të plotë baleti, me rekuizitë e skena, që një vepër t`i ngelet teatrit tonë dhe të ketë një vazhdimësi.

Punohet vetëm me projekte, ku një premierë vihet 2-3 herë dhe pastaj zhduket. Vetëm në muajin dhjetor të gjitha trupat e baletit shfaqin “Arrëthyesin” gjatë gjithë muajit me rreth 30-40 shfaqje. Në Tiranë fillohet e festohet ose mjaftohen me një ballo në fund të vitit, që për atë që kam parë është një karikaturë e vërtetë, pa nivel dhe një kopje e shëmtuar e Koncertit të Vjenës. Mjaftohen me përgatitjet veç me dy orë prova në ditë, ku shumë kërcimtarë vrapojnë të shkojnë në programet e televizioneve, pa menduar për kohën që duhet investuar me trupën e baletit, ndërkohë që në teatrot perëndimorë punohet përreth 6-8 orë në ditë. Nuk ka as koreografë të rinj që të konkurrojnë me kolegët e tyre në vendet europiane. Mungojnë emrat prestigjiozë të skenës botërore, mungon një politikë për të sjellë emra të nderuar, qoftë të koreografëve apo edhe pedagogëve të ndryshëm për trupën e baletit, që për hir të së vërtetës janë lënë në mëshirën e fatit, në duart e mediokërve. Mungojnë eksperiencat e duhura dhe shkëmbimet me shumë kompani të ndryshme.

Nuk punohet për të sjellë sipërmarrës të huaj që ndoshta mund t`i siguronin kësaj trupe mundësinë për të arritur në skena perëndimore dhe për të rritur të ardhurat financiare. Po kështu, nuk ftohen koreografë të dëgjuar në skenat europiane. Nuk mund të krenohemi me një vënie në vit dhe me gjashtë deri në shtatë shfaqje në vit. Shto përpos këtyre, të qenit një vend ku të drejtat e autorit vidhen në mes të ditës. Nuk jam kundra eksperimenteve dhe të resë në koreografi, por, kur vihen në baza dilentante ato janë të dëmshme dhe të lënë një shije të hidhur. Sot trupa e baletit nuk ka një drejtues të mirëfilltë ta drejtojë dhe të ideojë të ardhmen e saj. Kur dihet që në Shqipëri askush nuk ka dhe nuk di bazat e baletit kontemporan, ku nuk njihen metodat Graham, Limon dhe nuk dihen bazat e muzikalit. Këtu nuk dua t`i dekurajoj ata koreografë të rinj, por do desha t`i këshilloja që të investonin për të studiuar në vend që të kopjojnë nga kasetat. Mendoj që situata në këto teatro duhet të ndryshojë, baleti duhet të ketë më shumë autonomi dhe mos të jetë shumë i varur nga njerëz që nuk e kanë idenë dhe as dëshirën për ta kultivuar këtë gjini.

Situata në shkollë paraqitet edhe më e zymtë. Më vjen keq që dhe programi para viteve `90 nuk është më, pa folur për të futur programe më bashkëkohore që i duhen një shkolle. Programet duhet të ndryshojnë dhe t`i përshtaten kohës. Shumë nga mësuesit e kësaj shkolle as që kanë kërcyer në skenë dhe as që kanë eksperiencën e duhur për mësimdhënie. Shkolla e Baletit lë shumë për të dëshiruar që nga ambientet aspak të denja, ku ngrohja në dimër mungon, deri te dyshemetë që janë si parketi i çdo dyshemeje të zakonshme. Me një vendim absurd të Ministrisë së Arsimit, të gjithë ish-kërcimtarët që jepnin mësim duhej të largoheshin sepse nuk kishin arsimin përkatës dhe në vend të tyre japin mësim ata që kanë një diplomë, kur dihet që Shkolla e Lartë Koreografike u ngrit për nevojat që kishin Vatrat e Kulturës për kohën dhe nuk ka të bëjë asgjë për mësimdhënien në Shkollën e Baletit. Në Lindje dhe në Perëndim kushti vendimtar për të punuar si mësues baleti është të kesh pasur një karrierë si kërcimtar në teatër dhe shumë nga këta kërcimtarë studiojnë në shkolla të posaçme për mësues baleti.

Shkollës i vihet kyçi në orën katër pasdite, kur dihet që vetëm me një orë mësimi baleti nuk mund të bëhesh kërcimtar dhe pothuaj të gjithë nxënësit shkojnë e marrin mësim privat po me këta mësues që s`bëjnë asgjë gjatë ditës. Ky është një turp që duhet ndalur. Me mësues që as dinë e as marrin mundimin të shkojnë në seminare të ndryshme, pa ftuar kërcimtarë ose ish-kërcimtarë brenda e jashtë shtetit të cilën kanë dhënë dhe mund të japin një kontribut të madh. Kjo shkollë nuk bashkëpunon me Trupën Kombëtare duke e ditur që këta nxënës janë e ardhmja e kërcimit në Tiranë, por lihen nxënësit të marrin pjesë në ca spektakle televizive të dobëta e pa vlerë.
(* - Ish-solist me trupën e baletit, sot mësues në Shkollën nacionale të Baletit në Kanada)

Resmi MALKO : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama