Jeta e Çlirim Denaj është e lidhur me artin. Pasioni, dashuria për këngët, vallet, traditat shqiptare, janë arsyet sepse ai gjithë jetën e tij ia ka kushtuar artit. Është kantautor i shumë këngëve dhe për të kënga është pasioni më i madh, dhe i rezistuar viteve. Ai rrëfen për gazetën “Shekulli” se është i zhgënjyer nga tregu artistik shqiptar dhe prandaj është shkëputur nga promovimet. Denaj është i lumtur, por njëkohësisht edhe i dëshpëruar për talentet e reja. Ai tregon se artistët e sotëm kanë talent, por nuk punojnë shumë për të rritur nivelin e tyre artistik.“Të jesh artist kërkon punë dhe pasion, punë shumëvjeçare”, tregon ai. Në këtë intervistë Denaj thekson se arti në Shqipëri është i nënvlerësuar, dhe i mbushur plot me sakrifica.
Z.Çlirimi Denaj si e cilësoni jetën tuaj artistike si këngëtar?
Unë jam kantautor , këndoj këngët popullore por edhe muzikën e lehtë. Këndoj sipas stilit tim duke i futur këngës edhe elementë të modernizimit për ta përshtatur më mirë për publikun. Unë jam i aftë të këndoj edhe një aria dhe asnjëherë nuk e kam paraqitur këtë talent para publikut. Kam punuar me mijëra orë punë për vokalin tim. Më pëlqen të mbaj qoshen time në këtë art dhe të jap produktivitetin tim. Jeta ime artistike ka pasur suksese dhe për këtë ndihem krenar.
Nga kush je frymëzuar në shkrimet e teksteve të këngëve ?
Unë jam natyrë shumë e dashur por njëkohësisht jam shumë gjaknxehtë. Shumë herë jam takuar me poetë të cilët më kanë ndihmuar edhe sugjeruar vargje këngësh. Kam pasur bashkëpunime për tekste me Jorgo Papingjin, Sokol Marsin .Më pëlqen më shumë të shkruaj vetë tekste këngësh sepse e përshtat më shumë me muzikën, stilin tim. Frymëzohem nga ngjarjet e ditës , problematika të ndryshme, nga diçka që më bie në sy. Në këngën e titulluar “Pirati i Zemrës ”, këtë titull e kam dëgjuar diku nga një miku im,përshtatej me tekstin dhe e vendosa.
Pasioni për këngën, artin e ke pasur traditë familjare? Kush të ka mbështetur?
Po është një traditë familjare. Babai im është marrë me art dhe gjithmonë më thoshte të vazhdoja rrugën e artit. Unë kam qenë një djalosh që më pëlqente të bëja shumë gjëra dhe nuk isha i përqendruar vetëm në një fushë. Mbas përfundimit të ushtrisë konkurrova për tu bërë pjesë e Ansamblit Artistik të Ushtrisë, u përgatita shumë dhe fitova. Në këtë pikë unë morra rrugën e plotë drejt artit. Gjatë gjithë eksperiencës time artistike kam kuptuar se vetëm me punë dhe vullnet mund të ecësh para në jetë.
Nuk keni qenë pjesë mediatike vitet e fundit? Pse ky largim nga skena ?
Unë jam shumë i zhgënjyer me këto promovimet, dhe nuk jam tipi i servilizmit apo njëanshmërisë. Kam preferuar të qëndroj larg këtyre dhe të mbaj atë qoshen time artistike. Nuk e pëlqej shume tregun artistik shqiptar tani sepse nuk më duket i drejtë. Unë kam punuar shumë për muzikën dhe nuk jam shpërblyer. Sot shumë njerëz hyjnë një studio, bëjnë një këngë dhe dalin këngëtarë. Nuk është e drejtë sepse të bëhesh artist kërkon shumë kohë dhe shumë vepra. Edhe kur përfundoj një këngë të re nuk mundohen që ta promovoj shumë sepse më pengon karakteri im. Një këngë që ka vlera artistike nuk vdes kurrë.
Çfarë mund të thoni për tregun muzikor tani?
Dua të të tregoj një aspekt se sa jam i dëshpëruar por edhe i lumtur njëkohësisht. Në vendin tonë ka këngëtarë shumë të mire, të talentuar por nuk e di se sa kjo krijimtari është e tyre apo janë të kopjuara diku. Artistët e vërtetë punojnë shumë dhe japin produkte me vlerë. Shumica e këngëve shqiptare janë si ato flluskat që i merr era, sidomos kohët e fundit. Por ka dhe këngë që nuk vdesin kurrë. Një këngë e mirë ngelet në vite. Shumicën e artistëve në Shqipëri i mban pasioni për artin por përfundimi është se lodhen, s”kanë mbështetje. Arti tashmë në Shqipëri nuk paguhet dhe nënvlerësohet. Në kurriz të artistëve bëhen shumë festivale dhe kompeticione dhe të gjithë artistët pjesëmarrës nuk shpërblehen ose shumë pak.
A ka mbështetje nga institucionet për artin?
Asnjëherë nuk kam kërkuar mbështetje dhe nuk do kërkoj. E kam provuar njëherë dhe nuk kam gjetur asgjë. Të gjithë artistët përpiqen vetë. Kohët e fundit janë miqtë e mi ata të cilët më shtyjnë të bëj diçka të re. Kam disa gjera në mendje por nuk jam ende shumë I qartë. Kam punuar me këngën “Rrugës i Trishtuar” të Eli Farës kohët e fundit sepse më pëlqen, por vetëm kaq.
Cilat janë projektet e tua për të ardhmen?
Unë jam duke punuar shumë orë në ditë tani sepse kemi festivalin e Gjirokastrës që fillon në 15 maj dhe ashtu siç jam nderuar gjithmonë me çmime të para brenda vendit , po kështu dhe në Kosovë ,Maqedoni, Mal të zi dëshirojmë të dalim shumë mirë edhe në këtë festival. Edhe nëpër Evropë kudo që kemi shkuar nuk kemi dalë keq, kemi marrë çmime të dyta, nuk kemi ikur asnjëherë pa çmime.
Çfarë mund t”ju këshillosh artistëve të rinj?
Të rinjtë kanë pasionin por nuk kanë vullnetin për shumë punë, duhet të punojnë me orë të tëra për të pasur një jetë artistike të mirë. Ka shumë të talentuar dhe iu sugjeroj që vetëm të punojnë. Suksesi kërkon punë shumë vjeçare. Arti do sakrifica, pa sakrifica nuk ka sukses.
Jeni drejtues i Ansamblit të Tiranës,si është për ju kjo eksperiencë?
Është një eksperiencë shumë e bukur dhe shumë e dashur për mua. Unë i kam kaluar të gjitha etapat vetë , që nga një valltar, solist i thjeshtë dhe tashmë jam drejtor artistik. Jam shumë i lumtur që ka një traditë vallesh këngësh nga krahina të ndryshme të vendit, pra kemi një polifoni të pasur. Ne jemi vend me shumë kulturë dhe traditë dhe për më tepër i duam ato. Ansambli shqiptar ka pasur dhe do ketë ecuri sepse çdo brez ka dashuri për të. Në Ansambël ka të rinj të talentuar dhe me pasion. Tradita e këngës dhe valles në Shqipëri nuk vdes kurrë sepse po të shikosh edhe nëpër dasma që bëhen në ditët e sotme merren grupe valltarësh me veshjet e tyre krahinore për të sjellë atmosfere.
A ka të rinj sot që duan të futen në Ansambël?
Po ka shumë të rinj të çilët marrin mësime për vite me radhë për tu bërë pjesë e Ansamblit. Janë dy lloj për mendimin tim. Një lloj që e dashurojnë dhe e kanë me pasion dhe punojnë shumë dhe një lloj tjetër që kanë pasion por iu mungon vullneti për punë. Po kështu në Shqipëri kohët e fundit ka edhe të rinj që nuk duan t’ia dinë fare për muzikën dhe kërcimet popullore dhe pëlqejnë vetëm muzikat e huaja. Nëse nuk di të kërcesh një këngë të vendit tënd , kur nuk di disa prej këngëve popullore që ty të identifikojnë si shqiptar dhe është fatkeqësi të dëgjosh vetëm muzikë të huaj.
Çfarë do doje të ndryshoje tek Ansambli? Ka nevojë për më shumë mbështetje?
Ne punojmë shumë për të arritur rezultate. Nuk është se dua të ndryshojë diçka në kuptimin e funksionimit të mësimdhënies apo praktikave që ndiqen. Do të doja më shumë mbështetje nga pushteti vendor që të shikonte me më shumë seriozitet financimin e Ansamblit. Na nevojiten më shumë financime për të zhvilluar aktivitete dhe këtë e kemi të nevojshme shumë kur udhëtojmë jashtë vendit. Ansambli përpiqet shumë të gjejë edhe sponsorë vetë por jo gjithmonë ia arrijmë qëllimit. Ne lëvizim në shumë shtete, ka vende që na ftojë por ka edhe vende që marrim pjesë dhe me dëshirën tonë. Së shpejti do udhëtojmë drejt Bullgarisë, Spanjës dhe na duhet mbështetje.
Roli
“Në teatër më ngacmoi instinkti i fëmijërisë”
Çlirim Denaj që prej 3 muaj është bërë pjesë e Teatrit të Metropolit si aktor në dramën e mirënjohur “Arturo Ui”. Ai luan dy role episodike në këtë dramë. Një rol që është djalit i Doksburjesë, një djalë i përkëdhelur i cili ka një baba të pushtetshëm. Ky rol ka shumë pak fjalë dhe gjithçka e realizon mimika e aktorit dhe gjestet e tij dhe roli tjetër është ai i prokurorit në një proces gjyqësor që zhvillohet ne vepër.“Kam role të vogla, dytësore por përpiqem ti luaj shumë mirë dhe besoj se edhe nga publiku janë pëlqyer” rrëfen ai. Rikthimi i tij në teatër është si pasojë e një ngacmimi të instinktit të vogëlisë.
“ Mu kujtuan vitet e mija të fëmijërisë kur aktroja në shfaqjet e shkollës dhe të gjithë duartrokisnin për mua. Është një instinkt i hershëm që nuk po më linte të qetë”, shprehet Denaj. Për të ishte një ndjenjë e bukur që vendosi ta shpalosë tani. Ai tani është duke mbyllur jetën e tij artistike dhe shprehet se nuk do të marrë më pjesë në aktrim. Po kështu në këtë vepër ai ka edhe funksionin e këngëtarit ku këndon në një pjesë të veprës në një ambient kabareje. Për të është një ndjenjë shumë e bukur aktrimi dhe që e lejon veten të shfaqet para të gjithëve sipas një mënyre të caktuar. Por gjithsesi për të kënga ngelet më e vështirë sepse fjalën përveçse do ta thuash do ta këndosh.
Çlirim Denaj shprehet se këto role ia ka propozuar regjisori i shfaqjes dhe se i pranoi me shumë kënaqësi. Për të është një eksperiencë e re dhe që po përpiqet të japë maksimumin e tij. “Më pëlqen aktrimi dhe e vlerësoj shumë besimin e regjisorit të shfaqjes që më dha në këto role” pohoi ai. Aktrimi për Çirimin është fjala në teatër e cila duhet të përshtatet me rolin, veprimet, gjestet, mimikën dhe duhet të jesh i vëmendshëm me partnerin tënd. “Duhet të punosh shumë me diksionin, me portretin dhe të bashkëpunosh me partnerin” rrëfen ai.