Sipas prokurores, Ilir Kumbaro ka hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ku ka kërkuar azil politik me identitet të rremë. Ajo ka theksuar gjithashtu se Kumbaro ka të gjitha mjetet në dispozicion për t'u zhdukur dhe për t'iu shmangur drejtësisë". Ndërkohë, prokurorja ka pohuar më tej se mosparaqitja e Ilir Kumbaros është jokonforte për autoritetet shqiptare. Ndërsa avokati mbrojtës i Kumbaros, në gjendje ankthi për misterin e vendndodhjes së klientit të tij, ka pohuar se ka biseduar në telefon me klientin e tij dhe ka konfirmuar se Ilir Kumbaro ishte paraqitur në një stacion policie për t'u regjistruar.
Largimi
Pasi dëgjoi kërkesat e avokatit dhe prokurores, gjykatësi i çështjes vendosi që çështja të shtyhet deri në pritje të ardhjes së Kumbaros, i cili praktikisht nuk u paraqit. Ndërkohë, vendndodhja e Kumbaros mbetet mister. Avokati mbrojtës pohon se ishte kontaktuar familja dhe spitalet, por nuk saktësoi nëse ishte kontaktuar apo jo klienti i tij. Ende nuk dihet se ku ndodhet Ilir Kumbaro, por dyshohet se ai mund të ketë një arsye të fortë për mosparaqitjen, por kjo nuk do të thotë që urdhër-arresti të mos ekzekutohet dhe policia britanike të mos nisë kërkimin e Ilir Kumbaros, nëpër porte, aeroporte, stacione treni etj. Ndërkohë që urdhëri i arrestit është lëshuar dhe tani mbetet ndoshta vetëdorëzimi i Kumbaros. Edhe nëse ai paraqitet vetë në gjykatë ose dorëzohet, një gjë është e sigurt, këtej e tutje Kumbaro nuk mund të zhvillojë dot betejën ligjore kundër ekstradimit në Shqipëri në gjendje të lirë. Fakti se Ilir Kumbaro nuk ka patur pajisje elektronike që u vendoset njerëzve në raste të tilla, për të monitoruar lëvizjet e tij, tani e tutje nëse Kumbaro do të bjerë në duart e drejtësisë, do të gjykohet në gjendje arresti, deri në pritje të vendimit përfundimtar. Ndërsa 10 mijë stërlinat e vendosura si garanci për Kumbaron do të konfiskohen nga shteti britanik. Ilir Kumbaro, bashkë me të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, akuzohen nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe po gjykohen për akuzën e rrëmbimit dhe torturimit të shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1995.