Realisht nuk ekziston ndonjë ligj i shkruar që një ministër i Jashtëm nuk mund ta ketë gruan shtetase të huaj, por ky është rasti i vetëm në botë, kur gruaja e një ministri të Jashtëm ka hequr dorë nga shtetësia e atdheut të vet për një shtetësi të huaj, dhe burri i saj përfaqëson shtetin shqiptar në botë.
Lulzim Basha është përpjekur të mbrohet publikisht me retorikë patriotike për akuzat e abuzimeve në rrugën Durrës- Kukës, por kjo mbrojtje duket qesharake nëse kemi parasysh që ai nuk ka bindur dot as gruan dhe vajzën e vet të mbajnë shtetësinë e tij shqiptare. Në disa emisione televizive, sa herë që është akuzuar, zoti Basha ka kujtuar se është një familje me tradita patriotike, se gjyshja e tij është me origjinë nga Peja dhe ka ardhur në Tiranë, dhe se ai vlerëson shumë identitetin shqiptar.
Por ligjërisht Basha i bie të jetë një dhëndër brenda... në Holandë! Duket se Aurela ka dashur me këmbëngulje të mos ketë më asnjë lidhje me përkatësinë shqiptare sepse ligji holandez lejon dyshtetësinë, pra zonja Basha nuk ka qenë e detyruar ta lëshonte me domosdo shtetësinë shqiptare. Por ajo e ka bërë. Edhe vajza e çiftit Basha, e lindur në vitin 2006, po ashtu ka shtetësinë holandeze.
ÇIFTI BASHA, I KA SHUMË QEJF SHITJE-BLERJET!
Në deklarimin zyrtar të pasurisë së ministrit të Jashtëm, ai ka shënuar se ka shitur shtëpinë që kishte në Holandë për 257 mijë euro. Sipas deklarimit ministri ka shlyer edhe këstin e fundit të apartamentit të blerë në rrugën "Dervish Hima" në kryeqytet. (35 mijë USD). Në deklarim gjendet gjithashtu edhe që bashkëshortja e tij, Aurela, ka shitur një makinë luksoze për rreth 45 mijë euro. Deklarimi i pasurisë nxjerr në pah një dukuri të familjes së ministrit: pothuajse çdo vit gjatë viteve të fundit Lulzim Basha ose e shoqja e tij Aurela kanë kryer veprime financiare duke shitur e blerë pasuri të ndryshme. Një vit më parë Aurela Basha ka blerë një apartament në Golem të Durrësit si dhe ka deklaruar se ka shitur shtëpinë e vjetër në kryeqytet për 100 mijë euro (pak si tepër për zonën ku ka qenë). Gjithmonë sipas asaj që kanë deklaruar, Aurela Basha ka përfituar për një vit page në shumën e 51 mijë eurove.
SA MIRË: RROGË TË LARTË DHE TAKSA HIÇ!
Sipas ligjit bashkëshortja e ministrit Lulzim Basha nuk ka më një pasaportë shqiptare dhe qëndrimi i saj në Shqipëri bëhet vetëm me një dokument që cilësohet si leje dhe duhet të rinovohet për periudha të caktuara kohore, duke u paraqitur në komisariatin e policisë që mbulon zonën ku banon. Gjithsesi detyrimet financiare të saj ndaj shtetit shqiptar kanë mbaruar që me pagesën e shumës prej 50 mijë lekësh të reja që shoqërohen bashkë me kërkesën për lënien e shtetësisë. Sepse bashkë me heqjen dorë nga kjo shtetësi, Aurela Isufi (Basha) ka shmangur gjithë detyrimet e tjera që rrjedhin nga kjo shtetësi. Ajo nuk paguan taksa, as për pasurinë!
JASHTË LISTAVE TË VOTIMEVE NË QERSHOR!
Bashkëshortja e ministrit të Jashtëm, nuk ndodhet në listat e votuesve. Duke qenë holandeze, zonja Basha nuk mund të votojë më në Shqipëri. Për të mos u larguar nga shembujt me Ministrinë e Jashtme, duhet thënë se edhe bashkëshorti i zëvendësministres së tij, Edit Harxhi, ka pasaportë, shtetësi dhe kombësi turke. Zonja Harxhi ka shtetësitë dyfishtë. Bashkëshortja e Sekretarit të Përgjithshëm të po së njëjtës ministri është me shtetësi dhe kombësi franceze. Të dy bashkëshortët e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar nuk mund të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit.
LIDHJET FAMILJARE ME PIRAMIDËN VEFA
Shtypi shqiptar ka ngritur edhe disa akuza mbi pasurinë në adresë të familjes së gruas së Bashës. Vjehrra e ministrit të Jashtëm është mbesë e Vehbi Alimuçës, bosit të VEFA-s, e cila ka pasur investime edhe në Holandë. Sigurisht çdo hetim vështirësohet në kushtet e një shtetësie joshqiptare.
Gazeta Shekulli