Artur Gorishti Merr Fryme si regjisor

Artur Gorishti: Merr Fryme si regjisor

“Breath” është filmi me metrazh të shkurtër, konkurrues në TIFF, që e sjell për herë të parë aktorin Artur Gorishti si regjisor. Pas premierës në kinema “Millenium” ditën e diel, ai rrëfen projektet e ardhshme që e lidhin me kinemanë. Një triptik filmash të shkurtër dhe skenari i një filmi të gjatë. Me rikthimin e tij në Tiranë, ka vendosur të shfaqë edhe një tjetër dimension…pikturën. Fundi i nëntorit e gjen me ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve.

I rrethuar nga një grumbull peshqish të ngordhur, një shkulm ajri që mbush mushkëritë e një djali të vogël me frymë pas një zhytjeje në thellësitë e Karaburunit, është jeta e shpërfaqur në poetikën e saj…Pikërisht këtë ka dashur të sjellë Artur Gorishti në filmin me metrazh të shkurtër që e sheh për herë të parë si regjisor. “Breath” u shfaq premierë për publikun ditën e diel në kinema “Millenium” në kuadrin e Tirana International Film Festival, i cili mban edicionin e tij të 13-të.

Jeta dhe vdekja. Vetëdija dhe pavetëdija. Guximi dhe frika ndaj jetës…Një metaforë që regjisori Gorishti e ka sjellë në sytë e një fëmije, që rritet brenda një nate e bashkë me rritjen ndryshon edhe kuptimin për jetën.

“Më ka mbetur ndjesi nga fëmijëria sikur brenda një nate më ka ndryshuar mendimi për të gjithë botën, për jetën. Dhe kam dashur t’i mbahem kësaj; në një moment, papritur ne rritemi. Dhe po në këtë moment edhe kur plakemi mbetemi po fëmijë. Është një rotacion. Dhe nuk e di pse e kisha si shkreptimë këtë…”- rrëfen Artur Gorishti mbi idenë e këtij filmi të shkurtër, të cilin e ka realizuar vitin që shkoi.

Filmi është një metaforë, rrëfen ai. “Kur bëhet një film metaforik, nuk mund të bëhet metaforë për hir të metaforës. Ajo duhet të dalë nga një moment aq konkret sa të jetë i padukshëm”- vijon Gorishti duke thënë se konkretja në filmin e tij vjen në momentin kur djali- i interpretuar nga Andi Shaska –ndjen sesi një nga peshqit që i ati- i interpretuar nga vetë Gorishti- i jep për të shpërndarë nis e dridhet në duar…

Një plan detaj i syve të peshkut që përpëlitet në frymën e fundit të jetës dhe thirrja e dëshpëruar e një fëmije që i thotë peshkut “Merr frymë!” ndërsa e mban nën shi, të bën të kuptosh vlerën e paçmuar të jetës.

Për regjisorin gjithçka është frymë, e për pasojë jetë.

“Frymë peshku, frymë i ati, frymë vetë djali kur zhytet në ujë për peshkim. Për djalin dhe vetë autorin çdo gjë ka rëndësi; babai, djali dhe peshku, Të tre kam dashur t’i vë në baraspeshë.

Gjen ide panteiste, ambientaliste, mbi vdekjen, shkatërrimin e faunës dhe florës… Në fund të fundit autorit bën një gjë, pastaj shikuesit gjejnë gjëra të tjera që ndoshta unë as i kisha menduar”- thotë Gorishti.

Me rritjen, të cilën regjisori e sjell përmes djalit, kuptojmë se jo çdo gjë është gëzim.

“Fëmija që aq shumë e do peshkun, nis e vritet kur kupton sesi është jeta. Gëzim e hidhërim bashkë. Momenti ku pafajësia thyhet nga disa kompromise që ne bëjmë në jetë për të pranuar edhe të keqen, ashtu siç është. Kjo është rritja. Dhe ky film këtë trajton; momentet kur ne nuk pranojmë ta mirëpresim çdo gjë në jetë, aty kemi thyerje”.

Subjekti mbështetet mbi një prej tregimeve të librit “Dyert” të shkruar nga Artur Gorishti, botuar në vitin 2013 nga “Zenit”.

“Tregimi i parë i këtij libri i titulluar “Peshkimi i parë” është historia ku mbështet filmi të cilin e titullova “Breath”. Ajo që më bënte të ndihesha mirë, ishte se kishte aq vite në kokë si histori e shkruar, rreth 15 vite. E kisha shkruar në bllok fillimisht dhe si film kisha rreth një vit që kisha ndarë në kokë… të gjitha imazhet, sekuenca, planet. Ngaqë ishte film i shkurtër e kisha në kontroll dhe kjo më bënte që të ndihesha mirë me xhirimet. E kisha në kokë planin e fëmijës, të peshkut, planet e natyrës i dija të gjitha si do të shkëputeshin e si do të vinin me radhë dhe mendoj që kjo është mënyra për të xhiruar filmin e shkurtër; pa shumë llogari. Po ashtu edhe me filmin e dytë”, – thotë Gorishti duke iu referuar filmit, xhirimet e të cilit i përfundoi muajin e kaluar në ishullin e Sazanit, e që vjen në atmosferën e filmit “Breath” e që ai e ka titulluar “Kurth”.

“Edhe filmi i dytë është në vazhdën e filmit metaforik, aspak eksperimental. Ka të njëjtën atmosferë si “Breath”. Ka vetëm një personazh që e interpretoj vetë dhe ka të bëjë me idenë se jemi kurth për veten dhe për të tjerët dhe e fusim veten në kurthe të tilla, të cilat i ngremë vetes”- e përmbledh me pak fjalë subjektin e filmit ai, ndërsa zbulon se ideja është të realizojë një triptik filmash me metrazh të shkurtër, për të kaluar më pas te filmat me metrazh të gjatë, si regjisor.

“Edhe filmi i tretë merret me këto lloj temash. Ka shumë lëvizje gjeografike, shumë pikturë… Kam një fat që punoj me Latif Hasolli, që është një drejtor shumë i mirë fotografie. Do të sjell peizazhe me mal edhe me det në këtë film” thotë ai, ndërsa duket se mali dhe deti janë objekte magjepsjeje për të.

“Jam rritur në mal dhe në det. Kam qenë 20 vjet alpinist profesionist. Në kohën kur alpinizmi quhej një çmenduri, unë shkoja në alpinizëm dhe kështu u lidha shumë me malin. Ndërsa prej origjinës sime nga Vlora, jam shumë i lidhur me detin. Suksesi në art është kur je vetvetja dhe këto imazhe kanë mbetur në kokën time”.

Nuk e mohon se financat- kur punon i vetëm- të lodhin. “Por falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Njerëz idealistë që nuk vënë paratë përpara ideve”- thotë ai, duke përmendur një prej tyre Universitetin Europian të Tiranës që e ka mbështetur në projektet e tij kinematografike.

Zbulon se prej një viti e gjysmë ka punuar me skenarin e një filmi të gjatë, mbështetur në një tjetër tregim marrë nga libri i tij “Dyert”, i titulluar “Mes dy krulave”.

“E kam përfunduar dhe po e përkthej në gjuhën angleze. E kam nisur sinopsin në disa vende dhe është pëlqyer. Jam në negociata me disa kompani jashtë. Të shpresojmë për mirë”, – thotë Gorishti.

Përveçse ka debutuar si prozator, skenarist e regjisor, Gorishti rrëfen se një tjetër pasion i tij është piktura. Një ekspozitë vetjake në Galerinë e Arteve do ta sjellë Artur Gorishtin edhe si piktor për publikun.

“Kam pasur disa ekspozita personale në Amerikën e Veriut, në Montreal ku jetoj, si edhe në Nju Jork. Kam shumë punë andej, por edhe këtu më ishin bërë shumë punë”.

Do të jenë afro 70 punë të hershme por edhe të kohëve të fundit… peizazhe, portrete, ekspresive, ekspresioniste realizuar në teknikë mikse që do të ekspozohen mbrëmjen e 29 nëntorit, në kuadrin e Natës së Bardhë që do të kremtohet në kryeqytet. Kuratori zbulon Gorishti, do të jetë Ylli Drishti, ndërsa ekspozita do të qëndrojë e hapur për dhjetë ditë.

“Gjithçka vjen në funksion të kinemasë, por pasioni im është si për pikturën ashtu edhe për filmin. Ka një çelës… nëse e gjen për të hapur këto dyer që janë të lidhura me njëra-tjetrën nuk është ndonjë frikë e madhe për të bërë gjëra. Përpjekja është e njëjtë, qoftë për të shkruar skenarin, qoftë për të pikturuar, për të bërë regjinë e filmit apo për të aktruar. Është mirë kur i bashkon dhe ke sukses”, – thotë Gorishti.

Nuk i fsheh emocionet e debutimit si regjisor dhe komentet e publikut për filmin.

“Kam qenë plot me dyshime. Deri në momentet e tanishme, ku kam parë reagime të mira për filmin kam qenë dyshues. Dëshiroj që duke u nderuar filmi, të nderohen të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre. Ngaqë është hera e parë në një festival dhe për herë të parë si regjisor” – përfundon ai, ndërsa pas premierës sytë i ka të drejtuar nga Galeria e Arteve, për ekspozitën e tij vetjake.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama