Arsyet e doreheqjes se Artan Didit

Arsyet e doreheqjes se Artan Didit

Dorëheqja e parevokueshme e Artan Didit nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit vjen vjetëm pak orë pasi SHKB arrestoi shefin e zyrës së Interpol Tirana, Artan Bajraktari dhe specialisten Loreta Alla. Ata u prangosën nën akuzën se nuk i kishin përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë apo institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit kërkesën e Intepolit belg për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës, Mark Frroku.

 

Burime të besueshme të policisë bëjnë me dije se arsyeja e shkarkimit është e lidhur pikërisht me këtë çështje. Sipas të njëjtave burime, Bajraktari e ka vënë në dijeni Didin për shkresën e mbërritur më 8 janar të këtij viti nga zyra e Interpolit belg dhe për materialet shtesë të ardhura po nga kjo zyrë më 23 janar. Ka dyshime se Didi ka ndikuar që këto shkresa të mos u përcillen organeve të drejtësisë dhe të mbeten në syrtarët e Interpol Tirana. Hetimi i SHKB pritet të hedhë dritë mbi këto dyshime.

 

Nuk është ende e qartë nëse Didi është përfshirë në hetimet që po kryhen. Opozita thotë se "vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës". Sipas saj, "për të mbyllur këtë skandal të paimagjinueshëm, Drejtori i Policisë ka shkarkuar dhe ka ndaluar dje drejtorin e Interpol Tirana, Artan Bajraktari, dhe një specialiste në këtë drejtori, duke u përpjekur t’u lërë fajin atyre".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama