Asgje e re nga Kosova e pavarur

Asgjë e re nga Kosova e pavarur
 Pak metra më tutje, hipur mbi një kamion, Albin Kurti foli për ta: "Njëzetepesë nga shokët tanë në këto çaste po merren në pyetje pasi janë rrahur nga policia e Kosovës", tha ai. "Janë po të njëjtët policë që i arrestuan për shkak se përmbysën 25 makina të EULEX-it. Janë po këta policë që sot janë vënë në mbrojtje të selisë së EULEX-it".

"Të fillojmë me gurët", thirri një i ri nga turma. Oborri i selisë së EULEX qe tërësisht i zbrazët dje, dukej sikur e gjithë godina ishte evakuuar.

Pavarësisht këtij episodi, gjithçka u mbyll në paqe në Prishtinë, ku njëzetedy organizata dolën në një demonstratë. Protestojnë kundër misioneve ndërkombëtare, misionit të BE-së, kundër Kryeministrit Hashim Thaçi, Presidentit Fatmir Sejdiu dhe natyrisht edhe kundër kreut të opozitës, Ramush Haradinaj. Oratorët u ngritën mbi një kamion që ishte parkuar para hyrjes së selisë së EULEX-it pas një udhëtimi dyorësh nëpër rrugët e Prishtinës, shoqëruar nga një turmë prej disa qindra vetash.

Një gjysmë ore më herët, duke mbajtur në duar copa letre në format A4, ku qe shkruar "Keni rrejt", protestuesit thirrën me bokse të mëdha "Jeni hajni", para zyrës së Kryeministrit Thaçi.

Sipas politikanëve në Prishtinë, të hënën priteshin jo vetëm protesta, por edhe dhunë. Dhuna në fakt nuk ndodhi. Qeveria e interpretoi protestën thjesht si një sfidë politike dhe i mëshoi idesë se në të morën pjesë pak qindra vetë.

Protestë shumëngjyrëshe pa flamur Kosove

Vetëvendosja është e njohur për protesta "të bukura" nëse mund të quhen kështu. Aktivistët e saj janë angazhuar në qindra beteja të vogla, si rishkrimi i parullave nëpër mure kur ndërkombëtarët i mbulojnë me bojë apo në demonstrime edhe më agresive, si shkatërrimi i makinave të ndërkombëtarëve. Parullat janë me të vërtetë të goditura: "Hashimi, edhe i bukur, edhe tradhtar", shkruhej në një prej tyre. Por në protestën e së hënës, ai që dukshëm mungonte ishte flamuri i ri i Kosovës. Pjesëmarrësit në protestë nuk e pranojnë atë flamur dhe as të ashtuquajturin "identitet kosovar". "Mos më thoni kosovare, unë jam shqiptare", na thotë Krenare Krasniqi, një prej aktivisteve që shpërndan broshura nëpër rrugë. Në protestë u bë thirrje edhe për "Shqipëri etnike". Ideja duket se po kthehet me shpejtësi në Kosovë pas një periudhe të shkurtër përgjatë së cilës pavarësia e 17 shkurtit 2008 u duk se ia zgjidhi problemet.

Si rrallëherë, protestuesit bënë thirrje të drejtpërdrejtë për dorëheqjen e Kryeministrit, pasi, sipas tyre, qeveria e Kosovës nuk protestoi dhe e uli kokën kur misioni i Bashkimit Europian në Kosovë, EULEX, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi dhe shkëmbimi informacioni në fushën e policisë me qeverinë e Serbisë.

Një debat i gjatë dhe i koklavitur u zhvillua gjatë javëve të fundit nëse EULEX kishte autoritet të nënshkruante marrëveshje ndërkombëtare në emër të Kosovës, apo nëse nënshkrimi i një protokolli të tillë qe i rëndësishëm, alarmant, i mirë apo jo aq i rëndësishëm. Ndërkombëtarët thonë se është njëkohësisht i mirë dhe i parëndësishëm. Por për disa në Kosovë, një hap i tillë shkon kundër pavarësisë së Kosovës. Dhe jo vetëm kaq.

Gjeopolitikë e realpolitikë

Pas marrjes së pavarësisë, Kosova duket se gjendet në një çast kritik. Për Serbinë, Kosova është një problem dytësor i politikës së brendshme. Dhe Bashkimi Europian duket se po bën çfarë është e mundur për kapërcimin e këtij problemi. Për më tepër, BE ka interesa konkrete dhe të rëndësishme në Serbi, ndërkohë që ka vetëm një interes në Kosovë, ka interesin që të mos shpërthejë dhuna.

Por nga ana tjetër, Serbia për Kosovën mbetet problemi kryesor. Një pjesë e vendeve të BE-së nuk e njohin Kosovën e pavarur e për pasojë Kosova nuk ka shans të dalë nga statusi i protektoratit ndërkombëtar për të hyrë në rrugën e heqjes së vizave e integrimit në BE e në NATO. Serbia nuk është thjesht refuzuese pasive e pavarësisë së Kosovës. Ajo financon struktura paralele, lufton kundër pjesëmarrjes së Kosovës në aktivitete rajonale e ndërkombëtare, shkurt bën ç‘është e mundur për t‘i prishur punë. Për më tepër, me zbatimin e paketës "Ahtisaari", Serbia ka marrë atë që ka kërkuar nga Kosova, por pa pranuar të paguajë diçka në këmbim.

Sipas udhëheqësve të Vetëvendosjes, Serbisë iu nevojit tashmë një marrëveshje bashkëpunimi policor me "fqinjët" e vet, sepse në këtë mënyrë plotëson kushtet për liberalizimin e vizave. EULEX e pranoi ta nënshkruante një marrëveshje të tillë. Qeveria e Kosovës e kundërshtoi, por në fund uli kryet. Në total, një marrëveshje e tillë sjell përfitim për Serbinë, por jo përfitim për Kosovën. Shkurt, si në rastin e planit "Ahtisaari", Kosova po plotëson ekzigjencat e Serbisë dhe Serbia vijon të jetë problemi kryesor i shtetit të ri. Ndërkombëtarët me kulturën e kompromisit po bëjnë ç‘është e mundur, por presioni i tyre ka pasur efekt vetëm në Kosovë.

Thaçi ndjehet i konkurruar

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, hyri në një debat indirekt me udhëheqësin e lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, gjatë ditëve të fundit. I sikletosur si kurrë më parë nga protestat plot ngjyra nëpër rrugët e Prishtinës, Thaçi hodhi dorashkën e sfidës. Sipas tij, Vetëvendosja duhet ta lërë politikën e rrugës dhe të hyjë në garë me të në zgjedhje.

Udhëheqësit e shoqërisë civile u ndjenë keq nga kjo sfidë.

"A e dëgjuat se çfarë tha Kryeministri?", e pyeti turmën Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës. "Ai po na tregon se Kosova nuk ka nevojë për shoqëri civile".

"Thaçi mendon për zgjedhje dhe vota, sepse në këtë mënyrë bën pare", tha Albin Kurti.

Pavarësisht se sa vetë morën pjesë në protestën e së hënës, Vetëvendosja po bëhet një lëvizje gjithnjë e më e fuqishme. Bashkë me të, tashmë janë bashkuar edhe njëzetedy organizata të tjera. Aktivizmi i tyre ka vënë në siklet edhe vlerat e pathyeshme perëndimore të lirive të njeriut.

Fajin e ka media

Ndërkombëtarët, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, duket se po shqetësohen gjithnjë e më shumë për atë që mund të quhet "roli destruktiv i medias".

"Jeni ju gazetarët që nuk e shihni progresin. Vjedhje ka, por ka edhe progres", u thoshte gazetarëve të Tiranës një prej vëzhguesve të zgjedhjeve të 28 qershorit.

"Mendoj që kjo çështja e protokollit ka mundur të trajtohet që nga fillimi ndryshe, nga të gjithë", komentonte ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, për gazetën "Koha Ditore". "Media po e bën punën e vet, pajtohem. Media e lirë është e lirë dhe liria e medias është mbi të gjitha. Por media ka edhe përgjegjësinë që përveç se të merret me temën e ditës, si institucion ka për obligim orientimin e shoqërisë nga axhenda e vërtetë".

Shqiptarët dhe ndërkombëtarët

Shumë prej shqiptarëve, si në Shqipëri, si në Kosovë, "vuajnë" nga sindromi i luftës humanitare. Ka që besojnë se qëndrimi agresiv i "Vetëvendosjes" kundër ndërkombëtarëve nuk është kaq pozitiv përballë faktit se qenë pikërisht ndërkombëtarët që i dhanë lirinë Kosovës. Për më tepër, ndërkombëtarët garantojnë rendin dhe sigurinë si në Kosovë, si në Shqipëri. Ndërkombëtarët në një farë mase "garantojnë" lirinë e shprehjes dhe të protestës përballë politikanëve që kanë dëshmuar se janë në gjendje të bëjnë gjithçka, përfshirë edhe të burgosin njerëz.

Përgjigjen për këtë e mori përsipër me e dhënë Slavoj Zizek, një filozof dhe psikoanalist nga Sllovenia, i mirënjohur në Europë: "Kjo është sjellja e zakonshme e liberalëve, aktivistëve të të drejtave të njeriut e të tillë në Perëndim, të cilët i pëlqejnë të tjerët për sa kohë ata janë viktima pasive. Por kur këta të tjerë duan të marrin fatin e tyre në duar, atëherë dyshohen menjëherë për nacionalizëm, fondamentalizëm etj.", tha ai i intervistuar nga televizioni publik i Kosovës.

Sipas Zizek, shqiptarët duhet të veprojnë në mënyrë bruske dhe të vendosur në një situatë të tillë: "Thjesht bëni gjëra që mund të gjenerojnë rezistencë. Për shembull, hapni de facto kufijtë me Shqipërinë. E dini se Perëndimi i parapëlqen kufijtë e hapur. Atëherë bëjeni dhe ju. Në një situatë të tillë, mund të vendosni kushtet tuaja".

Zizek është bindës. Shumë analistë në Tiranë e në Prishtinë besojnë se "Vetëvendosja", një zë agresiv, është i nevojshëm për të krijuar presion. Por ka gjasa që një lëvizje e tillë nuk mund të krijojë presion të mjaftueshëm sa të zgjidhë problemet e Kosovës.

Ballkani po zjen

Problemet në Ballkan po kthehen me forcë. Përveç shqetësimeve në Kosovë, ndërkombëtarët, të cilët më së shumti janë europianë, po përballen me trazira në rritje në Maqedoni e Bosnjë. Në Bosnjë, udhëheqësit politikë vendas e kanë zhytur federatën në kriza të vazhdueshme politike e po flasin vazhdimisht për luftë e për ndarje. Pesëmbëdhjetë vjet pas lufte, gjërat në Bosnjë nuk po ecin fare. Papunësia është në nivel të tmerrshëm, institucionet shtetërore nuk funksionojnë. Vendi mbetet shumë i varfër. Myslimanët e Bosnjës mbetën jashtë liberalizimit të vizave dhe po ndjehen shumë të persekutuar.

Maqedonia gjendet në një situatë pak më të mirë, por problemi i saj tashmë historik, Greqia, nuk ka zgjidhje. Marrëveshja e paqes në Ohër mes maqedonasve dhe shqiptarëve është kthyer në një diskutim të mërzitshëm për vende pune. Marrëveshja nuk u ka dhënë shqiptarëve dinjitetin dhe përfaqësimin e premtuar në këtë shtet, megjithëse përpjekjet kanë qenë të shumta nga të dyja palët.

Ndërkombëtarët kanë dështuar një herë në Ballkan kur reformat e Perandorisë Habsburgase në Bosnjë dështuan në krijimin e një vendi të qetë e me mirëqenie, ndërsa Maqedonia, pika e dytë e nxehtë e "Problemit të Lindjes", u zhyt në kaos. Kjo ndodhi në fillim të shekullit të kaluar. Integrimi europian është parë si ilaçi i vetëm i disponueshëm për këto probleme, por në këtë pikë është vetë një pjesë e Europës që shkakton probleme. Nga vetoja e Greqisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, te dështimi i Europës për të bindur Serbinë në pranimin e realitetit të Kosovës, e së fundmi me izolimin prej vizave të shqiptarëve e boshnjakëve, paralajmërimet për katastrofë janë të shumta. Sipas ish-administratorit të Bosnjës, Paddy Ashdown, nëse nuk vijohet me integrimin, Ballkani do të shkojë drejt fragmentarizmit.

Në fund, Kosova

Shteti më i ri në Europë ka shumë pak gjëra të qarta. Është vendi më i varfër në kontinent dhe përveç kësaj është larg detit, ka nivel shumë të ulët prodhimi të brendshëm e mbijeton falë të ardhurave nga emigracioni. Por "prodhimi" i emigrantëve të rinj bëhet një proces shumë i kushtueshëm dhe i vështirë në kuadër të mungesës së liberalizimit të vizave dhe bllokimit të kufijve. Në Kosovë sot ka 200 mijë të punësuar me një pagë mujore në 2 milionë banorë. Të rinjtë e papunë, apo ata që shkojnë në shkollë, janë mjaftueshmërisht të shumtë e të mërzitur dhe "lënda e parë" për protesta është e bollshme. Që prej të gjitha kohërave, Perëndimi ka besuar se ekonomia e dobët është ajo që e çon Ballkanin në trazira dhe përpjekje të konsiderueshme janë kryer që kjo situatë të ndryshojë. Por Ballkani mbetet në vendnumëro. Kosova mbetet në vendnumëro. Asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht se Kosova ka fituar nominalisht pavarësinë.



Gazeta Shqip
Prishtina, Gjergj Erebara

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama