Asirianet qe luftuan per clirimin e Sarandes

Asirianet qe luftuan per clirimin e Sarandes
Megjithëse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë dhe dëshmitarët tashmë janë shumë të pakët, zbarkimi i trupave britanike në gjiret e Sarandës është një temë që akoma edhe sot ngjall mjaft interes tek publiku. Dëshmive të pakta që kanë mbërritur deri më sot mbi këtë sulm të rrallë të forcave komando në territorin shqiptar i vjen edhe një zbulim befasues nga arkivat britanike.

Për herë të parë nga këto arkiva mësojmë se një pjesë e rëndësishme e sulmit komando në tokën shqiptare është kryer nga trupa parashutistë Asirianë dhe Kurdë. Në fakt, në ushtrinë britanike kishte një larmi trupash ushtarake, të cilat vinin nga territoret e shumta të Perandorisë. Historia e rrallë e trupave asiriano-kurde që luftuan në malet e jugut shqiptar, në fakt është një histori e pa treguar kurrë

Asirianët, një komunitet kristian në Irakun Verior dhe Sirinë Veriore, të cilët kanë ruajtur gjuhën e tyre aramaike dhe ritualet fetare të periudhës së lindjes së krishterimit, janë një prej popullsive më të vjetra të Mesopotamisë. Gjatë luftës së dytë botërore, territoret irakene ishin nën kontrollin britanik, të cilët kishin një influencë shumë të madhe në këtë zonë. Me fillimin e Luftës së Dytë, në ushtrinë britanike u mobilizuan shumë vullnetarë të kolonive perandorake dhe në këto forca u mobilizua edhe një Kompani shumë e veçantë.

Kompania Asiriane u krijua në Habbanyia, Irak, me iniciativën e britanikëve në 6 janar të 1942, me vullnetarë të skuadrës së Forcave Ajrore RAF, me mision ruajtjen e rrugëkalimeve strategjike në Kaukaz. Kjo kompani ishte në fakt ideja e Komandantit të Forcave Ajrore të Irakut, zëvendës Mareshali Hugh De Crespigny, i cili mendonte se një kompani me trupa parashutiste vendase do të ishte në gjendje të ngadalësonte përparimin e trupave gjermane në këto territore.

Oficerët britanikë filluan përgatitjet e kësaj kompanie. Mbi 1000 rekrutë dolën vullnetarë, por, pas një stërvitje speciale, vetëm 200 persona u rekrutuan. Kjo kompani përbëhej nga 150 asirianë dhe 50 kurdë, të cilët komandoheshin nga Majori Britanik Barnes. Kompania qëndroi në territoret irakene si pjesë e ushtrisë britanike, deri në shtator 1943, kur iu atashua batalionit parashutist të 11 në Palestinë. Këtu ata u trajnuan për operacione speciale natën.

Në shkurt 1944 Kompania u rikthye në Habbaniya, Irak, nën komandën e një tjetër oficeri britanik, majorit Guy Hudson, i cili ishte specialist i luftimeve malore.

Në shtator të 1944, gjatë qëndrimit në Palestinë, një oficer i trupave aisiriane ishte vrarë nga milicia izraelite. Të egërsuar nga ky lajm, kompania asiriane filloi një masakër të vërtetë kundër trupave izraelite të cilat ishin në atë territor. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë Kompania asiriane u dërgua në Itali dhe kjo forcë iu bashkëngjit trupave Komandos Britanike HUNDEFORCE.
 
Operacioni “Sugar Beach” Albania

Në 6 tetor 1944 Kompania asiriane filloi zbarkimin në Sugar Beach, një gji ranor disa kilometra në veri të Sarandës me anë të anijeve zbarkuese.
Forcat Britanike të zbarkimit HOUNDFORCE, sipas dokumenteve britanike:
 
No 2 - Kommando [Britanike]
No 40 - Komandot e Marinës Mbretërore Britanike
No 1 - Kompania parashutiste RAF Assyrian/Kurd
Forca desantuese me rreze të gjatë vepruese
Forcat e Partizanëve Shqiptarë

 
Plani i zbarkimit në Sarandë nga komandot britanike të Operacionit HOUNDFORCE ishte kapja e qytetit. Komandot dhe partizanët do të sulmonin nga Veriu, ndërsa parashutistët do të zbarkonin me anijet zbarkuese në Jug dhe do të sulmonin duke marrë pikën dominuese, prej nga ku dukej Saranda.

Përpara zbarkimit oficerët e kompanisë bënë një rekonicion të zonës së Sarandës, por ranë nën zjarrin e mortajave gjermane. Oficerët, pasi përgatitën trupat për zbarkim, filluan lëvizjen ma 6 anije të vogla zbarkuese.

Në mëngjesin e 9 tetorit, në orën 01:30, kompania, pasi u rreshtua dhe mori një racion ekstra Rumi, filloi zbarkimin. Rreshteri Hormis Youkhana shkruan: “Anija transportuese na la në zonën e plazhit, shumë afër qytetit të Sarandës. Qëndruam gjithë ditën në këtë pozicion. Ditën e dytë skuadra ime i zuri pusi dy makinave gjermane. Ditën e tretë anijet transportuese na morën përsëri duke na zbarkuar në një plazh rreth dy orë më larg pozicioneve gjermane. Prej këtu na erdhi urdhri për sulm. Kur filluam sulmin ishte në fakt një ngjitje malore. Komandanti ynë na udhëzoi të ruheshim, pasi do të na godisnin me mortaja.

Teksa ai po fliste filluan të fishkëllenin predhat e mortajave, por pa dëme. Ne po avanconim shumë, me një shpejtësi ashtu si dhitë e egra dhe iu dolëm gjermanëve shumë shpejt pas shpine. Dy vetë nga skuadra ime u vranë atë ditë. Zbarkimi vazhdonte në qetësi të plotë. Binte një shi i vazhdueshëm, i cili na ndihmonte që të mos dukeshim nga gjermanët. Ndërkohë, skuadra e dytë dhe e tretë po rrethonin armikun në një pozicion drapri. Në këtë moment pamë se nuk na kishin dhënë radio me vete dhe e kishim të pamundur komunikimin me skuadrat e tjera. Kjo na kushtoi shumë, pasi patëm shumë të plagosur. Kapiteni Klark u nis vetë për tek skuadrat e tjera për t’iu dhënë udhëzime se nga të drejtoheshin.

Ishte një situatë e vështirë dhe maja ishte shumë e lartë, plot me shkëmbinj dhe gurë që na rrokulliseshin nëpër këmbë.

30 minuta pas manovrës sonë, një mitraloz gjerman hapi zjarr në krahun tonë të majtë. Skuadra e parë iu përgjigj duke e vrarë mitraljerin dhe kapur disa robër. Për ta kuptuar se sa i vështirë ishte ky sulm duhet pasur parasysh se gjermanët kishin pasur shumë kohë për të hapur fortifikata. Ata na shikonin nga sipër dhe e kishin shumë të lehtë për të na qëlluar.

Në orën 5 të mëngjesit skuadra e dytë sulmoi një pozicion gjerman, i cili u dorëzua i gjithë tek asirianët. Skuadra kurde sulmoi një tjetër pozicion dhe pas një rezistence të shkurtër i vrau të gjithë gjermanët që ishin atje. Pas një gjysmë ore kompania e kishte arritur objektivin.

Skuadra e dytë vazhdoi sulmin për në kuotën 262 dhe në mesin e disa ndërtesave antike ra nën zjarrin gjerman. Përleshja u bë në brendësinë e një manastiri prej nga qëllohej me mitraloza kundërajrorë me predha eksplozive.

Skuadra e parë bëri një krahëmarrje, por për fat të keq u mitraluan nga një avion britanik Spitfire. Avancimi ynë ishte kaq i shpejtë, saqë jo vetëm gjermanet u kapën në befasi, por edhe britanikët. Për këtë arsye avioni ynë shkaktoi disa të plagosur në radhët tona.

Pas një qëndrimi të shkurtër kompania bëri një kontroll dhe pa se nga skuadra e dytë kishte tre të plagosur dhe kishte kapur 50 robër. Nga Komanda e Brigadës u dha urdhri diku në 10:30 që të lokalizohej skuadra e parë, e cila i ishte drejtuar Sarandës. Një korrier u dërgua urgjent për ta ndaluar skuadrën të futej në qytet. Korrieri nuk e lokalizoi dot skuadrën dhe u kthye mbrapsht”.

Kapiteni Joe O’Sullivan i kompanisë së parë parashutiste të Forcave Mbretërore e përshkruan kështu zbarkimin në Sarandë. “ Përpara lindjes së diellit parashutistët zbarkuan nga anijet e flotës britanike 5 km në jug të portit. Sapo u zbardh, komanda gjermane e pa zbarkimin, por kishin vendosur që t’i  jepnin ushtarëve mëngjesin përpara se beteja të fillonte. Por me sa duket ata nuk e dinin se trupat asiriane dhe kurde ishin trupa të sprovuara në malet e Irakut. Malet e Sarandës ishin të larta sa gjysma e maleve të tyre, kështu ngjitja në to nuk përbënte asnjë problem për ta. Ata e filluan sulmin me vrap dhe i lanë oficerët e tyre britanikë shumë pas, duke kapur garnizonin gjerman rob. Gjermanët, që ishin duke ngrënë, nuk rezistuan, dhe asirianët u ulën për të ngrënë mëngjesin e tyre. Fatkeqësisht gjermanët nuk ishin të vetmit që u kapën në befasi.

Marina Mbretërore dhe Flota Ajrore u kap në befasi gjithashtu, duke mos e kuptuar që maja ishte në duart britanike. Kështu që ata filluan të hapnin zjarr. Rreshteri Schlemon Bukko u dërgua për të njoftuar Komandën që objektivi ishte kapur dhe zjarri duhej ndaluar. Duke parë trupat që po vinin nga krahu armik, komandot hapën zjarr duke e plagosur Bukko. Edhe pse Bukko thirri për të ndaluar zjarrin, anglishtja e tij ishte me aksent sirian dhe nuk u kuptua nga komandot. Po kështu kompania asiriane ra nën zjarrin e mortajave.”.
Komandanti i kompanisë parashutiste, Majori Hudson, e përmbledh këtë betejë në këto kujtime të tij.

“Djemtë bënë një betejë shumë të mirë. Megjithëse ishin paksa të çorganizuar në fillim. Gjermanët kishin pozita shumë të favorshme dhe transhe me mitraloza të lehtë. Kompania lëvizi kaq shpejt saqë gjermanët u kapën në befasi. Nga inspektimi i uniformave të armikut doli se të gjithë ushtarët mbanin simbolin e betejave në frontin rus. Komandanti i kapur rob ishte një oficer karriere, tipik nazist. Në datën 15 tetor, dy nga ushtarët e plagosur në këtë betejë, Paulos Essa dhe Zaia Enwia vdiqën në spitalin e Barit.

Një pjesë e kompanisë shkoi në Bari për funeralin e tyre, por në Bari patën probleme gjatë qëndrimit atje. Oficerët britanikë të prapavijës, duke parë se ata, megjithëse kishin uniforma britanike, ishin të huaj, nuk i lejuan të uleshin në mensën e oficerëve të Forcave Ajrore. Ky incident solli një problem të madh, pasi ushtarakët e kompanisë mund të kishin krijuar një incident të rëndë, nëse situata nuk do ishte sqaruar nga eprorët e tyre. Pas ceremonisë së ushtarëve të vrarë dhe disa ditëve pushim, kompania Asiriane u dërgua në Greqi për të marrë pjesë në operacione kundër forcave komuniste ELAS, të përqendruar në rrethinat e Athinës. Kompania Asiriane mori pjesë në betejën nëpër rrugët e Athinës me trupat e frontit të ELAS, një nga ngjarjet historike greke. Trupat asiriane dhe kurde të Kompanisë “Asiriane” kryen luftime të ashpra me partizanët e ELAS, duke pasur edhe të vrarë dhe të plagosur.

Një raport shumë interesant mbi këtë Kompani është një memo e shkruar nga Komandanti i kësaj njësie, majori HUDSON, mbi moralin e trupave pas luftimeve në Shqipëri dhe Greqi. Si rezultat i këtij Raporti britanikët vendosën t’i kthejnë këto trupa në Irak.
 
Në memo janë disa dëshmi të ushtarëve Asirianë, si Rreshteri Benyamin Shlimon, i cili dëshmon: “Pas eksperiencës tonë në Athinë ne u mërzitëm shumë për shokët e vrarë dhe të plagosur. Ne e kuptuam se vejushat tona nuk do të merrnin asnjë ndihmë nga Britanikët dhe të plagosurit tanë do të mbeteshin vetëm për t’u ushqyer. Komandot Britanike paguheshin shumë më mirë se ne dhe ne, se vdisnin familjet e tyre, nuk do të vuanin urie. Ne nuk kërkonim të njëjtën pagesë si Britanikët, por nuk donim që familjet tona të vuanin urie nëse ne nuk do të ishim më. Në fund të fundit, ne luftuam njësoj si britanikët dhe po vdisnim si ata. Folëm me Kurdët dhe ata kishin të njëjtën ndjenjë si ne kundrejt oficerëve britanikë. Ua thamë britanikëve, që sigurisht nuk iu pëlqeu mendimi ynë”.
 
Rreshteri i Forcave parashutiste Hormis Youkhana e përshkruan kështu eksperiencën e tij pas plagëve që mori në Shqipëri: “Pasi u plagosa në Shqipëri doktorët më thanë se më duhej dy vjet që të rikuperohesha nëse bëja terapi fizike. Mua më liruan nga kompania pas 6 muajsh, si i paaftë fizikisht. Mbeta vetëm, nuk më jepte njeri punë, britanikët nuk më morën as si ndihmëskuzhinier në kamp.”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama