Ardian Isufi rrok trashendenten

Ardian Isufi rrok trashendenten

Një organizëm fetar ka vendosur të përfshijë dhe dimensionin e kulturës kombëtare në aktivitetet e saj. Dje, një piktor i njohur shqiptar, u vlerësua me çmimin e parë për një tablo të tij. Ardian Isufi, mori çmimin "AIITC 2006", për peizazhin më të arrirë. Ky çmim u dha nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, që në një ceremoni ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, ndau çmimet e vitit për fushat e krijimtarisë letrare dhe ato të arteve figurative. Kjo ishte hera e parë që një entitet fetar e islam njëherësh, organizon konkurse vjetore në krijimtarinë artistike dhe shpërndan çmime për to. Drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, dr. Ramiz Zekaj, tha se "duke vështruar kulturën islame si pjesë të kulturës kombëtare, ne po përpiqemi të zbulojmë ndikimet e saj pozitive në bashkëveprim e përqasje me kulturat e tjera për formimin e profilit dhe fizionomisë së kulturës shqiptare".

Çmimet që në mënyrë sigluese përfaqësohen me inicialet e institutit, (AIITC 2006), ishin për librin më të mirë në fushën e shkencës dhe kulturës islame; për peizazhin më të bukur në penelat e piktorëve shqiptarë; për krijimtarinë më të mirë ndër moshat e reja në prozë e poezi me tematikë: "E bukura në shpirt dhe në jetë". Juria e përzgjedhur për këto çmime, përfaqësohej nga emra të njohur të fushave përkatëse. Në jurinë e librit, bënin pjesë: prof. dr, Shefik Osmani, kryetar, poeti Xhevahir Spahiu dhe prof. dr. Feti Mehdiu. Juria e pikturës përbëhej nga tre emra të njohur të arteve figurative: Ali Oseku, Rubens Shima dhe Ylli Drishti.

Ndërsa juria e prozës dhe poezisë, përbëhej nga Adelina Mamaqi kryetare, e nga prof. dr. Arian Kadusi dhe poeti i njohur, Ervin Hatibi. Çmimet vjetore "AIITC 2006", iu dhanë: dr. Shyqyri Hysit, pedagog në universitetin "Eqrem Çabej" në Gjirokastër, për veprën studimore, "Histori e monumenteve fetare shqiptare"; një grupi autorësh të përbërë nga Maksim Gjinaj, Mehdi Gurra dhe Petrit Bezhani për veprën "Libra në gjuhën shqipe për Islamin"; Kozeta Boçit për vëllimin poetik, "Përtej dukjes", si dhe studiuesit kosovar, Nexhat Ibrahimi, për veprën "Islami si provokim global".

Në pikturë, çmimi iu dha piktorit të njohur, pedagogut në Akademinë e Arteve, Ardian Isufi. Ndërsa për krijimtarinë në moshat e reja, çmimi iu dha medresistit Ardit Nezha. Për këto çmime, Instituti i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, kishte ftuar të merrnin pjesë të gjithë krijuesit, pavarësisht përkatësisë fetare. Kryetari i AIITC-së, dr. Ramiz Zekaj, tha në fjalën e tij se "këto çmime janë një vlerë më shumë në panteonin e kulturës shqiptare, pasi letërsia dhe arti janë pjesë e progresit, pjesë e shpirtit të kombit". Sipas tij, këto nisma janë inkurajim dhe nxitje për të pasuruar më shumë kulturën shqiptare, këtë thesar të çmuar, që siç u shpreh Zekaj, garanton bashkimin me familjen e madhe evropiane. Ky aktivitet, tha Zekaj, zhvillohet pak kohë pas Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe shpalljes së vitit 2007, si "vit i shkrimtarit të shquar, Mitrush Kuteli".


Mare nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama