Ariel Merkuri nga La Scala ne Teatrin Mbreteror te Danimarkes

Ariel Merkuri, nga 'La Scala' ne Teatrin Mbreteror te Danimarkes

Dëshira e tij për t’u marrë me balet ka nisur në moshën 5-vjeçare. Pas një kursi privat 5-vjeçar mbaroi dhe Shkollën e Baletit në Tiranë. Për 3 vjet ndoqi studimet në Akademinë “La Scala” në Itali. Ky është Ariel Mërkuri, 19 vjeç, i cili aktualisht punon në Teatrin Mbretëror të Danimarkës, duke nënshkruar kontratën për të dytin vit. Publiku vendas u njoh me profesionalizmin e tij si një balerin klasik para dy ditësh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit gjatë rivënies së pjesës së baletit “La Sylphide” në rolin e James-it. Gjatë bisedës me të ai tregon se për atë vetë ishte një kënaqësi shumë e madhe interpretimi në vendlindje pas 5 vjetësh largim.

 

Një ëndërr fëmijërie që e bëri realitet, duke qenë pjesë e TKOB-it, falë bashkëpunimit të radhës me maestro Ilir Kernin, sepse i pari ka qenë tek “Arrëthyesi”, një rrugë të cilën shpreson ta vazhdojë dhe më tej, edhe pse, sipas tij, diferenca mes teatrove ndërkombëtarë dhe atij në Shqipëri është e madhe. “Ka shumë diferenca, duke nisur nga kushtet dhe abc-ja, por më pëlqen fakti që me maestro Kernin është bërë një punë shumë e mirë në Teatrin e Operës. Një punë me vizion evropian dhe botëror”, thotë ai. Ndonëse dëshira e tij, që të kërcejë në vazhdim dhe në skenën e TKOB-it është e madhe, ai nuk e ka menduar asnjëherë rikthimin përfundimtar.

 

“Nuk e kam pasur kurrë në mendje dhe nuk besoj se do ta kem një rikthim përfundimtar”. Ëndrra e tij është që të realizohet plotësisht te baleti klasik, por dhe tek ai bashkëkohor, sepse ai mendon se të qenët balerin klasik ka shumë favore. “Baleti klasik është diamanti i teatrit, prandaj për të ky zhanër është forcë. “Përherë ka qenë ëndrra ime që të kërceja rolin e princit, ashtu sikurse edhe në rolin e James-it e gjeta shumë veten”, na tregon ai.

 

Duke shtuar më tej se ëndrrat e tij janë që të kërcejë në shfaqje baletesh ndërkombëtare si: “Bukuroshja e fjetur”, “Liqeni i mjelmave”, “Zhizel”, pse jo dhe “Don Kishoti”. Gjatë shfaqjes, të bie në sy trupi i rregullt dhe lëvizjet e tij kombinoheshin aq bukur, por këtë performancë ai e arrin jo vetëm me pasion, por me shumë durim dhe punë, që bën gjatë orëve të tëra.

 

“Është gjithçka rreth durimit që mund të kesh për këtë profesion, sepse mund të kesh shumë të dhëna fizike, por kur nuk e dëshiron diçka nuk mund të bësh asgjë. Ndoshta arrin deri në njëfarë pike, por pastaj e mbyll. Baleti për mua është pasion dhe profesion”. Ndërsa për sa i përket vlerësimit që i bëhet këtij arti ai na tregon se, me sa ka parë në Shqipëri, baleti është pak i vlerësueshëm. “Duhet që të jetë edhe më shumë i vlerësuar, sepse është një art shumë i veçantë, i cili kërkon sakrifica, punë dhe dashuri”.

 

Aktualisht, për sa u përket studimeve, fatkeqësisht ai i ka ndalur, sepse nuk arriti që të përballonte ngarkesën. “Bëra vetëm një vit në Itali dhe më pas nuk m’u dha mundësia që të vazhdoja atje. Ata pretendonin shumë nga unë, provime në gjuhë të huaja, për mua ishte pamundur, nuk ia dilja dot. Fillimisht duhet të mësoja italishten, që të përparoja në gjuhët e tjera, nuk munda që t’i përballoja dot”, shprehet ai.

 

Por kush e mbështet në rrugëtimin artistik Arielin? Ai na tregon se prindërit, dhe pse nuk i ka artistë, janë mbështetja e tij më e fortë. “Mbështetja ime më e madhe ka qenë dhe është familja ime, prej tyre nuk kam pasur asnjë përgjigje negative për vendimet që kam marrë. Ata janë aty në çdo çast të jetës sime. Kam dhe një motër e një vëlla, që edhe pse më të vegjël, kanë qenë përherë mbështetje për mua”, përfundon ai.

 

“La Sylphide”,

 

Balerini Ariel Mërkuri, produkt i shkollës shqiptare të baletit interpretoi rolin e James-it te baleti me dy akte “La Sylphide”, me muzikë të Herman Lovenskiold-it, libret të Adolphe Nourrit dhe koreografi të Ilir Kernit (sipas A. Bournoville). 

 

Akti I

 

Në pyllin e mjegulluar magjistarja Magde ka mbledhur rreth vetes magjistaret e tjera dhe u tregon një nga bëmat e saj të këqija; se si shkatërroi dashurinë e “Sylphide-ës dhe James-it”. Në sallonin e një shtëpie në një fermë skoceze, i riu James Ruben në ditën e martesës me të fejuarën e tij Effi, është duke dremitur në një kolltuk pranë zjarrit. Një silfidë (zanë e ajrit) e shikon me dashuri dhe i dhuron një puthje. James zgjohet, por Silfida zhduket. Në festën e martesës së James-it dhe Effi-t mblidhen miq e bashkëfshatarë të gëzuar e bashkë me ta vjen edhe magjistarja e vjetër Madge. Ndërkohë që miqtë festojnë të gëzuar, Madge i lexon dorën Effi-t duke i parashikuar një të ardhme të lumtur, veç jo me të fejuarin e saj, por me Gurnin, duke treguar me gisht nga ai...

 

Akti II

 

Në pyllin e mjegulluar Magde dhe magjistaret e tjera janë rreth një kazani të madh. Ato hedhin në të lloj-lloj pisllëqesh dhe trazojnë pa pushim... Në pyll mbërrijnë dasmorët që kërkojnë James-in, por gjejnë vetëm kapelën e tij. Ndërkohë Gurni i nxitur edhe nga Magde, i shpreh Effi-t dashurinë e tij dhe përpiqet ta bindë të martohet me të. Effi e tronditur, por edhe e prekur nga durimi dhe sjellja e tij, pranon të martohen. Nga larg James shikon vargun e dasmorëve, të cilëve u paraprin Effi dhe Gurni. Ashtu, krejt i mjerë, më në fund kupton se theu fjalën e dhënë, humbi dashurinë e tij dhe mbeti krejt i vetëm. Ai hedh edhe njëherë sytë andej nga silfidet u larguan me trupin e pajetë të së dashurës së tij dhe shembet në tokë i pajetë, ndërkohë që Magde, e kënaqur ngre sytë nga qielli, pasi më në fund drejtësia u vendos.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama