E hapur pranë Muzeut Historik Kombëtar nën kujdesin e Fondacionit të Kur’anit, Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe Qendrës Studimore të Kur’anit në Iran, kjo është e para ekspozitë e paraqitur në përmasa të tilla në vendin tonë. Për herë të parë ajo është e përbërë nga disa degë, ku ndër më kryesoret duket se është dega studimore që paraqet revista, libra e artikuj të ndryshëm. Tekstet e Kur’aneve në gjuhë të ndryshme janë pjesë e kësaj dege të paraqitura në këtë ekspozitë. Një tjetër pjesë është ajo artistike, mesa duket edhe më e pasura ku dallojnë disa arte si: piktura, grafika, punimet e gdhendura në dru, zbukurime artizanale e shkrime mbi lëkurë kafshësh.
Në pjesën antike spikaten librat fetarë të gjetur prej shumë kohësh, që dallohen për origjinalitetin dhe gjuhën shqipe në të cilën janë shkruar. Ekspozita Kur’anore” i ka rezervuar një vend edhe fëmijëve ku dallohet nxitja e tyre në fushën e pikturës. Në një pjesë ku duket qartë integrimi i fesë me zhvillimet teknologjike, vihen re koleksionet e cd-ve dhe kasetave me të rejat më të fundit dhe Kur’ane të shkruara në letër speciale, krijime të marra nga vende të ndryshme të botës. Veprat dhe krijimet e kësaj ekspozite janë paraqitur jo vetëm nga studentë shqiptarë, por edhe nga artistë të njohur irananë që për herë të parë i sjellin publikut në Shqipëri veprat e tyre, publik që nuk u kufizua vetëm në admirues të zakonshëm të fesë muslimane. Në ditën e parë të hapjes, gjatë ceremonisë së përurimit, përkrah personaliteteve fetare, qenë të ftuar edhe politikanë. Veç ndarjes në pjesë të ndryshme, programi i kësaj ekspozite përmbante edhe “tryeza të rrumbullakëta, ceremoni kur’anore etj., si dhe përurimin e numrit të parë të revistës shkencore “Drita e Kur’anit”, ceremony që pritet të zhvillohet në ambjentet e Hotel “Tirana”.
D.Dyli : Gazeta Metropol











