Ishte duke hipur në tren, kur diçka i shkoi keq dhe ngeci me një këmbë mes shinave dhe bankinës. Dhjetëra pasagjerë të trenit, i cili nisej nga stacioni i Stirling, në Perth, në Perëndim të Australisë, iu përgjigjën apelit të personelit të stacionit, duke dhënë ndihmën e tyre për ta zhbllokuar, pasi treni nuk mund të nisej me burrin që i kishte ngecur këmba poshtë.
Një kamera sigurie ka filmuar gjithë ngjarjen, e cila herë pas herë merrte edhe nota ironie nga pasagjerët. Këta të fundit, nisën të shtyjnë vagonin, duke lejuar pasagjerin e pafat t’i zhbllokohej këmba. Në fund, pati kohë edhe për duartrokitje dhe treni vazhdoi rrugën për ku duhej të shkonte.