Ardian Vehbiu perfaqeson Shqiperine ne festivalin New Literature from Europe ne Nju Jork

TIRANË, 3 Nëntor /ATSH-Klajdi Musabelliu/- Midis autorëve të ndryshëm nga vende të Europës, Shqipëria do të përfaqësohet në Festivalin e përvitshëm të Letërsisë së Re nga Europa, që do të zhvillohet në datat 6-9 nëntor 2015 në Nju Jork, me shkrimtarin dhe publicistin Ardian Vehbiu.

Lajmin e bën të ditur Ministria e Kulturës e cila përveç të tjerash thekson se është e para herë që Shqipëria përfaqësohet në këtë Festival të mirënjohur, ç'ka u bë e mundur me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

"Nga Festivali i Tiranës në atë të Nju Yorkut, letrat shqipe vijojnë komunikimin me tjetrin" shkruhet në lajmin që prezantohet nga vetë dikasteri.

Në festivalin "New Literaure from Europe" shkrimtari dhe publicisti Ardian Vehbiu do të jetë pjesëmarrës në dy panele konkretisht "Përgjegjësia në të shkruar", i moderuar nga Maaza Mengiste, dhe në panelin "Të mblidhemi bashkë", ku do të lexohen pjesë nga romani "Bolero" i Vehbiut.

Festivali "New Literaure from Europe" është festa vjetore e shkrimit nga kontinenti evropian.

Në këtë aktivitet marrin pjesë shkrimtarë dhe publicistë nga vende të ndryshme të Evropës si Bernhard Aichner (Austri), Naja Marie Aidt (Danimarkë), Niccolò Ammaniti (Itali), Tomás Halík (Republika Çeke), Wojciech Jagielski (Poloni), Josefine Klougart (Danimarkë), Alek Popov (Bullgari), Jordi Puntí (Katalunja/Spanjë), György Spiró (Hungari), Bogdan Suceava (Rumani) dhe Bettina Suleiman (Gjermani).

Gjatë këtij festivali zhvillohen mjaft lexime dhe diskutime nga liderët europianë të shkrimit, dhe kritika nga ata më të rëndësishëm amerikanë.

Themeluar që prej vitit 2003, Festivali "New Literaure from Europe" i ngjiti shpejt shkallët, duke u renditur si një ndër eventet më të rëndësishme të Nju Jokut, i cili tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut, dhe vlerëson me çmime dhe autorët më të shitur dhe të rinj nga vendet e ndryshme të Evropës çdo vit.

Ky festival organizohet nga European Union National Institutes for Culture (EUNIC) dhe Instituti I Kulturës Europiane me qendër në Nju Jork.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama