Asgje qe te ngazelleje perendimoret

Asgjë që të ngazëllejë perëndimorët
Pyetjes përse Shqipëria duket sikur të jetë një objekt në fokusin e një syri që për njohje përdor dylbi, Rubens Shima i përgjigjet në këtë intervistë me rastin e prezantimit të artit shqiptar para e pas nëntëdhjetës në Gjenovë në Muzeun e Artit Bashkëkohor "Villa Croce". Ekspozita e organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Fondacioni për Kulturën "Genova Palazzo Ducale" me qendër në Gjenovë, Itali, e quajtur "Cosi Vicina Cosi Lontana. Arte in Albania prima e dopo il 1990" (Kaq pranë, kaq larg. Arti në Shqipëri para dhe pas 1990-ës) hapet sot zyrtarisht dhe nesër, 13 Nëntor për publikun. Qëndron aty deri më 7 Shkurt 2010.

Motivi është përvjetori i njëzetë i rënies së Murit të Berlinit.

Koncepti i ekspozitës ka për bazë kundërvënien e artit pamor në dy kohë, koncept që përmbush dy qëllime: së pari njohjen (është e para ekspozitë e këtyre përmasave që bën një prezantim të plotë dokumentar jashtë kufijve të Shqipërisë) dhe së dyti dekonstruktimin nëpërmjet artit të një zhvillimi që pati një vend i izoluar.

Prandaj dhe në tekstin kuratorial që po e botojmë përbri intervistës, Rubens Shima flet për një ekspozitë që prezanton "vijime dhe devijime". Disa nëntema të saj janë "puna", "komunikimi", "qyteti", "femra", "propaganda", "imazhi i pushtetit", "artisti" etj. Si ishin këto aspekte të jetës dje dhe sot?

Nga një anë janë vepra në pikturë dhe skulpturë të fondit të Galerisë Kombëtare, të prodhuara në vitet 70-80 dhe një lexim i brendshëm i tyre bëhet nga pranëvënia e veprave të artistëve bashkëkohorë në pikturë, fotografi, video të prodhuara kryesisht pas vitit 2000. Artistët pjesëmarrës janë: Kujtim Buza,Çlirim Ceka, Perikli Çuli, Myrteza Fushekati, Gentian Gjikopulli, Alban Hajdinaj, Oriana Kamberi, Shpëtim Kërçova, Vilson Kilica, Idlir Koka, Xhemal Lufta, Elsa Martini, Pandi Mele, Aristotel Papa, Alvas Papandili, Heldi Pema, Suela Qoshja, Bukurosh Sejdini, Agim Shami, Sali Shijaku, Orion Shima, Gentian Shkurti, Alajdin Tabaku, Lekë Tasi, Eltjon Valle, Driant Zeneli.

Kuratorë të projektit janë: Rubens Shima, Matteo Fochessati dhe Sandra Solimano.

Shima thotë se ka afro një vit e gjysmë që po punohet. Qëllimi është të tregohet ndërprerja dhe vazhdimësia në art. Ky ka qenë dhe është arti shqiptar, as më shumë, as më pak. Ndonjëherë atij i duket sikur gjërat janë njëlloj si dikur. Faji në këtë mes është, thotë ai, edhe i kuratorëve të huaj të cilët kanë krijuar njëfarë predispozite tek artistët shqiptarë për të rendur tek disa trende. Ky është shteg që të shpie tek një lloj neokolonializmi në art, thotë Shima, ndërsa ekspozita si e Gjenovës, që është e zhveshur nga kërkesat e modave të kuratorëve, është një shteg që të shpie për tek e ardhmja.

Përse në Gjenovë ky homazh me art shqiptar për rënien e Murit të Berlinit?

Muzetë e ndryshëm të artit bashkëkohor i kanë kushtuar ekspozita dhe një lloj shqyrtimi produktit kulturor që prodhoi Komunizmi, për të marrë në analizë gjithë atë të shkuar. Një nga këta muze ishte dhe i "Villa Croce-s" të Gjenovës.
Pse Gjenova? Sepse një nga kontaktet që galeria vuri atëherë, ishte kuratori Fochessati, i cili kishte marrë pjesë në jurinë e "Onufrit" në Tiranë. Qysh atë kohë u hodh ideja dhe në takimin me drejtoreshën e muzeut Sandra Solimano, një nga kuratorët do të jetë edhe ajo, e propozuam projektin, u pëlqye dhe ja ku jemi.

Në këto njëzet vjet duket i treti prezantim i madh që i bëhet artit pamor shqiptar, pas ekspozitës së Mynihut dhe të Barcelonës?

Mund të duket e ngjashme, por ajo çka ky projekt sjell është kundërvënia ndërmjet dy periudhave në aspektin edhe të instalimit të ekspozitës. Muzeu është i ndërtuar në disa dhoma dhe brenda secilës dhomë kundërvihen veprat e së shkruarës, pjesë e koleksionit të Galerisë me produktin artistik të ditëve tona, të skenës së artit bashkëkohor. Në këtë kuptim veprat krijojnë një lloj marrëdhënie, dhe veprat e sotme dekonstruktojnë të shkuarën.

Si ta kuptojmë këtë dekonstruktim me nëntema të ekspozitës që i referohen, për shembull, femrës?

Në rast se do t'i referohemi femrës dhe rolit të saj në të shkuarën, imazhit të femrës përgjatë realizmit socialist, ka shumë vepra. Ne kemi zgjedhur një punë të Xhemal Luftës që është një punëtore dhe ajo rri përballë një serie fotografish të Oriana Kamberit të cilat priren të shqyrtojnë marrëdhënien e femrës sot.

Kjo lloj kundërvënie dhe ky lloj ballafaqimi është aksi konceptual i kësaj ekspozite. Dhe në këtë kuptim, pretendoj që këto tema që prekin në të shkuarën dhe në të sotmen, të kthehen në një imazh lëvizës për kulturën dhe historinë politike të Shqipërisë. Me këtë lloj ballafaqimi ne arrijmë të kuptojmë zhvendosjen historike që ka ndodhur në Shqipëri.

Ky koncept a nuk i hyn në hak realizmit socialist, a përfaqëson kjo metodë një zhvendosje?

Të gjithë realizmin socialist e shikoj brenda një ideologjie të caktuar dhe nuk besoj se ka vlera kaq të spikatura brenda kësaj si periudhë, vlera artistike që tejkalojnë vetë dogmën. Kemi propozuar disa nëntema brenda ekspozitës dhe janë përzgjedhur ato punë nga koleksioni i Galerisë që i trajtojnë këto lloj temash. Nuk ka ndonjë ngrënie haku në aspektin e cilësisë së kësaj periudhe. Ka një lëndë aq të madhe GKA sa kishim edhe luksin e të përzgjedhurit.

Ndërsa pjesa tjetër e veprave janë nga koleksione private. E kemi përjashtuar linjën e muzeut nga ky projekt. Aty ka vepra të mira por nuk donim të cenonim.

Çfarë mund të bënte tjetër galeria, personalisht mendon se Shqipëria kulturore mund të tregonte më shumë në këtë përvjetor?

Ekspozita është një ngjarje e rëndësishme jo në Shqipëri, po matanë saj dhe me produkt tërësisht shqiptar. Ajo çka duhet të evidentohet është analizmi, eksplorimi i këtyre dy kohëve. E parë dhe e studiuar si një kohë e shkëputur, para nëntëdhjeta do të ketë vetëm vlerën e një artefakti, ndërsa e ballafaquar dhe e shqyrtuar me të sotmen, mund të kuptohet zhvillimi i një shoqërie dhe zhvendosja historike e një vendi. Vetëm kështu mund të kuptojmë evoluimin, se sa ka ndryshuar shoqëria shqiptare dhe a kanë ndryshuar këto nëntema që shqyrton projekti "Kaq pranë, kaq larg", a ka ndryshuar roli i gruas, i medias, roli i artistit, i pushtetit etj. Gjithçka është kthyer kokëposhtë me të shkuarën. Ekspozita ka një qasje thuajse dokumentareske.

Unë mendoj se ekspozita të këtij karakteri duhet të prezantoheshin edhe në Shqipëri.

Titulli duket i stërnjohur, në të vërtetë çfarë kërkonin të prezantonin kuratorët italianë?

Kjo pjesë m'u besua mua. Unë gjatë procesit të selektimit të emrave i kam dërguar konceptin për çdo artist dhe u ra dakord për këtë përzgjedhje.

Titulli nuk është zgjedhur nga unë. Por duhet të them se Shqipëria ende nuk njihet. Nuk njihet si vend, qoftë edhe në Itali. Habitemi nga "provincializmi" i Perëndimit, nga një mungesë e interesimit total për çfarë ndodh matanë kufijve të tyre, ajo që gjithmonë konsiderohet e largët, vende në zhvillim, vende në tranzicion. Jam përpjekur t'i shmang në ekspozitë këto çështje, këto problematika të cilat ngazëllejnë kaq shumë perëndimorët. Jam përpjekur që t'i mbesë strikt një qasjeje dokumentare për çfarë ndodhi në Shqipëri dhe që ata, publiku matanë, ta kuptojë realisht këtë vend, zhvillimet e tij, përpjekjet, qoftë edhe drejt një progresi të vështirë, të gjitha këto marrëdhënie të së shkruarës me të tashmen, a ka vazhdimësi apo s'ka vazhdimësi, a ka ndryshuar vetëm trendy -i apo është e njëjta gjë? Përse artistët shqiptarë janë kaq të dhënë pas sociales dhe politikes në art?

Atëherë përse?

Është një lloj trendy -i që është krijuar nga perëndimorët, sepse vetëm kështu një artist mund të bëhet interesant dhe të jetë pjesë e projekteve bashkëkohore. Në rast se merret me disa vlera ose më një kërkim mirëfilltazi artistik që nuk anashkalon kërkimet ose mesazhet politike, nuk përbën fare rëndësi sepse ata mendojnë se me këto gjëra merren ata vetë dhe nuk ka nevojë të merren vende kaq të humbura si Shqipëria. Pra projekti "Kaq afër, kaq larg" është përpjekur të shmangë disi këto gjëra dhe duke marrë në konsideratë gjithë këtë zbrazëti të madhe që ka rreth njohjes së Shqipërisë dhe artit shqiptar në këto vende.




Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama