Arrestohen piratet e Facebook vodhen 850 milione euro

Arrestohen piratet e 'Facebook', vodhen 850 milione euro
Një operacion i madh kundër krimit kibernetik i organizuar nga Shtetet e Bashkuara solli arrestimin e dhjetë njerëzve përgjegjës për 850 milionë dollarë të vjedhura nga popullata e përdoruesve të internetit, vjedhje që u krye veçanërisht duke përdorur rrjetin social “Facebook”. Lajmi bëhet i ditur nga BBC. Përdoruesit e “Facebook” ishin sulmuar nga piratët së paku gjatë dy viteve të fundit, banda thuhet se ka përdorur një sistem për të vjedhur të dhënat për kartat e kreditit dhe llogarive bankare. Sistemi quhet botnet.

“Facebook” punoi bashkë me autoritetet për të zbuluar burimin e sulmeve, si dhe për të identifikuar përdoruesit që mund të kenë rënë viktima të këtij krimi. Të dyshuarit janë arrestuar në SHBA, Britani, Bosnjë, Kroaci, Maqedoni, Zelandën e Re dhe Peru.

Botnet është një rrjet kompjuterësh i infektuar nga një virus që i lejon kriminelëve të teknologjisë së lartë t’i përdorin kompjuterët në distancë. Në këtë sulm të vetëm, 11 milionë sisteme kompjuterike thuhet se u komprometuan nga variante të ndryshme të një softi kompjuterik të njohur si “Yahos”.

Skuadrat e sigurisë kibernetike në të gjithë botën u angazhuan në hetimin dhe zbulimin e kësaj supervjedhjeje. Rrjeti social “Facebook” është më i madhi i këtij lloji në botë, por nuk është i paprekshëm nga krimi. Por ndërkohë, rrjeti duket se në disa raste po ndihmon autoritetet të luftojë krimin. Në Skoci, Indi etj., autoritetet kanë hapur faqe për të marrë denoncime në kohë reale nga popullata për aktivitete të dyshimta apo të paligjshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama