Avni Rrustemi gjate procesit gjyqesor ne Paris

Avni Rrustemi gjate procesit gjyqesor ne Paris

Këto janë disa fotografi të rralla dhe autentike të Avni Rrustemit, në Gjykatën e Parisit të datës 29 nëntor 1920 i akuzuar për vrasjen e Esat Pashë Toptanit më 13 qershor të po atij viti. Megjithatë Rrustemi ishte liruar vetëm pas 6 muajve pasi që avokati i tij Anatole de Monzie, e kishte cilësuar aktin si “krim pasional me nxitje të një populli të tërë”.

 

Jeta

 

Lindi 22 shtator 1895 në Libohovë, në një familje ku i ati ishte qehaja i familjes së Arsllan-Pashalinjve, oxhakut të Libohovës Mësimet fillore i mori në vendlindje, vazhdoi në Normalen e Elbasanit dhe më vonë në Shën Mitër Korone (Itali), kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.

 

Punoi si mësues në Libohovë (1910), në Tragjas të Vlorës (1913), në Tepelenë (1916-1917) e në Vlorë (1917-1918). Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t'u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit , më 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën.

 

Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Më 1918, me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin "Djalëria e Vlorës". Në krye të saj organizoi demonstratën anti-imperialiste të 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë.

 

Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi "Lidhjen e Rinisë Shqiptare" për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

 

Atentati ndaj Esad Pashës

 

Më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esad pashë Toptanin. Anatole de Monzie, avokati i Avniut. E cilësoi aktin si "krim pasional me nxitje të një populli të tërë". Libohoviti u lirua pas gjashtë muajsh. Akti i Avni Rustemit në Paris, nuk ishte një atentat i thjeshtë.

 

Rikthimi në Atdhe dhe vrasja e tij

 

Me t'u kthyer në Shqipëri, në dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata "Atdheu". Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi.

 

Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës "Atdheu", në gusht 1922 përsëri me nismën e Avni Rustemit më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike "Bashkimi".

 

Avni Rustemi nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Idetë e tij, të formuluara në një sërë fjalimesh e artikujsh publicistikë u bënë armë e fuqishme në duart e rinisë demokratike e të masave të shtypura punonjëse.

 

"Kur qeveria, nuk plotëson nevojat më me rëndësi që ka kombi,- thoshte ai, atëherë kjo nevojë duhet të realizohet me interesimin e pjesës së organizuar të popullit e ta bëjmë ne qeverinë që ta ndjejë këtë nevojë". Daljen e vendit nga prapambetja Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. "Pa pavarësi ekonomike, - shkruan ai, - nuk mund të ketë pavarësi politike".

 

Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fodullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

 

Avni Rustemit i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë nga Isuf Reçi, pasdite, ora 4 ndërkohë që po shetiste me Hoxha Kadrinë. Vrasësi e qëllon Avninë pas shpine e nën shpatull të majtë, duke i shkaktuar një plagë të çrregulltë që e shpuri drejt një hemoragjie të pakthyeshme deri kur dha shpirt 2 ditë më vonë. Zemrën ia nxuarrën për ta ruajtur dhe trupin ia ballsamosën për ta transportuar në Vlorë për varrim. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjen që triumfoi më 10 qershor 1924.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama