Dy kundërshtarët politikë të Shqipërisë së viteve’20-’30, Artan Lame i ka bërë bashkë. Kësaj here në një zbulim. Bëhet fjalë për dy flamuj të vjetër kombëtarë, që sipas kërkimeve të Lames, njëri prej tyre është hasur gjatë ceremonisë mortore të Fan Nolit në vitin 1965, dhe tjetri nga Ahmet Zogu në vitin 1925…
Dy kundërshtarët politikë të Shqipërisë së viteve ’20-’30, Artan Lame i ka bërë bashkë. Kësaj here në një zbulim. Bëhet fjalë për dy flamuj të vjetër kombëtarë. I pari, nga hulumtimet e kreut të ALUIZNI-t, i cili nuk e ndal pasionin dhe lidhjet me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe pasuritë historike të vendit, rezulton të jetë flamuri me të cilin Kryepeshkopi u përcoll për në banesën e fundit, në ceremoninë mortore të organizuar në Florida të ShBA-së më 13 mars, 50 vjet më parë. Ka qenë pikërisht në ditën e përkujtimit të 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të imzot Nolit, që Artan Lame ka dalë me këtë zbulim të tijin.
“Pardje ishte 50-vjetori i vdekjes së Fan Nolit. Natyrisht që në shtetin shqiptar, denbabaden nuk kujtohet njeri për ata që dinë shkrim e këndim më shumë sesa për të lexuar emrin e tyre. Ndaj edhe për Nolin s’u kujtua njeri”, – shkruante në profilin e tij të Facebook-ut Lame, duke shtuar se ishte Artan Shkreli ai që i dërgoi një fotografi nga momenti i ceremonisë fetare të varrimit të Fan Nolit, ku shquhet qartë trupi i pajetë i imzotit, mbuluar me flamurin kombëtar.
“Teksa e shihja më me kujdes, ai flamur më solli ndër mend një foto që ma kishte dhënë Auron Tare në vitin 2007, ndërsa isha duke u marrë me një studim për flamurin kombëtar”, – vijon Lame.
Sipas shpjegimeve të tij, në këtë fotografi të dërguar prej Auron Tares shfaqej At Liolini duke shpalosur një flamur.
“Sipas shpjegimeve të Auronit, ekzistonte një legjendë sipas se cilës, ai flamur ishte flamuri i shpalljes së Pavarësisë më 1912-n. Legjenda nuk qëndron, pasi shqiponja e atij flamuri është sipas asaj të modeluar në vitin 1922, pra të paktën 10 vjet pas Pavarësisë. Por sidoqoftë, nëpër harqet e kishës kishte mbijetuar kujtimi se ai flamur ishte përdorur në një ngjarje të madhe”, –sqaron më tej Lame, duke shtuar se flamuri me ngjyra që shihet i shpalosur në duart e At Liolinit, mund të jetë një prodhim i viteve 1925-1930. Imzot Theofan Stilian Noli vdiq i mbuluar me të, në vitin 1965. “Auroni ma dha foton e At Liolinit me flamur në vitin 2007, Shkreli foton e tij dje, ndërsa unë po bë j veç lidhjen e të gjitha këtyre sot, duke dashur ta ndaj me të gjithë emocionin e këtij zbulimi”, – thotë Lame duke bërë edhe një apel për besimtarët e Kishës Shqiptare në Boston.
“Ruajeni me kujdes atë flamur të shenjtë, që përcolli gjysmë shekulli më parë Nolin në botën e përtejme”.
I njohur për pasionin e tij në koleksionimin e flamujve të vjetër shqiptarë, Artan Lame gjithashtu ka postuar fotografinë e një flamuri të prodhuar në Itali, me gjasa të jetë përdorur nga Ahmet Zogu.
“Para disa ditësh, restauruesi Frederik Stamati më dërgoi foton e një flamuri që gjendet në Arkivin e QKA-së, duke më kërkuar ndihmë për identifikimin e tij”. Flamuri, sipas përshkrimit të Stamatit, është prodhuar në Itali, vijon Lame, duke e evidentuar markën e fabrikës në një cep të cohës, e cila mban firmën e një fabrike në Napoli të Italisë.
“Nisur nga kjo, profesori hedh mendimin se mund të jetë flamur i përdorur nga trupat shqiptare në komandën italiane gjatë Luftës së Parë Botërore. Pasi harxhova gjithë fundjavën duke gërmuar nëpër fotografi të vjetra, më në fund e gjeta”, – shkruan Lame duke sqaruar se ka gjetur një fotografi të Ahmet Zogut, të shkrepur diku në gjysmën e parë të vitit 1925.
Për markën e prodhimit në Napoli, Lame shprehet se ky është një detaj i parëndësishëm.
Fakti që flamuri mban stampën e një fabrike ne Napoli, nuk do të thotë gjë. Gati të gjithë flamujt prodhim fabrike të periudhës nga vitet ‘20 e deri në vitin 1944, prodhoheshin në Itali. Unë, veç prodhimit Napoli, kam të prodhuar edhe në Romë, Milano e Torino”, – ka përfunduar Lame, entuziast për zbulimet e tij mbi këta dy flamuj të përdorur nga dy burrështetas të mëdhenj të Shqipërisë.